Shenjtorët e javës 17 – 24 maj
R.SH. - Vatikan
E diel 17 maj, Kisha katolike kremton festën e të Ngjiturit të Jezu Krishtit në Qiell, që ndër shqiptarë njihet me emrin e të Shëlbuemit.
Liturgjia e festës të të Shëlbuemit na shkëput nga jeta e përditshme, për të na çuar në kundrimin e misterit të Krishtit të vdekur e të Ngjallur. Ky mister i fesë së krishterë e ka plotësimin e vet në të Ngjiturit “në qiell” të Jezu Krishtit, cili “ngjitet” duke bekuar dishepujt e duke premtuar dhuratën e Shpirtit Shenjt. Kjo festë kujton se trishtimi për kthimin e Krishtit tek Ati Qiellor, shndërrohet në gëzim, sepse Zoti na premton Ngushëlluesin. E është pikërisht Shpirti Shenjt Zot që do t’i bindë ata që nuk besojnë, për lumninë përfundimtare të Krishtit dhe për dënimin e tij të padrejtë me vdekje. Prandaj, me ndihmën e Shpirtit Shenjt ecim plot shpresë në kërkim të së vërtetës së plotë, që gjendet në Jezusin e në Atin Qiellor, lumturia e të cilit shkëlqen në mbarë universin, siç dëshmon kjo festë e të Shëlbuemit, në të dielën VII pas Pashkëve.
Të hënën më 18 maj, kalendari përkujton shën Gjonin I, papë e martir.
Të martën më 19 maj, kalendari përkujton shën Çelestinin V, papë, shën Urbanin I papë, shenjtorët Parteni e Kallugjeri, martirë, e shën Krispinin nga Viterbo, rregulltar kapuçin.
Të mërkurën më 20 maj, kalendari përkujton shën Bernardinin e Sienës, françeskan e Shën Aurën, martire nga Ostia afër Romës
Të enjten më 21 maj, kalendari përkujton shën Kristoforin Magalanes me shokët e tij meshtarë, martirë në Meksikë dhe Shën Eugjenin de Mazenod, ipeshkëv i Marsejës, themelues i Oblatëve të Marisë.
Të premten më 22 maj, kalendari përkujton shën Ritën nga Kasha, rregulltare agostiniane, pajtore qiellore e njerëzve të pashpresë, së cilës Zoti i dhuroi dijen e forcën e Kryqit dhe e shën Julien, virgjër e martire.
Të shtunën më 23 maj, kalendari përkujton shën Gjon Baptist de Rosi, meshtar romak.
Të dielën e ardhshme më 24 maj, Kisha katolike do të kremtojë Rrëshajët. Ky solemnitet na bënë ta përkujtojmë e ta rijetojmë ardhjen e Shpirtit Shenjt mbi Apostujt e dishepujt tjerë, mbledhur në lutjes me Virgjërën Mari në Çenakull. Kudo në botë jehon himni “Eja o Shpirt i Shenjtë” me të cilin Kisha lëvdon Atin Qiellor, sepse Krishti e mbajti premtimin dhe u dërgoi dishepujve të vet gurrën e pashtershme hyjnore, uji i së cilës i shoqëron për amshim. Pesëdhjetë ditë pas Pashkëve, solemniteti i Rrëshajëve është një nga festat më të lashta të krishterimit: është kremtim i kthimit të unitetit, dhuratë e Shpirtit Shenjt, pas pështjellimit të gjuhëve e të popujve në Babel. Kur flisnin, por nuk merreshin vesh! Është edhe dita e lindjes së Kishës dhe e jetës sonë në Krishtin. Ditë Shenjte, në të cilën populli i Zotit rigjen unitetin. Çka Shpirti Shenjt na bën ta kapërcejmë, nuk është larmia, e cila mund të jetë edhe pasuri, por përçarja