Sulme kundër të krishterëve në Izrael: mbi 80 raste në tre muaj
Vatican News
Tetëdhjetë e tre incidente ngacmimi, në nëntëdhjetë ditë. Shumica e këtyre ndodhën në Jerusalem, kryesisht në Qytetin e Vjetër. Ishin pështymë, sulme fizike, kërcënime dhe abuzim verbal, vandalizëm, hedhje mbeturinash dhe objektesh në oborret e kuvendeve kishtare, si dhe provokime online (rishikime në Google Maps të faqeve të krishtera të internetit me vargje biblike që bëjnë thirrje për shkatërrimin e vendeve të adhurimit jo-hebraik). Këtë e lexojmë në raportin e Qendrës së të Dhënave për Lirinë Fetare (RFDC), publikuar së fundmi, mbi incidentet kundër të krishterëve në Izrael në tremujorin prill-qershor 2026, redaktuar nga Yisca Harani, drejtoreshë e organizatës kërkimore. Këto incidente shpesh ndodhin në mes të ditës, në mënyrë demonstrative, ndonjëherë me prindërit që i inkurajojnë fëmijët e tyre t'i imitojnë. E peshën më të madhe e mbartin komunitetet e krishtera që banojnë në ato vise.
Murgesha e sulmuar në malin Sion
"Më 28 prill, një murgeshë katolike u flak përdhe në malin Sion, por kulmi arriti në Shavuot, Yom Jerushalayim dhe Marshimin e Flamurit, si dhe gjatë procesionit të hyrjes së Nuncit të ri Apostolik", kujton raporti, i cili nxjerr në pah guximin dhe arrogancën në rritje të autorëve, të cilët veprojnë hapur e pa frikë nga pasojat. "Ne vërejmë mungesën e përfaqësimit simbolik të krishterë në hapësirat publike të Jerusalemit (në kontrast me praninë e fortë të simboleve hebraike)", vazhdon studimi nga Yisca Harani, e cila mbledh informacione nga institucionet fetare dhe komunitetet e krishtera me të cilat mban kontakt të rregullt përmes një rrjeti vullnetarësh. "Detyra jonë është të ndihmojmë viktimat në paraqitjen e ankesave në polici dhe autoritetet përkatëse, si dhe në dokumentimin e mbledhjen e informacionit në lidhje me çdo rast. Vullnetarët përgjegjës për kontaktet lokale merren gjithashtu me rastet e shenjave publike të dëmtuara, grafiteve ose vandalizmit: e ndjekin incidentin derisa të përfundojnë riparimet, duke vazhduar ta monitorojnë në bashkëpunim me autoritetet përkatëse”. Këta vullnetarë, vazhdon gazeta, "dislokohen, në veçanti, gjatë festave fetare dhe procesioneve të krishtera në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit, me qëllim vëzhgimin, dokumentimin dhe ndihmën në parandalimin e incidenteve".
Të krishterët e padukshëm në Qytetin e Vjetër
Pas sulmit në Malin Sion, u aktivizua një shërbim mbrojtës shoqërimi për klerin dhe figurat fetare, në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit. Shërbimi mbështetet nga IRAC (Qendra e Veprimit Fetar të Izraelit), e cila ofron ndihmë ligjore për ankesat e policisë në emër të RFDC dhe JPPI (Instituti i Politikave të Popullit Hebre). "I bëjmë thirrje Bashkisë së Jerusalemit të pranojë se mungesa e përfaqësimit të dukshëm dhe simbolik të pranisë së krishterë në sferën publike, kontribuon drejtpërdrejt në shfaqjet e armiqësisë të qytetarëve hebrenj kundër të krishterëve. Nga kompleksi komunal deri te Porta Jaffa, hapësira publike pasqyron qartë praninë hebraike, përmes posterave me tema hebraike, urimeve për festat dhe projeksioneve të imazheve e të filmave që lidhen me historinë dhe traditën hebraike, në muret e qytetit", vëren studimi. Meqenëse Qyteti i Vjetër përfshin dy lagje të krishtera, "do të ishte po aq e përshtatshme që prania e krishterë të ishte e dukshme edhe në hapësirën publike", vazhdon ai.
Simbole fetare të dhunuara
Por sulmet kundër simboleve fetare ndikojnë edhe në vendet jashtë kufirit: "Kujtojmë shkatërrimin e shtatores së Jezusit si dhe dhunimin e një shtatoreje të Virgjërës Mari në Libanin jugor. Forcat Mbrojtëse të Izraelit kanë përgjegjësinë të edukojnë ushtarët e tyre dhe të vendosin standarde themelore të sjelljes ndaj komuniteteve fetare dhe vendeve të shenjta. Shpresojmë se këto incidente do të adresohen në mënyrë të mjaftueshme brenda forcave të armatosura". Prej këndej, ndërhyrja e organit të kryesuar nga Yisca Harani: "Pas raportimeve për ushtarë që talleshin ose tregonin mungesë respekti kundër të krishterëve gjatë një vizite në Jerusalem, ne iu drejtuam Zyrës së Shefit të Arsimit të Forcave Mbrojtëse të Izraelit. Jemi të kënaqur nga një bashkëpunim konstruktiv arsimor: një dokument informativ, i përgatitur nga Linja e Nxehtë për udhërrëfyesit që shoqërojnë grupet ushtarake në Jerusalem, marrë dhe qarkulluar brenda qarqeve përkatëse. Dokumenti është i disponueshëm në faqen tonë të internetit".
Duhet përpjekje edukative për të rinjtë
Vizitat shkollore dhe udhëtimet edukative janë gjithashtu të ndjeshme ndaj sulmeve: "Në vitet e fundit, mijëra grupe shkollore kanë vizituar Jerusalemin si pjesë e programeve të nxitura dhe të financuara nga ministritë qeveritare. Siç ndodh shpesh me grupet ushtarake, shumica e studentëve marrin pak ose aspak njohuri lidhur me praninë e gjallë të krishterë në qytet. Si rezultat, takimet me të krishterët ndonjëherë janë të habitshme dhe mund të çojnë në reagime armiqësore. Duke mos pasur përgatitje të mjaftueshme, studentët kanë shprehur armiqësi ndaj vendeve dhe njerëzve të krishterë, madje edhe gjatë udhëtimeve edukative në pjesë të tjera të vendit. Prandaj është e nevojshme, veçanërisht për vizitat në Jerusalem, një përpjekje e koordinuar edukative që përfshin organizatorët e udhëtimeve shkollore dhe guidat turistike", përfundon raporti.