Më 14 korrik kalendari kujton Shën Kamilin de Lelis, meshtar
Vatican News
Më 14 korrik, kalendari kishtar përkujton Shën Kamilin de Lelis, meshtar dhe themeluesin e Shërbëtorëve të të Sëmurëve, të njohur në mbarë botën si Kamilianët.
Jeta e tij është një dëshmi e jashtëzakonshme dashurie, mëshire dhe përkushtimi ndaj atyre që vuajnë. Motoja që udhëhoqi gjithë ekzistencën e tij ishte: “T’u shërbesh të varfërve, do të thotë t’i shërbesh vetë Krishtit”. Jeta e tij është një jetë e kushtuar shërbimit ndaj të sëmurëve dhe të varfërve.
Shën Kamili i shihte të sëmurët dhe të varfërit jo thjesht si njerëz në nevojë, por si një prani të gjallë të Krishtit. Ai u shërbente me një butësi të jashtëzakonshme, me dashuri atërore dhe me një ndjeshmëri të thellë shpirtërore. Shpesh, ndërsa kujdesej për të sëmurët, i mbusheshin sytë me lot, sepse e kuptonte se në çdo njeri që vuante po i shërbente vetë Zotit. Pikërisht kjo përvojë u bë themeli i karizmës së Kamilianëve, të cilët edhe sot vazhdojnë misionin e tyre në shumë vende të botës, përfshirë edhe Shqipërinë, veçanërisht në shërbimin ndaj të sëmurëve në spitale.
Kamili lindi më 25 maj 1550 në Bucianico, pranë Kietit në Itali, në një familje fisnike. Megjithatë, vitet e para të jetës së tij nuk ndoqën një rrugë të qetë. Duke mos vazhduar studimet, ai u bë ushtar mercenar dhe luftoi fillimisht për Spanjën e më pas për Venedikun. Jeta ushtarake dhe pasioni për lojërat e fatit e çuan drejt humbjes së pasurisë dhe të çdo sigurie materiale. Për më tepër, një plagë në këmbë e detyroi të shtrohej në spitalin e Shën Jakobit të të Pashëruarve në Romë, ku përvoja me të sëmurët do të ndryshonte përgjithmonë jetën e tij.
Pas shërimit, ai u kthye përsëri në jetën ushtarake, por pa gjetur qetësi shpirtërore. Pasi mbeti përsëri pa asgjë, në Pulja të Italisë u vu në shërbim të etërve kapuçinë në Manfredonia. Pikërisht aty filloi një kthesë e thellë në jetën e tij: ai u kthye te Zoti dhe vendosi t’ia kushtonte jetën Krishtit dhe shërbimit ndaj njerëzve.
Kamili dëshironte të hynte në Urdhrin e Kapuçinëve, por problemi i vjetër i plagës në këmbë u shfaq përsëri dhe e detyroi të kthehej në Romë, në spitalin e Shën Jakobit. Aty ai filloi të kujdesej me dashuri të veçantë për të sëmurët, duke kuptuar se ky ishte misioni që Zoti i kishte besuar.
I frymëzuar nga Krishti i Kryqëzuar, ai rifilloi studimet në Kolegjin Romak dhe, pasi u shugurua meshtar, së bashku me disa bashkëpunëtorë themeloi “Shoqërinë e Mbarështuesve të të Sëmurëve”. Kjo shoqëri u njoh më vonë si Kongregata e Kamilianëve dhe u përhap në mbarë botën, duke sjellë kujdes shëndetësor dhe mbështetje shpirtërore për të sëmurët.
Në vitin 1591, Papa e njohu zyrtarisht këtë kongregatë. Shën Kamili vdiq në Romë më 14 korrik 1614, por vepra e tij vazhdoi të rritej dhe të përhapej, duke dëshmuar se dashuria ndaj të sëmurit është një mënyrë konkrete për të takuar Krishtin.
Një nga lutjet më të dashura të Shën Kamilit ishte: “Do të doja një zemër të madhe sa vetë bota, një zemër që të përfshijë të gjithë njerëzit". Kjo lutje përmbledh gjithë shpirtin e tij: një zemër e hapur për çdo vuajtje njerëzore dhe një jetë e dhënë tërësisht për shërbimin ndaj të tjerëve.
Për shkak të këtij përkushtimi të jashtëzakonshëm ndaj të sëmurëve dhe kujdesit shëndetësor, më 27 mars 1974, Papa Pali VI e shpalli Shën Kamilin de Lelis pajtor të veçantë të shërbimit shëndetësor të ushtrisë. Sot ai mbetet një model i mëshirës së krishterë dhe një shembull për të gjithë ata që zgjedhin ta shërbejnë njeriun në momentet më të vështira të jetës së tij.