Zoja e Malit Karmel: model i besimit, bindjes dhe shpresës
Vatican News
Çdo vit, më 16 korrik, Kisha ngre sytë drejt Malit Karmel, atij mali biblik ku qielli dhe toka duket se preken, ku profeti Elia mbrojti me guxim besimin në Zotin e gjallë dhe ku, shekuj më vonë, lindi një nga traditat më të bukura të Kishës kushtuar Virgjërës Mari. Pikërisht këtu, mes heshtjes së shpellave dhe lutjes së eremitëve, mori jetë familja rregulltare karmelitane, e cila e njohu Marinë si Nënë, Mbrojtëse dhe udhërrëfyese në rrugën drejt Krishtit.
Tradita kujton se në këtë vend kaloi edhe Familja e Shenjtë e Nazaretit gjatë kthimit nga Egjipti. Karmeli mbeti kështu një tokë e shenjtë, ku kujtesa e Elisë profet bashkohet me praninë amnore të Marisë, gruas që e jetoi besimin me një besnikëri të pakrahasueshme.
Ungjilli i kësaj dite (Mt 11,28-30) na çon në zemër të këtij misteri. Ndërsa Jezusi flet para turmës, dikush i njofton se Nëna dhe të afërmit e Tij po e presin jashtë. Përgjigjja e Tij, larg çdo mohimi, zbulon kuptimin më të thellë të familjes së Zotit: «Kushdo që bën vullnetin e Atit tim që është në qiell, ai është për mua vëlla, motër dhe nënë».
Janë fjalë që nuk e largojnë Marinë, por e vendosin në vendin më të lartë. Ajo është e para që dëgjoi Fjalën e Zotit, e ruajti në zemër dhe e jetoi deri në fund. Përpara se të ishte Nëna sipas mishit, Maria ishte dishepullja e parë sipas fesë. Ajo nuk kërkoi kurrë të ndalte vështrimin mbi veten, por gjithmonë e drejtoi atë drejt Birit të saj Jezus: «Bëni gjithçka që Ai t'ju thotë.» Edhe në Golgotë, kur gjithçka dukej e humbur, ajo mbeti në këmbë pranë Kryqit të Krishtit, e heshtur, por e palëkundur në besim.
Prandaj, Zoja e Karmelit nuk është vetëm mbrojtësja e karmelitanëve; ajo është modeli i çdo të krishteri. Ajo na mëson se besimi nuk është një ndjenjë e përkohshme, kalimtare, por një ecje e përditshme në bindje ndaj Zotit. Ashtu si Elia profet luftoi kundër idhujve të kohës së tij, edhe ne jemi të thirrur të mos lejojmë që zemra jonë të robërohet nga idhujt e ditëve tona: pushteti, egoizmi, lakmia apo indiferenca. Maria na mëson ta mbajmë shikimin të kthyer drejt Krishtit, burimit të vetëm të jetës.
Në traditën karmelitane një vend të veçantë zë skapulari, shenja e dashurisë dhe e mbrojtjes amtare të Virgjërës Mari. Sipas traditës, Zoja Bekuar ia dhuroi atë shën Simon Stockut si shenjë të kujdesit të saj për bijtë e vet. Por skapulari nuk është një objekt magjik apo një garanci automatike shpëtimi; ai është një kujtesë e përditshme e thirrjes për të jetuar sipas Ungjillit, nën mantelin e Marisë dhe në ndjekje të përditshme të Krishtit.
Në këtë festë të Zojës së Malit Karmel, Kisha na fton të ngjitemi shpirtërisht në malin e Karmelit. Atje mësojmë se heshtja lind lutjen, se feja kërkon besnikëri dhe se dashuria e Marisë na shoqëron gjithmonë drejt Birit të saj. Nën mantelin e saj gjejmë ngushëllim, forcë dhe shpresë, ndërsa zemra jonë ripërtërin dëshirën për t'i thënë Zotit, si ajo: "U bëftë në mua sipas fjalës sate".