Të dalim jashtë nga varri i shoqërisë artificiale
R.Sh. Vatikan
Jemi në Javën e Madhe. Ditët më domethënëse të vitit liturgjik.
Pikërisht në këtë kohë që po përjetojmë doli lajmi që po bën bujë të madhe nëpër botë. Të shtunën, më 28 mars 2026, në Indonezi hyri në fuqi ndalimi i mjeteve të komunikimit shoqëror për të gjithë ata që janë nën moshën 16-vjeçare. Një ditë më parë, qeveria austriake kishte njoftuar për projektligjin e vet, por me kufizim të moshës në katërmbëdhjetë vjeç. Nuk janë të vetme këto lajme. Ato janë kapitulli i fundit – tashpërtash – në një histori që në harkun kohor të disa muajve ka përfshirë Australinë, Francën, Danimarkën, Norvegjinë, Spanjën, Brazilin dhe Malajzinë. Edhe në Itali tashmë ka katër propozime parlamentare që presin të votohen. Një hartë globale e ndalimeve, kufizimeve të moshës, sistemeve të verifikimit të identitetit dixhital dhe të gjobave miliarda dollarëshe për platformat që nuk kryejnë monitorimin. Bota ka vendosur: fëmijët duhet të mbrohen nga rrjetet sociale.
"Kodi është ligj", pohonte Lawrence Lessig, juristi i njohur i Harvardit. Mirëpo kodi miratohet në heshtje, në pajisjet teknologjike të miliarda njerëzve, ndërsa këta jetojnë, ndërsa flenë.
Sorollatja e pafund në ekranet e telefonëve nuk është një risi teknike dosido: është një mekanizëm i projektuar me inxhinieri të saktë për të zaptuar neuronet dhe për t’i mbajtur ato në një zgjim të përhershëm që e pengonë qetësinë, reflektimin dhe heshtjen. Njoftimet me sinjal në telefon shkaktojnë ankth dhe nuk janë një efekt anësor. Ato janë produkti, janë qëllimi. Mekanizmat e krahasimit social nuk janë një dëm i paparashikuar por janë vetë motori i biznesit. Një makinë e këtij lloji nuk prodhon varësi thjesht, padashje, por me dashje. E kështu, varësi të reja lindin në mënyrë të pashmangshme.
Kur një adoleshent mëson të përpunojë pikëllimin për një fatkeqësi që ka ndodhur, kur mat vlerën e kësaj gjëje përmes pëlqimeve, kur identiteti i të rinjëve ndërtohet në një algoritëm shpërblyes, kur të rinjtë zbulojnë dashurinë dhe trupin përmes sekuencave të imazheve të zgjedhura nga një makinë e projektuar për varësinë së tyre, ata nuk po përdorin thjesht një mjet artificial. Këta të rinj po bëhen, hap pas hapi dhe shpesh në mënyrë të pakthyeshme, një qenie përvoja e brendshme e së cilës formohet dhe zëvendësohet nga bota artificiale. A mund të quhet i lirë një person, dëshira e të cilit është kolonizuar, vëmendja e të cilit është shpronësuar, identiteti i të cilit është ndërtuar mbi një algoritëm të jashtëm? Në daç të flasim si duhet, mirë e drejtë, duhet të themi: «Jo!»
Megjithatë, zgjidhja që kanë gjetur qeveritë lind nga vetë kultura që ka krijuar problemin. Kur një qeveri kërkon që platformat të verifikojnë moshën e secilit përdorues, nuk po vendos vetëm një masë mbrojtëse, por po urdhëron ndërtimin e një infrastrukture të gjerë identifikimi që deri vonë ekzistonte vetëm në ëndrrat e shërbimeve sekrete. Zgjidhje artificiale për probleme artificiale!
Në këto ditë që i paraprijnë Ringjalljes së Krisht, duhet të bëjmë hapin që lajmet nuk arrijnë ta bëjnë, me fjalë tjera, nuk duhet të kundërshtojmë përfundimin, por të vëmë në dyshim zanafillën. Të mos vëmë në dyshim moshën në të cilën njerëzit hyjnë në mediat sociale, por të vëmë në dyshim se çfarë është bërë me shoqërinë që i krijoi ato. Ata që nuk veprojnë kështu shqetësohen për simptomat por jo për sëmundjen. Pyetja më e zymtë që ngrihet është, a mos po rrëshqasim në mënyrë të pashmangshme drejt një shoqërie artificiale? Dhe a ja vlen përnjëmend një shoqëri artificiale?
