Kërko

Sulme izraelite pranë Kështjellës Beaufort në Liban Sulme izraelite pranë Kështjellës Beaufort në Liban

Libani: trashëgimia arkeologjike, kulturore dhe fetare e kërcënuar nga lufta

Nga Tiro te kështjella e Shamës (Chamaa), e deri te kështjella e Boforit (Beaufort): një udhëtim përgjatë vijës së frontit, ku lufta nuk godet vetëm jetë njerëzish dhe qytete. Arkeologët dhe kujdestarët e trashëgimisë dëshmojnë për çmimin më pak të dukshëm të konfliktit: humbjen e një kujtese që përshkon tremijë vjet histori.

Vatican News

Qyteti i lashtë „Tiro po përballet me kërcënime të paprecedenta”. Vështrimi i Samar Karam ndalet mbi qytetin e lashtë bregdetar të Libanit jugor – një nga qendrat më të mëdha urbane të qytetërimit fenikas, i themeluar me shumë gjasa në mijëvjeçarin e III para Krishtit – dhe lëndon. Sepse sytë e përgjegjëses për sitet arkeologjike dhe historike të Libanit verior pranë Ministrisë libaneze të Kulturës, nuk mund të mos shohin plagët e rënda që po i shkaktohen një prej zonave më të rëndësishme arkeologjike të Mesdheut, pjesë e pasurisë botërore të UNESCO-s.

Dëme të mëdha

"Që nga viti 2024, e veçanërisht që nga shkallëzimi i konfliktit izraelit në vitin 2026, komponentët arkeologjikë dhe urbanë të vendit u ekspozuan para bombardimeve të përsëritura në afërsi të menjëhershme. Këto sulme shkaktuan dëme të drejtpërdrejta e edhe të tërthorta, që kërcënojnë integritetin dhe autenticitetin e kësaj trashëgimie të jashtëzakonshme, e cila gjithashtu gëzon status të mbrojtjes së zgjeruar, sipas Konventës së Hagës të vitit 1954".

Karam, duke folur për mediat e Vatikanit, nuk mund të mos theksojë se ndërmjet dëmeve, për të cilat ajo ka dokumentim të gjerë, janë ato që u shkaktuan nga bombat në Al-Bass, porta lindore e Tirit të lashtë, vendosur në kontinent, në një distancë të shkurtër nga qendra moderne e qytetit. "Situata u keqësua më 7 qershor, kur zona u godit pothuajse drejtpërdrejt. Raketat shkaktuan dëme në afërsi të menjëhershme të vendit, të njohur si "Vendi i Qytetit". E patën pasoja të drejtpërdrejta në disa elementë arkeologjikë: kolonat dhe kapitelet romake u shqyen, kapitelet e tjera u shkatërruan, ndërsa panelet mozaike dhe gjetjet e ndryshme arkeologjike u shndërruan në thërrime.

Trashëgimia, në rrezik

Një figurë e fuqishme i ra në sy edhe Joanne Farchakh Bajjaly, arkeologe, gazetare dhe koordinatore e programit "Reagimi ndaj emergjencave kulturore" në Biladi, një OJQ që punon për të ruajtur, për të mbrojtur dhe për të promovuar trashëgiminë historike, kulturore dhe natyrore në Tokën e Kedrave. Ishte ai i një sulmi izraelit që e sulmoi Tirin me një forcë të tillë, sa shkaktoi dridhje të ngjashme me ato të një tërmeti: "Shpërthimi e flaku në ajër, madje e shpërtheu kurorën e një kolone në një kapelë. E bëri të fluturonte për dhjetëra metra dhe të binte përsëri në tokë në formë pluhuri". Farchakh Bajjaly e krahason sulmin kundër trashëgimisë artistike dhe kulturore - me vrasjen e një njeriu! "Pasi të shkatërrohet - shpjegon ajo - nuk ka asnjë mënyrë për ta rikthyer rishtas në jetë. E çdo përpjekje tjetër për ta bërë këtë, do të dukej artificiale".

