Pabarazia, ligji i më të kamurve
R.SH. - Vatikan
Në vitin 2025, kamja e miliarderëve arriti një nivel të paparë në historinë e kohëve të fundit. Sipas raportit të ri të Oxfam-it, organizatës ndërkombëtare që lufton varfërinë dhe padrejtësitë kudo nëpër botë, raport që u paraqit në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, tani ka më shumë se 3,000 miliarderë në të gjithë botën. Këta zotërojnë një pasuri që shkon në 18.3 trilionë dollarë. Shifra tregon një rritje prej 16% krahasuar me vitin 2024 dhe rritja është tri herë më të shpejtë se mesatarja e pesë viteve të fundit.
Pasanikët, gjithnjë e më të kamur
«Edhe një herë, raporti merr në shqyrtim fituesit dhe humbësit e ekonomisë botërore», shpjegon Misha Maslennikov, studiues dhe analist i politikave publike i degës italiane të Oxfam-it. «Ne jemi përballë një sasie të tepruar pasurie, e cila është rritur me 81% që nga viti 2020, afërsisht tetë herë më shumë se prodhimi brendshëm bruto (PBB) i një vendi si Italia.» Kjo pasuri, nënvizon organizata Oxfam, do të ishte e mjaftueshme për të zhdukur varfërinë e skajshme në të gjithë botën 26 herë. Megjithatë, rritja marramendëse e pasurisë të më të pasurve nuk është shoqëruar me uljen e varfërisë në rend botëror. «Shkalla e uljes së varfërisë nuk ka ndryshuar në thelb për gjashtë vjet», vuri në dukje Maslennikov, përfaqësuesi i Oxfam-it italian. «Nëse rritja ekonomike nuk i përfshin të gjithë dhe nuk shpërndahet më mirë, rrezikojmë mos ta arrijmë asgjësimin e varfërisë së skajshme deri në vitin 2030. Kështu, do të arrijmë në vitin 2050, me një të tretën e popullsisë së botës – gati 3 miliardë njerëz – që ende jetojnë në varfëri."
Fuqia e parasë
Sipas Oxfamit, grumbullimi i skajshëm i pasurisë nuk është dukuri pa ndikim. Ai shkakton një rreth vicioz që forcon pushtetin politik në disa duar. «Në raport, ne nxjerrim në pah një lidhje strukturore midis përqendrimit të pasurisë dhe përqendrimit të pushtetit», thotë Maslennikov. «Njerëzit më të pasur përdorin pushtetin e tyre ekonomik për t’u dhënë trajtë politikave për përfitimet e veta, në vend që këto të jenë në interesin e të gjithëve. Kjo dinamikë, vazhdon Oxfam, tregon dështimin e sistemeve demokratike. Pabarazia e skajshme i gërryen marrëveshjet demokratike, shkatërron strukturën shoqërore dhe nxit mosbesimin dhe përçarjen e shoqërisë. Në kontinente të ndryshme po thellohet ndarja territoriale midis «vendeve që kanë rëndësi» dhe «vendeve që nuk kanë rëndësi». Këto të fundit po bëhen zona të prapambetura ku zhvillimi ngec dhe rritet konsensusi për politikat populiste ose ekstremiste, të cilat premtojnë ndryshime rrënjësore, por përfundojnë duke konsoliduar status quo-në.
Demokracia dhe informacioni i lirë në rrezik
Raporti i Oxfam-it gjithashtu thekson ndikimin e pabarazive te rrjetet e informacionit. «Kontrolli i medias është një nga kanalet kryesore përmes të cilit pushteti ekonomik ndikon te debati publik», shpjegon Misha Maslennikov. «Shtatë nga grupet më të mëdha mediatike në botë tani kontrollohen nga miliarderë, gjë që kompromenton mundësitë e barabarta dhe përligj moralisht pabarazinë.»
Një çështje tjetër kryesore është borxhi i vendeve më të varfra. Oxfam e sheh këtë si pengesë reale që kufizon hapësirën fiskale të nevojshme për të investuar në arsim, kujdes mjekësor dhe mirëqenie. «Shumë vende sot shpenzojnë më shumë për shlyerjen e borxhit sesa për shëndetin dhe arsimin e qytetarëve të tyre», u shpreh zëdhënësi i degës Oxfam për Italinë, Misha Maslennikov.
Porositë e organizatës Oxfam
Në këto kushte, Oxfam bën thirrje për një ndryshim kursi. Nevojitet ristrukturim dhe shlyerje e borxhit të vendeve më të varfra, taksim më i barabartë në të gjithë botën dhe futja e një standardi ndërkombëtar për taksat që i duhen vënë miliarderëve. Oxfam i bën thirrje Italisë të luajë një rol më të gjallë në këtë mes, duke rritur buxhetin për bashkëpunimin ndërkombëtar deri në 0.7% të të ardhurave kombëtare bruto. Të mbështetet edhe taksa botërore që duhet të paguajnë më të pasurit e rruzullit dhe të nxisë themelimin e një organizmi ndërkombëtar kundër pabarazisë. Ky i fundit, duhet edhe të vlerësojë ndikimin e politikës në këtë mes me rreptësi shkencore. «Ekziston një rrugëdalje nga humnera e pabarazisë», përfundon raportin e vet Oxfam, «por kjo gjë kërkon vullnet politik, bashkëpunim ndërkombëtar dhe angazhim për të vendosur përsëri në qendër të vendimeve ekonomike botërore barazinë, të drejtat dhe demokracinë»