Kjo, mbajeni mend mirë, nuk është një temë që kufizohet vetëm te inteligjenca artificiale. Do të ishte shumë kollaj të drejtohej gishti nga algoritmi, të kufizohej problemi thjesht te makina dhe të flesh rehat. Inteligjenca artificiale është thjesht arritja më e fundit – më spektakolare, më e dukshme – e një prirjeje që ka kohë që lëvrin vazhdimisht te një botëkuptim që synon ndërtimin e një shoqërie që është jashtëzakonisht artificiale.
Ja kemi nisur duke artificializuar sistemet ekonomike, pastaj paratë, mallrat, produktet, punën, faktorët e prodhimit, nevojat, komunitetet, familjen, informacionin, demokracinë, politikën, njohuritë, marrëdhëniet, ndjenjat, pasionet, ideologjitë, të kaluarën, të tashmen, të ardhmen, njerëzit, shoqërinë. Me një fjalë gjithçka që është njerëzore, pa përmendur atë që është Hyjnore. Por një shoqëri artificiale nuk mund të prodhojë fryte ose të jetë e pëlleshme, sipas ontologjisë së saj, sepse ajo fillon dhe mbaron brenda vetes. Është një send amorf, jo një organizëm ku rreh zemra e jetës. Ajo e detyron çdo person të hyjë në vetmi. Si përfundim, një shoqëri artificiale është shterpë, brenda dhe jashtë vetes.
Kjo është pika që Java e Madhe vë në dukje me një dritë të pakrahasueshme, ndryshe nga çdo analizë sociologjike. Qytetërimi artificial është një qytetërim i varrezave. Qytetërimi artificial po ndërton forma të përsosura të jetës në dukje – institucione, tregje, ekrane, algoritme, identitete – që i ngjajnë jetës, e imitojnë atë, e simulojnë atë, por brenda të cilave nuk ka jetë. Është e nevojshme të dalësh jashtë nga ky varr artificial. Është e nevojshme të ringjallesh. Një shoqëri artificiale, në fakt, prodhon njerëz artificialë. Dhe njeriu artificial – dhe këtu është thelbi të cilit politika dhe sociologjia i shmangen pareshtur – është skllav.
Jo një skllav në kuptimin metaforik. Një skllav në kuptimin e përditësuar aristotelian: një njeri që nuk ka aftësi të gjykojë. Është dikush, liria e të cilit është bërë golle nëpërmjet zëvendësimit hap pas hapi të dëshirës së vërtetë me dëshirë të artificiale, të marrëdhënies me simulimin e saj, të së vërtetës me vërtetësi të optimizuar në mënyrë kompjuterike. Siç pati shkuar teologu Costantino Di Bruno, zëvendësimi i qëllimit natyror të njeriut me një qëllim artificial, do të thotë "vënia e të gjithë njerëzimit në një skllavëri nga e cila nuk ka çlirim".
Në këtë ferr artificial, Njeriu natyror është i humbur dhe i përhumbur, sepse nuk u pat krijuar për të qenë artificial, po u pat krijuar për të përmbushur natyrën e tij. Shoqëria artificiale e vret Njeriun. Duke ndërtuar shoqërinë artificiale, Njeriu ka deklaruar vdekjen e vetëvetes. Është një vetëvrasje e planifikuar, e heshtur, e ngadaltë dhe që duket se po gjen mjaft «pëlqyes».
Pyetja e vërtetë, pra, është: si t’i çlirojmë fëmijët (dhe njerëzimin në tërësi, ku fëmijët janë e tashmja dhe e ardhmja) nga tirania mbizotëruese dhe në rritje e shoqërisë artificiale në një epokë kur “zotërinjtë e botës” hartojnë dhe zbatojnë axhenda distopiane në mënyrë të drejtpërdrejtë? Zgjidhja nuk është thjesht ligjore. Nuk ka asgjë të keqe, në vetvete, që fëmijëve t’u ndalohet përdorimi i makinave të projektuara për të shkaktuar varësi, njësoj si droga. Përkundrazi, është e arsyeshme. Madje është edhe një detyrë. Por kushdo që njeh një adoleshent në këto në dhjetë vitet e fundit e di se një ndalim kur nuk dhuron një mendim alternativ është si një derë e mbyllur në një ndërtesë pa mure. Kështu që Njeriu endet rretheqark dhe në fund gjithmonë gjen një shteg. Dhe shpesh kjo rrugë e re të çon në vende më të errëta se ato nga të cilat kishte për qëllim të të mbronte.