Chamaa,vend i sulmuar

Rreth njëzet kilometra larg Tirit, dhimbja e arkeologes Karam ka të ngjarë të jetë shtuar. Në një kodër me pamje nga bregdeti i Mesdheut, ku për shekuj me radhë kryqtarët, mamlukët dhe osmanët kontrollonin fushën dhe detin, shtrihen mbetjet e fortesës Chamaa, pikë strategjike në kufirin me Izraelin. "Sulmet kanë qenë të shumta dhe të përsëritura, dëmet, të konsiderueshme. Më 12 prill të këtij viti, maquami i fortesës, shenjtërorja e saj dhe minarja u bënë rrafsh për tokë! Por edhe më shqetësues është fakti se vendi ndodhet në një zonë nën kontrollin e ushtrisë izraelite, gjë që pengon çdo vlerësim të pavarur të gjendjes së vërtetë të monumentit dhe çdo ndërhyrje emergjente për ruajtje ose stabilizim". E të mendosh se Kalaja Chamaa ka qenë prej kohësh në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe gëzon mbrojtje të shtuar. Por kjo nuk pati as pikën e suksesit!

Sulme të synuara

Kur Farchakh Bajjaly mendon për Chamaa-n, kujton se fshati ndodhet brenda mureve të çitadelës, ku ndodhet edhe një shenjtërore shumë e madhe kushtuar Shën Pjetrit, i njohur në arabisht si Shën Pjetri Simeon. "E kjo shenjtërore është një nga ato që në Liban ka funksion të dyfishtë fetar: një për myslimanët shiitë dhe sunitë, e një tjetër për të krishterët. Epo, kjo shenjtërore u zhduk plotësisht nga raketat". E kjo është arsyeja pse ajo shkon aq larg, sa të thotë se lufta e vazhdueshme, në fund të fundit, ka synuar qëllimisht trashëgiminë artistike dhe kulturore të Libanit. "Nuk është dëm kolateral. Pse? Sepse përveç vendeve arkeologjike, u sulmuan edhe monumentet historike të fshatrave, veçanërisht ato të fshatrave jugore. Po i shembin përdhe me buldozerë...".

Beaufort, dëme të panumërta

Kështjella Beaufort, e njohur më mirë me emrin e saj arab Qalaat al-Chaqif, ndodhet një orë larg me makinë nga Tiri. E ndërtuar nga kryqtarët në shekullin e 12-të, fortesa me pamje nga e gjithë lugina e lumit Litani, majin e kaluar u pushtua nga ushtarët izraelitë. Kreu i Ministrisë së Kulturës libaneze u shqetësua jo vetëm për dëmet e shumta që shkaktuan bombardimet, madje edhe në afërsi të vendit. "Kjo situatë - këmbëngul Karam - prek çështjen themelore të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në kohën e konfliktit të armatosur dhe të përmbushjes së detyrimeve sipas ligjit ndërkombëtar humanitar në lidhje me mallrat që përfitojnë nga mbrojtja e shtuar".

Kishat dhe Xhamitë e rrënuara

Konsideratë që vlen edhe për trashëgiminë islame e të krishterë. Nëse do t’i numëronim të gjitha Xhamitë dhe Kishat e shkatërruara ose të dëmtuara të shënuara nga Karam, faqe të tëra gazetash nuk do të ishin të mjaftueshme. Nga "Xhamia Nabi Shu'ayb, një nga Xhamitë më të lashta në rajonin Jabal Amel, tek tri Kishat historike që përfaqësojnë besimet maronite, ortodokse dhe katolike, të vendosura përkatësisht pranë Hotel Palmyra - muze i gjallë i Lindjes së Mesme të shekullit të 20-të - në al-Manshiyya dhe në hyrje të kompleksit Baalbek", pohon Karam, vetëm për të dhënë disa shembuj. Fatkeqësisht, të pjesshëm dhe të pamjaftueshëm!

27 qershor 2026, 12:59