Venezualë, makineria e ndihmave: ipeshkvijtë dhe Caritas-i në krah të të prekurve nga tërmeti
Vatican News
Në Venezuelë, bilanci shkatërrues i tërmetit rritet nga ora në orë; shifrat e të vdekurve të konfirmuar, të të plagosurve dhe, mbi të gjitha, të të pagjeturve paraqesin jnë një skenar të frikshëm, dhe ekziston një rrezik i lartë që makineria e ndihmave, e vënë menjëherë në lëvizje si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar, të rezultojë e pamjaftueshme përballë përmasave gjigante të nevojave.
Lutja e Caritas Venezuelës
Caritas-et dioqezane të zonave të goditura, që nga distrikti i kryeqytetit Karakas dhe ai i La Guaira-s e deri në shtetet Falcón, Carabobo, Yaracuy, Aragua, Miranda, Trujillo dhe Lara, po mbledhin informacione dhe po vlerësojnë dëmet, duke përditësuar Caritas-in kombëtar për të pasur një pasqyrë reale të nevojave të vendit. Nga ana e tij, Caritas Venezuela, në një shënim të shpërndarë në rrjetet sociale, shpreh afërsinë e tij me të prekurit nga fatkeqësia, duke u bashkuar «në lutje për vëllezërit dhe motrat e shumtë që kanë humbur jetën, shtëpinë dhe pasurinë e tyre në këto orë spove». Mendimi shkon në mënyrë të veçantë «për ata që, duke qenë se ishin të goditur nga varfëria, sot shohin t'u shumëfishohet vuajtja e tyre dhe e shohin të ardhmen me dëshpërim» në një kontekst të një krize humanitare të vazhdueshme, për të cilën OKB-ja, që përpara tërmetit, vlerësonte se të paktën 7.9 milionë njerëz kishin nevojë për ndihmë.
Prandaj, Caritas Venezuela fton «të gjithë venezuelanët, brenda dhe jashtë vendit, si dhe kompanitë dhe njerëzit e vullnetit të mirë, që të bashkohen me forcë dhe bujari» për të mbështetur rrjetin e solidaritetit të vënë në lëvizje. Kontributet, sipas asaj që njoftohet në komunikatë, janë të destinuara për të përmbushur nevojat e identifikuara nga ekipet teknike të ndërhyrjes në territorin kombëtar të Venezuelës. Për më tepër, është hapur një qendër kombëtare grumbullimi në selinë e Konferencës Ipeshkvnore të Kishës katolike të Venezuelës në Karakas dhe pika të tjera po ngrihen në dioqezat e mbarë vendit. Tashmë kanë nisur nismat për shpërndarjen e ujit të pijshëm, ushqimeve që nuk prishen, barnave esenciale dhe mallrave të tjera të nevojës së parë. Po ashtu, ritheksohet rëndësia e një përgjigjeje të koordinuar dhe të përgjegjshme për të garantuar ndërhyrje efikase në zonat e prekura.
Afërsia e Celam-it
Afërsi shpirtërore, solidaritet vëllazëror dhe bashkësi kishtare për Konferencën Ipeshkvnore të Venezuelës dhe për mbarë popullin venezuelan «në këto çaste spove» shprehen gjithashtu edhe nga Këshilli Ipeshkvnor i Amerikës Latine dhe i Karaibeve (Celam). Në një deklaratë, presidenca e organizmit kishtar i lutet «Zotit të Jetës që të mbrojë ata që janë prekur, të kalitë familjet që po vuajnë pasojat» e tërmetit dhe të mbështesë ata që «veprojnë me bujari në operacionet e shpëtimit, asistencës dhe shoqërimit». Njëkohësisht, kërkohet «urtësi dhe forcë» për autoritetet civile dhe organizmat e emergjencës «që i shërbejnë me përkushtim të mirës së përbashkët». Një «përqafim vëllazëror» shkon pastaj për komunitetet venezuelane që jetojnë larg atdheut të tyre dhe që ndjekin «me shqetësim» situatën e të afërmve të tyre: «Le të gjejnë në solidaritetin e Kishës ngushëllimin dhe shpresën që buron nga Ungjilli».
Kontributi i Kishave
Nga Brazili në Kubë, Kisha e Amerikës Latine bashkohet me dhimbjen e popullit venezuelan, me ipeshkvijtë që lartësojnë lutje për viktimat, inkurajojnë ndihmat humanitare dhe shprehin mbështetjen e tyre për Kishën lokale që shoqëron komunitetet e goditura. Edhe episkopati i Kolumbisë bashkohet «përmes lutjes, me ndjenja dhimbjeje të thellë dhe me shpirt bashkësie kishtare» me ata që po përballen me këtë sprovë të vështirë. Rrejti i Caritas-it është mobilizuar tashmë, madje edhe përtej oqeanit.