Më 7 korrik kalendari kujton Shën Pantenin e Aleksandrisë
Vatican News
Më 7 korrik Kisha katolike kremton përkujton Shën Pantenin, një figurë kyçe në historinë e krishterimit të hershëm e shekullit II dhe themelues i shkollës së famshme katekistike të Aleksandrisë (Didaskaleion). Pavarësisht mungesës së burimeve parësore, figura e tij rrethohet nga një dritë misteri dhe admirimi, çka e bën atë një nga personazhet më magjepsës të shekullit II.
Nga filozofia te krishterimi
I lindur në Siçili, Panteni fillimisht ishte një filozof i shkollës stoike, i zhytur thellë në kulturën greke. Konvertimi i tij në krishterim, që ndodhi në moshë të rritur, shënoi një pikë kthese në jetën e tij dhe e çoi drejt një rishqyrtimi rrënjësor të dijeve të veta.
Shkolla katekistike e Aleksandrisë
Rreth vitit 180, Panteni themeloi në Aleksandri një shkollë katekizistike, e destinuar për t'u bërë një nga qendrat më të rëndësishme të shtjellimit teologjik të krishterimit. Këtu, ai iu dedikua mësimdhënies së fesë së krishterë, duke u përpjekur të pajtonte doktrinën e krishterë me filozofinë greke. Qëllimi i tij ishte ta bënte mesazhin ungjillor të kapshëm për qarqet intelektuale të kohës së tij, duke ofruar një përgjigje racionale ndaj pyetjeve ekzistenciale të njeriut.
Në vitin 180, Panteni themeloi, në Aleksandri të Egjiptit, shkollën e famshme katekizistike dhe teologjike, ku mësoi se si të pajtohej besimi i krishterë me filozofinë greke, që u bë e njohur si Didaskaleion. Përmes bashkëpunimit me dishepujt e tij – Klementin e Aleksandrisë (i cili e quante "bleta siçiliane"), Origjenin dhe Aleksandrin e Jeruzalemit – Panteni i dha formë dogmatikës së krishterë, duke e zbërthyer Regula fidei (rregullin e besimit) përmes logjikës filozofike.
Figura e tij është e mbështjellë me një petk misteri, i lidhur me legjendën e udhëtimit të tij misionar në Indi. Mësues i Klementit të Aleksandrisë, Panteni konsiderohet një shembull i sinkretizmit kulturor, duke dëshmuar aftësinë për të ndërthurur formimin e tij filozofik me besimin e krishterë.
Misionar në Lindje
Një nga legjendat më magjepsëse të lidhura me Shën Pantenin ka të bëjë me udhëtimin e tij misionar në Indi. Sipas traditës, peshkopi Demetër i Aleksandrisë e dërgoi atë në Lindje për të përhapur Ungjillin. Gjatë këtij udhëtimi, Panteni thuhet se zbuloi një kopje të Ungjijve në gjuhën hebraike, një gjetje që zgjoi entuziazëm të madh në mjedisin e krishterë.
Mësues shpirtëror
Ndër dishepujt më të shquar të Pantenit ishte Klementi i Aleksandrisë, i cili më vonë u bë edhe vetë drejtues i shkollës katekizistike. Klementi trashëgoi nga mësuesi i tij pasionin për harmoninë midis besimit dhe arsyes, dhe e çoi më tej veprën e tij të thellimit teologjik.
Figura e Shën Pantenit përfaqëson një shembull të jashtëzakonshëm të sinkretizmit kulturor. Ai arriti të ndërthurte formimin e tij filozofik me fenë e krishterë, duke krijuar një sintezë origjinale dhe frytdhënëse. Mendimi i tij ushtroi një ndikim të thellë në teologjinë e krishterë të shekujve pasardhës, dhe shkolla e tij e Aleksandrisë u bë një model për institucionet e ardhshme arsimore të Kishës.