Shën Maria Magdalena, gruaja që u bë lajmëtarja e parë e Ngjalljes
Vatican News
Historia e Shën Maria Magdalenës është një nga dëshmitë më të fuqishme të risisë që solli Krishti në botë. Në një kohë kur zëri i grave kishte pak ose aspak peshë në jetën publike, Jezusi ia besoi pikërisht një gruaje misionin më të madh: të shpallte e para lajmin e Ngjalljes së Tij. Për këtë arsye, tradita e Kishës e ka quajtur Marinë Magdalenë "apostullja e apostujve".
Ungjilli sipas Gjonit rrëfen se, në agimin e ditës së parë të javës, ndërsa ishte ende errësirë, Maria Magdalena shkoi te varri i Jezu Krishtit. Atje pa se guri ishte rrokullisur dhe varri ishte i hapur. E tronditur, ajo vrapoi për t'ia treguar Simon Pjetrit dhe nxënësit tjetër, atij që Jezusi e donte. Por pikërisht asaj iu dha hiri i madh për të takuar e para Krishtin e Ngjallur dhe për të dëgjuar prej Tij misionin: të shkonte e t'ua shpallte këtë lajm dishepujve.
Takimi me Zotin e Ngjallur e ndryshoi përgjithmonë jetën e saj. Ajo që dikur kishte përjetuar çlirimin nga «shtatë demonët», u bë tani dëshmitarja e parë e fitores së jetës mbi vdekjen. Shën Hipoliti i Romës, meshtar dhe teolog i Kishës së hershme, e nderoi me titullin "apostullja e apostujve", sepse ishte ajo që ua kumtoi apostujve lajmin e Ngjalljes së Jezu Krishtit.
Rruga e Marisë Magdalenë kishte nisur shumë më herët, në çastin kur Jezusi e çliroi dhe e ftoi ta ndiqte. Që nga ajo ditë ajo mbeti pranë Mësuesit, duke e shoqëruar në shtegtimin e Tij deri në Golgotë. Ndërsa shumë dishepuj ishin larguar nga frika, ajo qëndroi besnike pranë Kryqit të Krishtit dhe nuk e braktisi as në orën më të errët të mundimit.
Besnikëria dhe guximi i saj janë një thirrje për çdo të krishterë. Maria Magdalena na kujton se kush e ka takuar me të vërtetë dashurinë e Krishtit nuk mund ta mbajë atë vetëm për vete. Përvoja e Zotit e shndërron njeriun në dëshmitar, e nxit të shpallë Ungjillin dhe i jep forcën të ecë kundër rrymës në një botë që shpesh e ka të vështirë të besojë dhe të ndjekë rrugën që të çon te Hyji.
Prandaj figura e Shën Maria Magdalenës mbetet një shenjë e gjallë e shpresës: gruaja që nuk u largua nga Kryqi i Jezu Krishtit ishte edhe e para që pa varrin e zbrazët dhe dëgjoi kumtin e madh të Pashkës, duke u bërë zëri i parë që shpalli se Krishti ishte me të vërtetë i Ngjallur.