Kërko

Më 18 korrik kalendari kishtar kujton Shën Federikun e Utrehtit

Paganizmi nuk është zhdukur; ai thjesht është shndërruar, duke mbijetuar ndër shekuj dhe duke u çliruar nga format e riteve të lashta për t'u kthyer në një mënyrë jetese, një mënyrë të menduari dhe të konceptuari të botës, të bazuar në logjikën e shkëmbimit të favoreve, e cila ushqen marrëdhënie varësie dhe skllavërie. Pikërisht për këtë arsye, dëshmitarë të lashtë të fesë si Shën Frederiku, të cilët u përballën me paganizmin në shfaqjet e tij më të dukshme dhe më të dhunshme, janë mësues për ne

Vatican News

Më 18 korrik kalendari kishtar pёrkujton Shën Federikun e Utrehtit, ipeshkëv ungjillëzues, zë e thumbues i pakëndshëm për të fuqishmit dhe për ata që përfitojnë nga pozita e tyre për të mbrojtur vetëm interesat personale.

Kështu forca e Ungjillit na çliron nga logjikat poshtëruese të paganizmit

Paganizmi nuk është zhdukur; ai thjesht është shndërruar, duke mbijetuar ndër shekuj dhe duke u çliruar nga format e riteve të lashta për t'u kthyer në një mënyrë jetese, një mënyrë të menduari dhe të konceptuari të botës, të bazuar në logjikën e shkëmbimit të favoreve, e cila ushqen marrëdhënie varësie dhe skllavërie. Pikërisht për këtë arsye, dëshmitarë të lashtë të fesë si Shën Frederiku i Utrehtit, të cilët u përballën me paganizmin në shfaqjet e tij më të dukshme dhe më të dhunshme, vazhdojnë edhe sot të jenë mësues për ne.

Edhe pse shumë hollësi të jetës së këtij ipeshkvi të shenjtë janë humbur në rrjedhën e kohës, disa fakte mbeten të qarta dhe nxjerrin në pah dy tipare themelore të misionit të tij: angazhimin për të mbrojtur fenë përballë përhapjes së paganizmit dhe guximin për të denoncuar abuzimet dhe mospërputhjet morale të njerëzve të pushtetshëm. Kaq mjafton për të na kujtuar se kujdesi për të vërtetën dhe guximi për ta ndryshuar botën duhet të jenë ndër përparësitë e çdo të krishteri.

Frederiku lindi, me shumë gjasa, rreth vitit 781. Si meshtar, ai u përkushtua në formimin e katekumenëve, përpara se të zgjidhej ipeshkëv i Utrehtit, ndërmjet viteve 825 dhe 828, duke pasuar ipeshkvin Rikfred. Emërimi i tij mund të ketë ardhur edhe falë mbështetjes së perandorit Lotar.

Si ipeshkëv, Frederiku punoi me zell për ungjillëzimin e frisëve dhe shërbeu gjithashtu si këshilltar i perandorit Ludoviku i Përshpirtshëm. Sipas një tradite, ishte pikërisht bashkëshortja e perandorit ajo që urdhëroi vrasjen e Frederikut, pasi ai kishte dënuar sjelljen dhe zakonet e saj. Sipas një versioni tjetër, ipeshkvi u vra në vitin 838 nga një fisnik i ishullit Walcheren.

I varrosur në kriptën e Kishës së Shëlbuesit në Utreht, nisi të nderohej si martir në krahina të ndryshme të Vendeve të Ulta dhe në Fuldë të Gjermanisë. Më 1362 kafka e shenjtit, e ndarë nga trupi prej ipeshkvit të Folkertit, u mbyll në një relikuiar ari e argjendi dhe u ekspozua për t’u nderuar nga besimtarët. Gjatë reformës u fsheh në një shtëpi private ku, sipas bolandistit Sipers, ruhej akoma në fillim të shekullit XVIII. Pjesa tjetër e trupit u zhduk pa gjurmë. Festa e Federikut u vendos në Martiriologun Romak më 18 korrik.

Jeta dhe martirizimi i Shën Frederikut mbeten një dëshmi e guximit për të shpallur të vërtetën e Ungjillit, edhe kur kjo kërkon përballjen me padrejtësinë dhe pushtetin. Ai kujtohet si një bari besnik që nuk hezitoi të mbrojë fenë dhe moralin e krishterë, duke paguar me jetën besnikërinë ndaj misionit të tij.

 

 

18 korrik 2026, 09:50