Kërko

Brendësia e Kishës së Varrit të Shenjtë në Jerusalem Brendësia e Kishës së Varrit të Shenjtë në Jerusalem

Jeruzalem, marrëveshje për Pashkët: kremtimet të garantuara në Varrin e Shenjtë

Autoritetet fetare të Patriarkatit Latin të Jeruzalemit dhe të Rojtarisë së Tokës së Shenjtë njoftojnë marrëveshjen e arritur me autoritetet izraelite për të siguruar mbarëvajtjen e kremtimeve të Pashkëve në Varrin e Shenjtë. Megjithatë, mbeten në fuqi kufizimet për shkak të konfliktit në vijim dhe liturgjitë do të transmetohen në "streaming" për besimtarët në mbarë botën.

R.SH. / Vatikan

Patriarkati Latin i Jeruzalemit dhe Rojtaria e Tokës së Shenjtë konfirmojnë përmes një komunikate se të gjitha çështjet që lidhen me kremtimet e Javës së Madhe dhe të Pashkëve pranë Varrit të Shenjtë në Jerusalem janë trajtuar dhe zgjidhur në koordinim me autoritetet kompetente. Në akord me Policinë e Izraelit, është garantuar mundësia e hyrjes në vendet e kultit, për përfaqësuesit e Kishave, në mënyrë që të lejohet zhvillimi i liturgjive dhe ceremonive, si dhe të ruhen traditat e lashta të Pashkëve në vendin më të shenjtë të krishterimit.

Kremtimet në "streaming"

Në kuadrin e gjendjes aktuale të luftës, mbeten gjithsesi në fuqi kufizimet për grumbullimet publike. Për këtë arsye, Kishat do të sigurojnë transmetimin e drejtpërdrejtë të liturgjive dhe lutjeve, duke u mundësuar besimtarëve në Tokën e Shenjtë dhe në botë të marrin pjesë shpirtërisht. Autoritetet fetare shprehën mirënjohje të sinqertë ndaj Isaac Herzog, president i Shtetit të Izraelit, për ndërhyrjen e tij të shpejtë dhe vendimtare, ashtu siç u shpreh mirënjohje edhe për krerët e shteteve dhe zyrtarët që u aktivizuan me shpejtësi, shumë prej të cilëve dëshmuan personalisht afërsinë dhe mbështetjen e tyre.

Liria fetare si vlerë universale

Në komunikatë theksohet me forcë se besimi fetar përfaqëson një vlerë supreme njerëzore, të bashkëndarë nga të gjitha fetë: hebrenjtë, të krishterët, myslimanët, druzët e të tjerë. Sidomos në momente vështirësie dhe konflikti, si ky aktual, mbrojtja e lirisë së kultit tregohet si një detyrë themelore dhe e përbashkët.

Dialog i vazhdueshëm dhe shpresë për paqe

Autoritetet kishtare urojnë që të vazhdojnë të identifikohen zgjidhje të përshtatshme për të mundësuar lutjen në vendet e kultit, veçanërisht në Vendet e Shenjta, duke pajtuar nevojat e sigurisë me të drejtën e praktikimit fetar, që është thelbësore për qindra miliona besimtarë në botë. Kisha ruan një dialog konstant me autoritetet, përfshirë Policinë e Izraelit, ndërsa përtërin lutjen për përfundimin e luftës që godet rëndë mbarë rajonin. Patriarkati Latin i Jeruzalemit dhe Rojtaria e Tokës së Shenjtë ripohojnë, në fund, angazhimin e tyre për dialog, respekt reciprok dhe ruajtjen e "status quo"-së në Vendet e Shenjta.

30 mars 2026, 12:29