Më 23 korrik kalendari kujton shën Brigjidën e Suedisë
Vatican News
Më 23 korrik, Kisha katolike përkujton Shën Brigjidën e Suedisë, Bashkëpajtoren qiellore të Europës. Një figurë poliedrike – grua e nënë shembullore, fisnike me zemër të hapur ndaj të varfërve dhe mistike e thellë e Mundimeve të Krishtit – Shën Brigjida mbetet edhe sot një dëshmi e gjallë e fuqisë me të cilën besimi i krishterë ka brumosur historinë dhe kulturën e të gjithë popujve të kontinentit tonë.
Nga fisnikëria skandinave te jeta asketike
E lindur në qershor të vitit 1302 në Finstad të Suedisë, Brigjida rrodhi nga një familje fisnike me tradita të forta të krishtera. I ati, Birgen Person, ishte guvernator dhe autor i ligjeve të para të frymëzuara nga Ungjilli në mbretërinë suedeze. E martuar në moshë mjaft të re, ajo jetoi me përkushtim detyrën e bashkëshortes dhe rriti tetë fëmijë. Megjithatë, pas vdekjes së të shoqit, jeta e saj mori një kthesë rrënjësore drejt asketizmit dhe përkushtimit të plotë ndaj Hyjit.
Në vitin jubilar 1350, Brigjida ndërmori një shtegtim drejt Romës, nga ku nuk u kthye më kurrë në atdhe. Gjatë kësaj periudhe, ajo hodhi themelet e Urdhrit të Shpëtimtarit Më të Shenjtë (i njohur gjerësisht si Urdhri i Motrave Brigjidine). Ajo ndërroi jetë në Romë më 23 korrik 1373, duke lënë pas një trashëgimi të paçmueshme shpirtërore.
"E dashura ime është i Kryqëzuari"
Motua që udhëhoqi tërë ekzistencën e saj ishte shprehja e hershme "Amor Meus Crucifixus est" (Dashuria ime është i Kryqëzuari). Karizma e Sgën Brigjidës bazohej në lavdërimin e përhershëm të Zotit, flijimin e vetvetes për shpërblimin e mëkateve të njerëzimit dhe angazhimin e palodhur për bashkimin e Kishës.
Ajo zotëronte dhuntinë e rrallë për t'i bërë të vërtetat e mëdha të fesë të kapshme për çdo njeri. Përmes një gjuhe prekëse, të pasur me figura që ndiznin imagjinatën dhe hapnin horizontet e amshimit, Brigjida u fliste drejtpërdrejt zemrave të popullit.
Një trashëgimi që flet edhe sot
Papët e epokës sonë kanë vënë shpesh në dukje aktualitetin e figurës së saj:
Papa Gjon Pali II e kujtoi atë si një “specialiste të shpirtit”, duke i ftuar pasueset e saj të jenë ndërtuese të palodhura të ekumenizmit të shenjtërisë.
Papa Benedikti XVI nënvizoi rrugëtimin e saj nga Suedia në Romë e deri në Tokën e Shenjtë, duke e cilësuar si një thirrje për njerëzimin e sotëm që të gjejë paqen e vërtetë pikërisht në ato troje të shenjta.
Sot, Urdhri i Motrave Brigjidine numëron rreth 600 motra rregulltare të shpërndara në 45 bashkësi në mbarë botën. Veprimtaria e tyre ekumenike ka një rëndësi të jashtëzakonshme, veçanërisht në vendet e Europës Veriore ku komuniteti katolik është në pakicë dhe ku dialogu ndërfetar mbetet një urë jetike bashkëjetese. Shën Brigjida vazhdon t'u tregojë grave të sotme se si ta çojnë dashurinë e Krishtit në çdo skaj të shoqërisë.