Kërko

Ndotja nga lëndët djegëse fosile Ndotja nga lëndët djegëse fosile

Organizatat e krishtera kërkojnë nga Evropa tranzicion të drejtë energjetik

Me rastin e semestrit të Presidencës irlandeze të Këshillit të Bashkimit Evropian, mbi 170 organizata fetare, që përfaqësojnë 33 milionë qytetarë evropianë, po nisin një thirrje zyrtare, duke kërkuar heqjen graduale të lëndëve djegëse fosile, taksë e përhershme mbi fitimet e tepërta të kompanive të naftës dhe financim strukturor i tranzicionit në buxhetin e BE-së.

Vatican News

Gjithka lindi nga një moratorium i vitit 1997 mbi të gjitha eksplorimet e reja të lëndëve djegëse fosile. Kërkesa u paraqit nga një grup organizatash joqeveritare (OJQ) në Samitin e Klimës, në Kioto. "Djegia e naftës, gazit dhe e qymyrit - shkruhej në dokument - është shkaku kryesor njerëzor i ndryshimeve klimatike. Në moratorium dhe në të gjitha format e subvencioneve për nxjerrjen e lëndëve djegëse fosile, duhet të marrin fund".

Në tekst kërkohet edhe vlerësimi i të gjitha projektet aktuale e të ardhshme të energjisë, të jenë "në konsultim me komunitetet më të prekura, në mënyrë që të respektohet e drejta e tyre për t'i bllokuar”, vlerësimi i borxhit ekologjik, që ka të bëjë me ndikimin e lëndëve djegëse fosile e të përfshihet në negociatat për klimën. Caktohej edhe një detyrim për përgjegjësit e riparimit të zonave të prekura nga eksplorimi i naftës, gazit dhe qymyrit. Së fundmi, OJQ-të u bënë thirrje qeverive të përdorin fonde publike për burime të pastra dhe të rinovueshme të energjisë, që do t'u shërbenin më shumë se 2 miliardë njerëzve pa energji të mjaftueshme.

Konferenca e parë ndërkombëtare

Kaluan më pak se tridhjetë vjet që nga ai moratorium dhe, më 24 prill, qyteti kolumbian i Shën Martës priti Konferencën e parë ndërkombëtare për tranzicionin nga lëndët djegëse fosile, organizuar nga Kolumbia dhe Holanda. Takimi iu përgjigj nevojës së përbashkët për të bërë përparim aty ku samite të tjera, të tilla si Konferencat e ndryshme të OKB-së për Klimën, ngecën. Konferenca pasoi COP 30 në Belém nëntorin e kaluar, takim që përfundoi pa ndonjë referencë të qartë për "kalimin" ose heqjen graduale të lëndëve djegëse fosile, në vend të së cilës ishte rezultati historik i COP 28, në Dubai.

Rezultatet e Shën Martës

Shën Marta ishte një forum diskutimi, gjatë të cilit u vendos të organizohej një konferencë e dytë në vitin 2027, me Tuvalun dhe Irlandën si bashkëorganizatorë. U krijua një grup koordinimi, i përbërë nga vendet kryesore të aleancave të ndryshme dhe bashkëorganizatorët e të dy konferencave, në bashkëpunim me Grupin e Aktivizimit COP30. Me këtë rast, u njoftua Paneli Shkencor për Tranzicionin Global të Energjisë (SPGET), i hartuar për të ndihmuar vendet t’i kapërcejnë pengesat ligjore, financiare dhe politike për kalimin drejt objektivit 1.5°C.

Thirrja e organizatave fetare

Ndërmjet krizave të çmimeve dhe tensioneve në Lindjen e Mesme, që  nxorën në pah rreziqet e varësisë nga energjia, dhe duke pasur parasysh se shumë kombe varen nga lëndët djegëse fosile për 75-90% të përzierjes së tyre të energjisë, më shumë se 170 organizata fetare, që përfaqësojnë mbi 33 milionë evropianë, nisën një thirrje drejtuar BE-së, duke shënuar fillimin e Presidencës Irlandeze të Këshillit të BE-së, për t'i quajtur përgjegjës ndotësit e mëdhenj dhe për të udhëhequr një tranzicion të drejtë e të shpejtë larg lëndëve djegëse fosile. Iniciativa, e quajtur "Evropë, ji besnike ndaj shtëpisë sonë të përbashkët", bashkon një koalicion të gjerë ndërpartiak nga të gjitha komunitetet katolike dhe të krishtera të Evropës: nga Aleanca evropiane, deri tek  Organizatat e Grave Katolike (Andante) e   te Komiteti qendror i katolikëve gjermanë (ZdK), duke përfshirë Lëvizjen Laudato Si', Caritas Europa, CIDSE, JESC, Drejtësi dhe Paqe Evropë, Pax Christi International, Konferencën Ndërkombëtare të Skautëve Katolikë, Trócaire, Christian Aid Ireland, ACLI, Catholic Action dhe Focsiv.

Kërkesat

Koalicioni kërkon katër veprime të menjëhershme përpara hapjes së negociatave mbi Kornizën e re financiare shumëvjeçare: zhdukjen graduale, të shpejtë dhe të drejtë, të lëndëve djegëse fosile; një taksë të përhershme mbi fitimet e tepërta të kompanive të naftës dhe gazit për të financuar tranzicionin energjetik; investime masive në energji të pastër, efikasitet energjetik dhe elektrifikim, duke respektuar të drejtat e popujve indigjenë dhe komuniteteve lokale; përfshirje strukturore e financimit të klimës në buxhetin e BE-së.

Të dhëna alarmuese

Thirrja shoqërohet me shifra alarmante. Sipas organizatave, gjashtë kompanitë më të mëdha evropiane të naftës dhe gazit raportuan së bashku fitime prej 22 miliardë dollarësh vetëm në tremujorin e parë të vitit 2026, shifra më e lartë tremujore që nga viti 2022. Një studim i Global Witness vlerëson gjithashtu se emetimet nga prodhimi i kompanive të naftës të BE-së që nga Marrëveshja e Parisit, do të shkaktojnë afërsisht 1.5 trilion dollarë dëme klimatike në nivel global.

Lorna Gold, drejtoreshë ekzekutive e Lëvizjes Laudato Si', i lidhi këto të dhëna me valët e nxehtësisë që tashmë prekin Evropën, duke theksuar se problemi është i destinuar të keqësohet nëse lihet i pakontrolluar, ndërsa vuri në dukje gjithashtu se zgjidhjet ekzistojnë nëse politikanët zgjedhin rrugën e guximit dhe të së mirës së përbashkët. Ky mobilizim nuk është i izoluar. Është pjesë e një reflektimi më të gjerë teologjik katolik, të zhvilluar në mbështetje të një iniciative ndërkombëtare të njohur, si Traktati mbi Lëndët Djegëse Fosile (TCF), projekt i mbështetur gjithashtu nga Lëvizja Laudato Si', CAFOD (Agjencia Katolike për Zhvillim Jashtë Vendit), CIDSE (Bashkëpunimi Ndërkombëtar për Zhvillim dhe Solidaritet), Caritas Internationalis dhe Jezuitët.

06 korrik 2026, 12:24