Plagët e Kishës në Venezuelën e goditur nga tërmeti
Vatican News
Ndërsa numri i viktimave nga tërmeti shkatërrues në Venezuelë ka arritur në 2.645 të vdekur dhe afro 12.000 të plagosur, Kisha Katolike po përpiqet të vlerësojë dëmet e mëdha që kanë pësuar Kishat, institucionet dhe bashkësitë e saj.
Imzot José Luis Azuaje Ayala, kryeipeshkëv i Marakaibos dhe president i Caritas Venezuela, bëri të ditur se vetëm në kryedioqezën e Karakasit të paktën 25 Kisha janë dëmtuar, ndërsa shumë prej tyre do të duhet të shemben. Në shtetin La Guaira, epiqendra e tërmetit, dëmet janë edhe më të rënda: janë shkatërruar jo vetëm Kisha, por edhe lagje të tëra, duke shpërndarë bashkësitë famullitare. Edhe seminari i qytetit, me një histori 50-vjeçare, ka pësuar dëme të rënda.
Situata humanitare është dramatike. Spitalet janë të mbingarkuara, morgjet nuk kanë më kapacitet dhe, sipas imzot Azuaje, trupat e pajetë po vendosen përkohësisht në oborrin e portit, gjë që rrit frikën për shpërthimin e epidemive për shkak të temperaturave të larta.
Edhe numri i të pastrehëve po rritet vazhdimisht. Vlerësohet se rreth 16.000 persona kanë mbetur pa shtëpi, ndërsa 28.000 të tjerë jetojnë në ndërtesa të pabanueshme. Pas fazës së parë të emergjencës, autoritetet dhe organizatat humanitare do të regjistrojnë të gjithë të zhvendosurit, me synimin që ata të mos qëndrojnë për një kohë të gjatë në kampet e pritjes.
Në këtë situatë të rëndë, Kisha Katolike në Venezuelë, përmes Caritas, po u ofron të mbijetuarve ushqim, ujë, ndihmë psikologjike dhe mbështetje shpirtërore. Vëmendje e veçantë po u kushtohet fëmijëve dhe nënave të vetme, të cilat ndihen të braktisura dhe pa siguri për të ardhmen. "Kisha është pranë tyre, për t'u dhënë shpresë dhe për t'i shoqëruar në këtë kohë sprove", thekson imzot Azuaje.