Maksimilian Kolbe, martir: të dhurosh jetën është gjesti më i madh i dashurisë
Vatican News
Nuk ka dashuri më të madhe se ajo e atij që dhuron jetën për motrat dhe vëllezërit, sidomos kur ky gjest bëhet në shenjën e dëshmisë së Krishtit të Ngjallur. Këtë na e kujton historia e shën Maksimilian Maria Kolbe, martir i nazizmit.
Maksimilian Kolbe e jetoi jetën e tij duke ia besuar plotësisht Zotit çdo ditë, përmes Marisë. Françsekan polak i Urdhërit të Fretëve të Vegjël Konventualë, Atë Maksimilian Kolbe më 1917 themeloi "Milicinë e Zojës së Papërlyer", për të përhapur, përmes shtypit e pastaj, edhe radios, devocionin marian. I arrestuar nga nazistët, u internua në kampin e përqendrimit të Auschwitz: këtu dhuroi jetën e vet, duke hyrë në qelinë e urisë, në vendin e një bashkëvuajtësi, baba familjeje.
I mbyllur në paradhomën e vdekjes natën e festës së të Ngjiturit të Zojës në Qiell, i inkurajoi nëntë të dënuarit e tjerë ta prisnin fundin duke u lutur e duke kënduar këngë kushtuar Zojës. Pas dy javë agonie, u mbyt pikërisht natën e Festës së Marisë së Ngjitur në Qiell, me një injeksion acidi fenik. Para se të vdiste, i rrethuar nga xhelatët e tij që zgërdhiheshin përqark, atë Kolbe pëshpëriti, me frymën e fundit, fjalët: “Urrejtja nuk i duhet askujt! Mbyt! Vetëm dashuria krijon!”. Shoqëruar me një Të falemi Mari, e fundmja e shtegtimit të tij mbi këtë tokë që, ndërmjet shumë krimesh të llahtarshme, e pa edhe atë të vdekur, krejt pa faj, duke dhuruar, si Krishti, jetën, për një njeri tjetër.
Pali VI e lumnoi më 17 tetor 1971; Shën Gjon Pali II e shenjtëroi më 10 tetor 1982
Shën Maksimilian Maria Kolben e përfundoi me martirizim jetën e tij tokësore në kampin e nazist të përqendrimit, në Aushvic. Në dukje jeta e tij mund të konsiderohet një disfatë e vërtetë, por pikërisht në martirizimin e tij shkëlqen drita e dashurisë, që mund errësirën e egoizmit dhe të urrejtjes. Njihen si të Maksimilian Kolbes fjalët e mëposhtme, që ai i tha në kulmin e tërbimit të persekutimit nazist: ‘Urrejtja nuk është forcë krijuese; krijuese është vetëm forca e dashurisë’. E provë heroike e dashurisë ishte dhurimi bujar i vetvetes për shpëtimin e shokut të burgut, të cilit i zuri vendin në bunkerin e urisë, ku edhe do të vdiste më 14 gusht 1941.