Kërko

2020.08.14 Elezioni in Nuova Zelanda

Viti 2026 do të jetë vendimtar për shumë vende demokratike

Sfidat zgjedhore të vitit 2026 në një kontekst global të paqëndrueshëm .I mbushur me ngjarje të rëndësishme, viti 2026 premton se do të jetë vendimtar për ekuilibrat gjeopolitikë të rruzullit, në një kohë luftërash, shpesh të harruara.

R.SH. / Vatikan

Nga skadimi në shkurtin e ardhshëm të traktatit të kontrollit të armëve bërthamore «New Start» midis Uashingtonit dhe Moskës dhe festimeve, më 4 korrik të 250-vjetorit të Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së, do të zhvillohen zgjedhje në të paktën një duzinë vendesh kyçe, nga SHBA-ja te Brazili, nga Rusia te Hungaria, nga Bangladeshi te Izraeli. Në këto shtete, me qindra miliona votues do të zgjedhin jo vetëm qeveritë e tyre, por edhe aleancat e mëdha ndërkombëtare. Do të përcaktojnë zhvillimin e konflikteve të vazhdueshme dhe ekuilibrin e ardhshëm të pushtetit.

Zgjedhjet do të mbahen edhe në shumë vende të tjera, me rezultate që duken të paparashikueshme, ndërsa disa të tjera, mund të shfaqin pika kthese të rëndësishme për të ardhmen, duke përfshirë të ardhmen ekonomike të shumë kombeve. Axhenda e ngjeshur ndërkombëtare për vitin e ri përfshin gjithashtu një sërë samitesh të mëdha shumëpalëshe, duke përfshirë samitin e NATO-s në Ankara, samitin e G20 në Miami dhe Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP31) në Antalia, Turqi.

Të parët që do të shkojnë në kutitë e votimit do të jenë votuesit e dy vendeve afrikane: Benini, me zgjedhjet presidenciale në prill dhe ato parlamentare; i dyti është Uganda, ku më 15 janar votohet për të zgjedhur presidentin dhe parlamentin e vendit. Gjithnjë në Afrikë, Republika e Kongos (Brazaville) do të zgjedhë presidentin e saj më 22 mars, me votim të parakohshëm, të rezervuar për personelin ushtarak pesë ditë para. Zgjedhje janë planifikuar në Etiopi, në qershor dhe Zambia, në gusht. Po ashtu edhe në Algjeri do të ketë votime por data nuk është caktuar ende. Votime priten edhe në Marok në shtator, ndërsa në Gambia zgjedhjet presidenciale janë planifikuar për më 5 dhjetor. Dhe në fund, më 22 dhjetor 2026, janë caktuar zgjedhjet e përgjithshme në Sudanin e Jugut aq të trazuar nga lufta.Votimet e para që nga pavarësia (2011) janë shtyrë pesë herë në dhjetëvjeçarin e fundit për shkak të luftës civile dhe emergjencës humanitare.

Zgjedhjet e planifikuara në Azi janë shumë të rëndësishme dhe të vlefshme për t'u përmendur. Në Mianmar, zgjedhjet e përgjithshme për deputetë, shpallur nga junta ushtarake, filluan më 28 dhjetor, por do të mbahen në disa faza. E dyta është planifikuar për më 11 janar. Tailanda duhej të shkonte në votime në fund të marsit 2026, por më 11 dhjetor, pas tensioneve me Kamboxhian, presidenti e shpërndau parlamentin, duke hapur rrugën për zgjedhje të parakohshme legjislative, të planifikuara për datën 8 shkurt. Bangladeshi do të mbajë më pas votime të përgjithshme më 12 shkurt, nga të cilat do të dalin anëtarët e rinj të parlamentit dhe qeveria që do të formohet. Në të njëjtën datë, do të votohet edhe për referendumin kushtetues.

Zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme do të mbahen në Nepal më 5 mars për të zgjedhur 275 anëtarët e parlamentit. Ato vazhdojnë më 15 mars me zgjedhjet legjislative në Vietnam, nga të cilat do të dalin anëtarët e Asamblesë Kombëtare.

Në Lindjen e Mesme, zgjedhje të përgjithshme do të mbahen në maj, në Liban, për të zgjedhur të 128 anëtarët e parlamentit, në një datë që ende nuk është përcaktuar. Po ashtu, zgjedhje do të mbahen brenda 27 tetorit - data e saktë nuk është njoftuar ende - në Izrael për 120 anëtarët e Knesetit, parlamentit njëdhomësh të vendit dhe për qeverinë e re.

