Kërko

Në foto: ceremonia e dhënies së çmimit Zayed 2026. Në foto: ceremonia e dhënies së çmimit Zayed 2026.

Zayed 2026: Një çmim për paqen, arsimin dhe ndihmën humanitare

Ceremonia e dhënies së çmimeve Zayed u zhvillua dje, më 4 shkurt, në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe. U theksuan shembuj të "vëllazërisë njerëzore", siç është marrëveshja midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, aktivistja afgane Zarqa Yaftali dhe organizata palestineze jofitimprurëse «Taawon».

R.Sh. Vatikan

Delegacionet e Republikës së Armenisë dhe Republikës së Azerbajxhanit morën çmimin Zayed 2026 për «Vëllazërinë Njerëzore» dje, e mërkurë, 4 shkurt, në Memorialin e Themeluesve në Abu Dhabi. Juria njohu rëndësinë e marrëveshjes së paqes të nënshkruar nga dy vendet kaukaziane më 8 gusht 2025, në Uashington, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çmimin ndërkombëtar,  themeluar në vitin 2019 dhe tani në vitin e shtatë, e mori gjithashtu edhe aktivistja afgane për arsimin e vajzave, Zarqa Yaftali dhe organizata palestineze jofitimprurëse «Taawon».

Një marrëveshje paqeje pas dekadash konflikti

Duke marrë çmimin në emër të Azerbajxhanit, presidenti Ilham Aliyev theksoi rëndësinë e njohjes, duke vënë në dukje se ajo mban emrin e sheikut Zayed bin Sultan Al Nahyan, babait themelues të Emirateve të Bashkuara Arabe, dhe mbështetet nga Shenjtëria e Tij Papa Leoni XIV dhe imami i Madh i Al-Azhar, sheiku Ahmed Al-Tayeb.

Duke kujtuar më shumë se tridhjetë vjet luftë ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit, presidenti Aliyev tha se gjashtë muajt e fundit kanë shënuar një kapitull të ri për të dy vendet kaukaziane. "Ne kemi qenë në luftë për më shumë se 30 vjet. Tani ka gjashtë muaj që jetojmë në paqe" tha ai. "Po mësojmë të jetojmë në paqe. Mund t'ju them, është një ndjenjë e veçantë," shtoi ai.

Kreu i shtetit theksoi gjithashtu se paqja u arrit falë vendosmërisë politike dhe mbështetjes ndërkombëtare, duke shtuar se marrëveshja mund të shërbejë si model për të tjerët. "Shembulli ynë tregon se paqja është e mundur pavarësisht konflikteve, vuajtjeve dhe mosbesimit të gjatë. Paqja është e mundur kur ka vullnet të fortë politik nga të dyja palët," tha ai.

Memoriali në Abu Dhabi i kushtohet themeluesit të Emirateve të Bashkuara Arabe, sheikut Zayed bin Sultan Al Nahyan.

Kryeministri armen Nikol Pashinyan e quajti çmimin "një nder të madh", duke vënë në dukje se u krijua pas dokumentit historik mbi Vëllazërinë Njerëzore, të nënshkruar bashkërisht nga Papa Françesku dhe imami i Madh i Al-Azharit. Ai tha se kjo simbolizon mbështetjen e botës myslimane dhe të krishterë për paqen midis Armenisë dhe Azerbajxhanit. Edhe pse çmimi iu dha zyrtarisht udhëheqësve, kryeministri Pashinyan theksoi se ai u përket popujve të të dy vendeve: "Është vërtet një arritje që u përket të gjithë popujve". Pashinyan më në fund ia kushtoi çmimin "çdo armeni dhe azerbajxhanasi që guxoi të shpresonte për paqe për të gjithë dhe formën më të madhe të respektit për viktimat".

Çmimin e mori edhe aktivistja Zarqa Yaftali, e cila ka punuar prej vitesh për të mbështetur të drejtën e grave afgane për arsim.

Në Mbrojtje të Arsimit të Vajzave Afgane

Zarqa Yaftali u vlerësua për angazhimin e saj të gjatë në mbrojtjen e të drejtës për arsim për vajzat dhe gratë në Afganistan. Në fjalimin e saj në ceremoni, ajo e quajti çmimin "jo vetëm një triumf personal, por një përgjegjësi të thellë". "Me përulësi", ajo ua kushtoi nderimin grave dhe vajzave afgane që vazhdojnë të luftojnë për të drejtat e tyre: "Ky nder u përket grave të guximshme të Afganistanit të cilat, edhe kur u hiqen të drejtat e tyre më themelore, vazhdojnë të ngrejnë zërin çdo ditë me dinjitet, qëndrueshmëri dhe guxim", deklaroi aktivistja.

Yaftali kujtoi se vetëm pak vite më parë, vajzat ndiqnin lirisht shkollën dhe gratë ishin aktive në jetën publike, duke përfshirë arsimin, mediat dhe drejtësinë. "Sot, realiteti është përmbysur", tha ajo, duke e përshkruar heqjen sistematike të të drejtave të grave si një gjendje të rëndë që "nuk duhet kaluar kurrë në heshtje".

05 shkurt 2026, 11:09