Me 6 shkurt kalendari kujton Shën Pal Mikin dhe shokët martirë
R.SH. - Vatikan
Kisha kujton sot, 6 shkurt, Pal Mikin dhe martirët tjerë, japonezët e kryqëzuar për shkak të fesë së tyre në Jezu Krishtin. Pali Miki u vra afër Nagasakit së bashku me 25 shokë të tjerë: 2 jezuitë, 6 françeskanë dhe 17 anëtarë të tjerë të urdhrit françeskan.
Të mbështetesh te Zoti do të thotë të përqafosh dashurinë e vërtetë. Nëse jeton në dritën e Zotit gjatë gjithë jetës, edhe në momentin ekstrem kur kërkohet të japësh jetën, mendja dhe zemra kthehen te rrënja e dashurisë së vërtetë. Dhe pikërisht në këtë dashuri të pafund, i dorëzohej shenjti i Pal Mikit, jo vetëm ndërsa shkonte drejt mundimeve që e prisnin në Osaka në vitin 1597, por gjatë gjithë jetës së tij, të shpenzuar si apostull i Ungjillit mes komuniteteve japoneze, mes popullit të tij. Në momentin e martirizimit, me të, u kryqëzuan edhe tre jezuitë, pesë misionarë françeskanë dhe 17 japonezë tretarë të Shën Françeskut.
Pal Miki ishte i pari meshtar japonez, i lindur në Kyoto në vitin 1556 dhe i pagëzuar në moshën 5 vjeçare. Në moshën 22 vjeçare hyri mes jezuitëve, duke iu përkushtuar menjëherë predikimit: një angazhim që përfshinte edhe dialogun me budistët, në të cilin Miki u dallua veçanërisht. Ndërmjet viteve 1582 dhe 1584 ai realizoi një vizitë në Romë me një delegacion japonez, të autorizuar nga Shoguni Hideyoshi. Por ishte me dëshirën e të njëjtit Shogun – i cili u bë përndjekës i krishterëve për arsye politike dhe kulturore – që Miki u arrestua në dhjetor të vitit 1596 në Nagasaki dhe u ekzekutua disa javë më vonë. Fjalët e tij të fundit u thanë në latinisht: "Në duar tua, Zot, e dorëzoj shpirtin tim".