Kolumbi: më shumë se 260 të vdekur dhe mbi 11 mijë shtëpi të shkatërruara nga tërmeti
Vatican News
265 të vdekur, 3.494 të plagosur dhe 496 të humbur. Ky është bilanci më i fundit i tërmetit, i bërë me dije drejtpërdrejt nga presidenti i Kolumbisë Abelardo de la Espriella. Këtyre shifrave tragjike u shtohen të dhëna të tjera: 11.347 banesa të shkatërruara, 53.526 të dëmtuara dhe 140 ndërtesa të rrëzuara, të cilat e shtynë qeverinë të shpallë gjendjen e emergjencës ekonomike për përballimin e krizës.
“Fondi mrekulli”
“Pasojat janë të jashtëzakonshme dhe kërkojnë vendosmëri të madhe e vullnet politik nga ana jonë”, tha presidenti De la Espriella, duke shtuar se tragjedia po ndodh në një moment “krize fiskale” për Kolumbinë. Presidenti tregoi gjithashtu se emergjenca ekonomike do të mundësojë krijimin e një “fondo milagro” të destinuar për orientimin e burimeve “për rindërtimin e spitaleve, qendrave shkollore, ndërtesave, rrugëve dhe aerorporteve”.
Për më tepër, ai siguroi se po zbatohen masa mbështetjeje të përkohshme për familjet e prekura nga tërmeti, të cilat përfshijnë pagesën e faturave të shërbimeve publike, subvencione për qiratë e atyre që kanë humbur shtëpinë, lehtësime fiskale e financiare dhe ndihma ekonomike për familjet më të cenuara, përveç mekanizmave mbështetës për tregtarët dhe sipërmarrësit e vegjël. Qytetet Kali (Cali) dhe Pereira vazhdojnë të jenë ndër zonat më kritike.
Mekanizmi i kërkim-shpëtimit
Në kryeqendrën e departamentit Valle del Cauca, rreth 700 punonjës shpëtimi kolumbianë dhe rreth 50 të huaj po punojnë kundër kohës, ndërsa autoritetet kanë përqendrojnë përpjekjet në ndërtesat ku besohet se ka ende mundësi të lartë për të gjetur të mbijetuar. Vetëm në Kali janë nxjerrë të gjallë nga gërmadhat 85 persona, megjithëse më shumë se 150 mbeten ende të humbur. Instituti i Mjekësisë Ligjore njoftoi se ka marrë 202 trupa të viktimave të tërmetit, nga të cilët 121 janë identifikuar tashmë për t'iu dorëzuar familjarëve, mes të cilëve edhe pesë të mitur.
Ndihmat nga jashtë
Ndërkohë, Kolumbia po bëhet gati të pranojë grupe të specializuara kërkim-shpëtimi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, El Salvadori, Ekuadori dhe Izraeli. Këtyre u shtohen edhe ekipet e shpëtimit meksikane të “Los Topos Aztecas”, një grup vullnetarësh i specializuar në kërkimin dhe shpëtimin e njerëzve të bllokuar nën gërmadha, veçanërisht pas tërmeteve. Po nga Meksika do të mbërrijnë 58.5 tonë ndihma humanitare.
OKB-ja njoftoi se po përgatit një alokim fondesh nga Fondi i saj Qendror për Ndërhyrjet e Emergjencës (CERF). E njëjta ndihmë do të garantohet nga Programi Botëror i Ushqimit dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Një thirrje u lëshua edhe nga Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe për alokimin e 30 milionë dollarëve në mbështetje të rreth 24.000 personave gjatë dy viteve të ardhshme, veçanërisht në departamentet Chocó, Risaralda, Caldas dhe Valle del Cauca.