Kërko

Rusia dhe Bjellorusia zhvillojnë stërvitje bërthamore (ANSA) Rusia dhe Bjellorusia zhvillojnë stërvitje bërthamore (ANSA)

OKB, asnjë marrëveshje për rishikimin e traktatit të mospërhapjes bërthamore

Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT) mbetet gjithsesi në fuqi sepse që nga viti 1995 është shtyrë për një kohë të pacaktuar dhe nuk ka nevojë për rinovime periodike. Ajo që nuk u arrit dje është konsensusi politik mbi dokumentin përfundimtar të konferencës së rishikimit pesëvjeçar. I cili, më shumë se çdo gjë tjetër, pasqyron kaosin gjeopolitik të një bote pa pika referimi dhe të paaftë për ta kuptuar veten.

R.SH. / Vatikan

Konferenca e 11-të Shqyrtuese e Traktatit për Mos-përhapjen e Armëve Bërthamore u përmbyll të premten pa miratimin e një dokumenti përfundimtar, duke shpërfaqur, edhe një herë, ndarje të thella midis palëve të përfshira.

E zhvilluar nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara, konferenca bashkoi përfaqësues të Shteteve Palë për të vlerësuar zbatimin e Traktatit dhe për të kërkuar angazhime të përtëritura mbi mos-përhapjen, çarmatimin dhe përdorimin paqësor të energjisë bërthamore. Me gjithë javët e tëra të negociatave, delegatët nuk ishin në gjendje të arrinin një konsensus për një tekst të përbashkët.

Midis pikave kryesore të mosmarrëveshjes ishin shqetësimet lidhur me sigurinë rajonale, modernizimin e arsenaleve bërthamore dhe tensionet e vazhdueshme rreth objekteve bërthamore në zonat e prekur nga konfliktet e armatosura.

Disa delegacione shprehën zhgënjimin që konferenca dështoi të prodhonte një përgjigje të njësuar në një kohë kur jostabiliteti gjeopolitik vazhdon të rritet.

Traktati

Traktati për Mos-përhapjen e Armëve Bërthamore, i cili hyri në fuqi në vitin 1970, mbetet një nga gurët themeltarë të kornizës së çarmatimit ndërkombëtar. Objektivat e tij përfshijnë parandalimin e përhapjes së armëve bërthamore, promovimin e bashkëpunimit në përdorimin paqësor të energjisë bërthamore dhe çuarjen përpara të qëllimit për një çarmatim bërthamor të plotë.

Përgjatë gjithë konferencës, shumë pjesëmarrës ritheksuan urgjencën e kthimit të besimit midis kombeve dhe forcimin e dialogut shumëpalësh. Shqetësimet humanitare të lidhura me pasojat katastrofike të çdo përdorimi të armëve bërthamore u theksuan gjithashtu në mënyrë të përsëritur.

Papët dhe Selia e Shenjtë

Selia e Shenjtë ka bërë vazhdimisht thirrje për një çarmatim integral dhe për eliminimin e armëve bërthamore, duke pohuar se paqja nuk mund të bazohet mbi kërcënimin e shkatërrimit të ndërsjellë.

Duke kujtuar thirrjet e bëra nga Papa Leoni XIV, Papa Françesku dhe paraardhësit e tyre, vëzhguesit dhe delegacionet e Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara kanë nënvizuar vazhdimisht përgjegjësinë morale të komunitetit ndërkombëtar për të ndjekur dialogun, bashkëpunimin dhe një paqe autentike të bazuar mbi drejtësinë dhe vëllazërinë.

Edhe pse konferenca përfundoi pa marrëveshje, diplomatët vunë re se diskutimet pasqyruan një vetëdije të vazhdueshme për rreziqet e rënda që kanosen nga armët bërthamore dhe nevojën për të ruajtur kanalet e negociatave në një klimë ndërkombëtare gjithnjë e më të brishtë.

23 maj 2026, 12:09