Shenjtorët e javës 19 - 26 korrik
Vatican News
E diel 19 korrik, Kisha katolike romake kremton të dielën e 16-të gjatë vitit kishtar, ciklit tё parё ‘A’ e, gjithnjë më 19 korrik, kalendari liturgjik përkujton shën Simakun, papë dhe shën Makrinën.
Ungjilli i kёsaj sё diele nga Mateu (13,24-43) na sjell Shëmbëlltyrën ungjillore tё grurit të mirë dhe egjrës, qё prek problemin e së keqes në botë e vë theksin mbi durimin e Hyjit. Në arën e botës bashkëjetojnë e mira dhe e keqja, gruri dhe egjra, por Hyji nuk vepron me nxitim. Ai tregohet i durueshëm, duke u dhënë njerëzve kohë për pendim, kthim dhe rritje në të mirë. Kjo shëmbëlltyrë na fton të mos gjykojmë me shpejtësi të tjerët, por të kemi besim në drejtësinë dhe mëshirën e Zotit. Ndërsa presim kohën e korrjes, secili prej nesh është i thirrur të jetë "grurë i mirë", duke sjellë fryte dashurie, drejtësie dhe besnikërie ndaj Zotit dhe të afërmit. Ungjilli i kësaj të diele na paraqet shëmbëlltyrën e grurit dhe egjrës, me të cilën Jezusi na zbulon misterin e Mbretërisë së Hyjit. Zoti di ta ndajë grurin nga egjra, por pa ngut. Ai pret, në kundërshtim me ne, që nxitohemi tepër, kur është fjala për të gjykuar, për t’i veçuar shpejt e shpejt ata që na duken të mirë e për t’i shkulur me gjithë rrënjë, të këqijtë, sipas gjykimit tonë. Ndërsa Hyji di të presë. Ai e shikon arën e jetës së çdo njeriu me durim e mëshirë.
Të hënën më 20 korrik, kalendari kishtar përkujton Shën Apolinarin, ipeshkëv i Ravenës e martir, shën Elinë, profet dhe shën Aurelin e Kartagjenës.
Të martën më 21 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Lorencin nga Brindizi, meshtar kaupuçin doktor i Kishës, shën Praseden romake e shën Ezekielin profet.
Të mërkurën më 22 korrik, kalendari kishtar përkujton r shën Marisë Magdalenë, nxënëse e Jezu Krishtit Zot dhe shën Gualtierin
Të enjten më 23 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Brigjidën, rregulltare, Pajtore e Evropës dhe shën Gjonin Cassiano.
Të premten më 24 korrik, kalendari përkujton shën Sharbel Makluf, meshtar, shën Kristinën, virgjër e martire dhe shën Eufrasinë
Të shtunën më 25 korrik, kalendari përkujton shën Jakun e madh, apostull dhe shën Kristoforin, martir.
Të dielën e ardhshme më 26 korrik, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 17-të gjatë vitit kishtar, ciklit tё parё ‘A’ e po më 26 korrik kalendari liturgjik përkujton festën e shën Joakimit e shën Anës, prindërve të Zojës së Bekuar, të gjyshit e gjyshes së Jezusit, që së bashku me të drejtët e prisnin ardhjen e Mesisë.