Apostulli i lirisë, At Pjetër Meshkalla, në përvjetorin e kalimit në amshim
Vatican News
Në përvjetorin e vdekjes së jezuitit shqiptar At Pjetër Meshkallës, më 28 korrik, kujtojmë një nga figurat më të mëdha të Kishës Katolike dhe të kulturës shqiptare, jezuitin që e jetoi meshtarinë si shërbim ndaj Zotit, njeriut dhe lirisë. Jeta e tij, e shtrirë nga 26 shtatori 1901 deri më 28 korrik 1988, mbetet një dëshmi e jashtëzakonshme e fesë, guximit dhe qëndresës përballë një prej periudhave më të errëta të historisë shqiptare, asaj të diktaturës komuniste.
I lindur në Shkodër, At Meshkalla u formua në Seminarin Papnor në Shkodër dhe vijoi studimet në Austri, Slloveni e Itali, për t’u shuguruar meshtar në vitin 1931. Që në vitet e para të meshtarisë, ai iu përkushtua edukimit të rinisë, duke themeluar qendra formimi në Tiranë dhe duke punuar pa u lodhur për të përhapur Ungjillin, kulturën dhe vlerat njerëzore. Rrëfyestorja ishte vendi ku At Pjetër Meshkalla priste me dashuri çdo njeri, duke i udhëhequr besimtarët drejt pajtimit me Zotin.
Veprimtaria e tij nuk u kufizua vetëm në jetën baritore. Përmes shkrimeve në shtypin e kohës dhe fjalës së lirë, At Pjetër Meshkalla mbrojti me vendosmëri fenë, dinjitetin e njeriut dhe të drejtat themelore, edhe kur kjo nënkuptonte përballjen me regjimin komunist. Arrestimet, burgimet dhe kampet e punës nuk e thyen shpirtin e tij. Përkundrazi, në qelitë e errëta ai u bë shpresë për bashkëvuajtësit, aq sa shumë e quajtën “Engjëlli i birucave”.
I burgosur dy herë nga regjimi komunist, At Meshkalla mbeti gjithmonë i lirë në ndërgjegje. Përballë persekutorëve të tij ai shqiptoi fjalë që u bënë simbol i rezistencës shpirtërore: “Ju mund të më dënoni sa të doni, por unë prapë do të jem i lirë”. Me të njëjtën largpamësi ai paratha se do të vinte dita kur kishat dhe kambanoret do të ngriheshin përsëri dhe Shqipëria do të rifitonte lirinë.
Një vend të veçantë në jetën e tij zinte besimi i palëkundur te Zoti dhe te Zoja e Bekuar. Vetë dëshmonte se, në çastet më të vështira të hetuesisë, iu lut Zojës së Papërlyer për forcë dhe mbrojtje, duke e konsideruar atë mbështetjen që e ndihmoi të përballonte vuajtjet pa u dorëzuar.
Ndër mesazhet më të fuqishme që na ka lënë është krahasimi i brezave me gurët që hidhen në lumë për të ndërtuar një urë: disa zhduken nën ujë, por mbi sakrificën e tyre bëhet i mundur kalimi i të tjerëve. Me këtë figurë ai shprehte bindjen se sakrifica e një brezi bëhet themeli mbi të cilin ndërtohet liria dhe e ardhmja e kombit.
At Pjetër Meshkalla mbetet simbol i Kishës së martirizuar shqiptare, i inteligjencës së përndjekur dhe i dashurisë së pakushtëzuar për atdheun. Jeta e tij dëshmon se besimi nuk mund të burgoset dhe se liria e vërtetë lind nga e vërteta, drejtësia dhe ndërgjegjja. Prandaj, edhe sot ai vazhdon të frymëzojë brezat si apostull i lirisë, mbrojtës i dinjitetit njerëzor dhe dëshmitar i patrembur i Krishtit.