Në Evropë, zgjedhjet fillojnë më 18 janar me zgjedhjet presidenciale në Portugali, ndërsa disa shtete gjermane po përgatiten për zgjedhje rajonale: Baden-Württemberg dhe Rheinland-Pfalz në mars, dhe Saksonia-Anhalt, Berlini dhe Mecklenburg-Vorpommern në shtator. Zgjedhjet vendore do të jenë një provë për kancelarin Friedrich Merz, në detyrë që nga maji, dhe gjithashtu një matës i rritjes të së djathtës ekstreme jo vetëm në ish-Gjermaninë Lindore me industri të rrënuar, por edhe në Gjermaninë Perëndimore, që është më e pasur.

Ndërmjet shkurtit dhe qershorit, zgjedhjet vendore do të zhvillohen në Aragon, Castile dhe León, dhe Andaluzi, rajoni më i madh i Spanjës për nga madhësia dhe popullsia. Më 15 dhe 22 mars, francezët do të shkojnë në kutitë e votimit për të zgjedhur kryetarët e bashkive në të gjithë vendin, dhe ashtu si në Spanjë, këto zgjedhje lokale do të shërbejnë si sprovë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.

Zgjedhjet legjislative në Hungari, më 2 prill, priten me shumë ankth, sepse janë sfida më e madhe deri tani për kryeministrin Viktor Orbán dhe partinë e tij Fidesz pas 16 vitesh në qeveri. Zgjedhjet lokale në Mbretërinë e Bashkuar do të mbahen më 7 maj. Zgjedhjet parlamentare në Armeni më 7 qershor dhe zgjedhjet legjislative në Estoni më 30 gusht.

Dy votime do të zhvillohen në shtator: zgjedhjet e përgjithshme në Suedi më datën 13, dhe ato në Federatën Ruse, për dumën, brenda datës 20 shtator, të pasuara në tetor nga zgjedhjet parlamentare në Estoni (më 3). Në Bosnje dhe Hercegovinë zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen më 4 tetor, ndërsa më 31 tetor do të jenë votimet për parlamentin e ri danez. Pastaj, në nëntor, Bullgaria - e cila iu bashkua Eurozonës më 1 janar 2026 - do të shkojë në votime për të zgjedhur kreun e ri të shtetit.

Në Itali, është caktuar data  22 e 23 mars për referendumin kushtetues mbi ndarjen e karrierave gjyqësore. Në kontinentin amerikan, ngjarja e pritur më me padurim janë votimet e mesit të mandatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më 3 nëntor, ku do të zgjidhet një e treta e senatit (33-35 vende) dhe të gjitha vendet, 435, të Dhomës së Përfaqësuesve, si dhe shumica e zyrave ekzekutive shtetërore, duke filluar nga guvernatorët. Këto zgjedhje do të jenë një sprovë për presidentin Donald Trump, me republikanët që tashpërtash kontrollojnë Kongresin dhe presidencën.

Kosta Rika mban zgjedhjet e saj më 1 shkurt, ndërsa një datë tjetër kyçe është 31 maji, kur Kolumbia do të shkojë në votime për zgjedhjet e saj presidenciale. Presidentit të tashëm Gustavo Petro, i zgjedhur në vitin 2022, ia ndalon kushtetuta të kërkojë një mandat të dytë radhazi.

Zgjedhjet e përgjithshme në Peru janë vendimtare, pasi ato do të përcaktojnë presidentin dhe anëtarët e Kongresit i cili do të kthehet në një strukturë dydhomëshe, me senat me 60 vende dhe kuvend me 130 vende. Zgjedhje të tjera të përgjithshme vendimtare janë planifikuar për në tetor në Brazil. Haiti, i cili është përfshirë nga dhuna e bandave, do të mbajë zgjedhjet e tij më 30 gusht. Pas disa shtyrjeve që nga viti 2019, zgjedhjet e përgjithshme në vendin e Karaibeve do të mbahen në dy raunde - i dyti do të jetë më 6 dhjetor nëse asnjë kandidat nuk fiton shumicën e votave në gusht. Votimet do të bëhen për presidentin dhe të gjitha vendet në senat dhe në parlament.

(nga L’OSSERVATORE ROMANO, 10 janar 2026)

 

13 janar 2026, 10:11