Kinë-SHBA, përfundoi udhëtimi i Trump në Pekin
R.SH. - Vatikan
Stabiliteti strategjik konstruktiv: ky është përkufizimi i djeshëm pas takimit në Pekin të Presidentit Kinez Xi Jinping dhe homologut të tij amerikan, Donald Trump, për të "ofruar udhëzime strategjike gjatë tre viteve të ardhshme mbi marrëdhëniet dypalëshe kino-amerikane". Lajmin e dha agjencia shtetërore kineze Xinhua: është term, që sugjeron se si të kuptohet marrëdhënia ndërmjet dy superfuqive.
Kinë-SHBA, ekuilibri i nevojshëm
Së pari, duhet të kuptohet bazuar në një model të "dy fuqive të mëdha të barabarta", domethënë jo brenda një rendi hierarkik. Së dyti, mbiemri "konstruktiv" i jep dinamizëm të caktuar marrëdhënies, duke theksuar se nuk është stabilitet pasiv në të cilin të dyja palët testojnë thjesht vijat e kuqe të njëra-tjetrës. Përkundrazi, kjo do të thotë që të dyja palët duhet të angazhohen në mënyrë aktive në bashkëpunim, në vend që t`i kufizojnë zgjidhjet e krizave në mënyrë pasive.
Korniza e propozuar nga Xi përmban katër elementë që konfirmojnë këto dy linja interpretimi: "stabilitet pozitiv me bashkëpunimin si element themelor"; "stabilitet i shëndetshëm me konkurrencë të moderuar"; "stabilitet i vazhdueshëm me dallime të pranueshme"; dhe "stabilitet i qëndrueshëm me premtime paqeje". Renditja e termave është themelore: "bashkëpunimi si element kryesor" vjen i pari. Kjo do të thotë se Kina nuk po pohon se konkurrenca nuk ekziston. Në vend të kësaj, kërkon të përcaktojë paraprakisht kuptimin, fushëveprimin dhe ritmin e saj: konkurrenca është e lejueshme vetëm pasi të jetë e nënshtruar ndaj stabilitetit dhe e kufizuar nga moderimi.
Çështja tregtare dhe çështja e Hormuzit
Në frontin tregtar, Boeing dhe Cargill përfaqësojnë sektorët ku marrëveshjet kanë më shumë gjasa të përparojnë, sepse porositë e avionëve komercialë dhe blerjet bujqësore kanë qenë prej kohësh "fitoret e lehta" të ndërveprimeve të nivelit të lartë kino-amerikan. Megjithatë, në nivel ndërkombëtar, gjërat duken më komplekse. Duke filluar me çështjen iraniane. Dje, të dyja palët ranë dakord për rëndësinë e mbajtjes hapur të Ngushticës së Hormuzit. Sot, Kina përsëriti kërkesën për të rihapur Ngushticën dhe bëri thirrje për zgjidhje diplomatike të luftës. "Tani që dera e dialogut është hapur, ajo nuk duhet të mbyllet përsëri", pohoi sot Ministria e Jashtme kineze, duke shtuar se zgjidhja duhet "të ketë parasysh shqetësimet e të gjitha palëve lidhur me çështjen bërthamore iraniane". "Rrugët detare duhet të rihapen sa më shpejt të jetë e mundur", pohoi ministria, duke premtuar një propozim paqeje me katër pika. Trump deklaroi se si ai, e ashtu edhe Xi, dëshirojnë që lufta të mbarojë dhe Teherani të mos ketë armë bërthamore.
Asnjë marrëveshje për Tajvanin
Marrëdhëniet me Tajvanin mbeten gjithashtu komplekse. Xi e paralajmëroi Trumpin se çdo keqtrajtim i çështjes së Tajvanit mund të çojë në "një situatë jashtëzakonisht të rrezikshme", duke kujtuar një nga pikat e tensionit në atë që presidenti amerikan e quajti "ndoshta samiti më i mirë i të gjitha kohërave". "Ruajtja e paqes dhe e stabilitetit në Ngushticën e Tajvanit është terreni më i madh i përbashkët ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara", shtoi Xi. Gjithashtu në nivel rajonal, vlen të përmendet se ky është udhëtimi i parë që një president amerikan bëri në Kinë pa vizituar fillimisht një aleat, qoftë Japonia, Koreja e Jugut, Filipinet apo Australia.
Këtë mëngjes, duke lënë Pekinin në bordin e Air Force One, Trump pohoi se të dy udhëheqësit arritën "marrëveshje fantastike tregtare", pa dhënë hollësi."Kemi arritur mirëkuptime të rëndësishme të përbashkëta mbi ruajtjen e lidhjeve të qëndrueshme ekonomike dhe tregtare, zgjerimin e bashkëpunimit praktik në fusha të ndryshme dhe në përballimin e duhur të shqetësimeve të ndërsjella", tha Xi Jinping.