Zgjidhja nuk është as sociologjike. Nuk mjafton të rikonceptohen situatat e jetës – familjet, shkollat, komunitetet. Programet e edukimit dixhital, aplikacionet e kontrollit prindëror, sistemet biometrike të vërtetimit të moshës: të gjitha janë të nevojshme por janë të pamjaftueshme. Është njëlloj si një antibiotik që lufton infeksionin, por nuk përtërin sistemin imunitar. Zgjidhja është ontologjike: ka të bëjë me atë që janë qeniet njerëzore, jo me atë që bëjnë ose çfarë konsumojnë. Ka të bëjë me pyetjen që çdo adoleshent, duke u përballur me jetën, e ka brenda vetes si një zjarr që digjet: kush jam unë? Pse ekzistoj? A ia vlen t’i duash të tjerët?
Ajnshtajni na kujtonte se " ndoshta realiteti është një iluzion, por shumë këmbëngulës", i cili nuk mund të anashkalohet. Kështu, lidhja e thellë midis inteligjencës dhe së vërtetës, midis realitetit dhe lirisë, kthehet rishtas. Njeriu artificial nuk është i lirë sepse nuk banon në këtë realitet, ai banon në një botë të simuluar. Dhe ata që janë banorë të një bote të rreme nuk mund të dashurojnë në mënyrë të vërtetë. Liria që shpall Ungjilli nuk është liria për të bërë çfarëdo gjëje që dëshiron, sepse pikërisht kjo është ideologjia me të cilën platformat e internetit kanë kolonizuar dëshirat e adoleshentëve. Ungjilli është liria për t'u bërë ajo që je: për të përmbushur plotësisht natyrën tënde
Pra, Pashkët, këtë vit, sjellin me vete një pyetje që nuk është thjesht liturgjike, por është qytetëruese. A jemi të gatshëm të dalim nga varri që kemi ndërtuar për veten tonë? A jemi të gatshëm të pranojmë se jeta artificiale – sado e organizuar në mënyrë të përshtatshme, e miratuar, e sofistikuar teknologjikisht – është një lloj vdekjeje? A jemi të gatshëm të dëshirojmë, edhe një herë, jetën e vërtetë?
Modeli i Mamonës, i idhujtarisë, nuk mund të luftohet me masa kundër Mamonës. Nuk luftohet duke ua ndaluar Mamonën fëmijëve nën gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe duke ua dhënë atë të rriturve, a thua se një kufi moshe i bënka qeniet njerëzore imune përballë zëvendësimit që i zbraz ata nga brenda. Modeli i Mamonës luftohet me Modelin e Krishtit.
Çdo gjë është e mirë, nëse përdoret mirë dhe për të mirën. Çështja nuk është teknologjia: është qëllimi. Nuk është mjeti: është e vërteta që drejton mjetin. Nuk është vegla: është personi që e përdorë atë dhe e di – ose nuk e di më – se kush është.
Bota po ndalon mediat sociale për adoleshentët. Është një hap. Është një hap që vjen vonë, tashmë pjesërisht i anashkaluar dhe që nuk shkon në rrënjë të çështjes. Por është një hap – dhe çdo hap në drejtimin e duhur meriton respekt, edhe kur nuk është i mjaftueshëm. Hapi tjetër është më i vështirë, më i gjatë, më i pakëndshëm. Nuk kërkon parlament apo një sistem verifikimi biometrik. Kërkon të rritur që kanë vendosur të dalin nga varri i jetës artificiale – dhe që janë të gatshëm t'u tregojnë fëmijëve të tyre se si bëhet kjo punë.
Nuk ka të bëjë me ndalimin.
Ka të bëjë me ringjalljen.
Drejt Jetës së Vërtetë.
Gëzuar Javën e Madhe!
Gëzuar Pashkët!
(Marrë nga: «Avvenire», 31 mars 2026)