Shën Flori dhe Shën Lauri, vëllezër binjakë dhe martirë të Krishtit
Vatican News
Më 18 gusht, Kisha përkujton Shën Florin dhe Shën Laurin, vëllezër binjakë, mjeshtër të skulpturës dhe dëshmitarë të guximshëm të Jezu Krishtit. Jeta e tyre na sjell përpara misterin e një feje që nuk kufizohet vetëm në fjalë, por bëhet dëshmi, shërbim dhe, në fund, dhuratë e plotë e jetës.
Flori dhe Lauri kishin lindur në Bizant dhe ishin formuar në artin e skulpturës nga mjeshtrit Prokli dhe Maksimi, të cilët ishin të krishterë. Pas martirizimit të mësuesve të tyre gjatë kohës së perandorit Adrian, dy vëllezërit u larguan nga vendlindja dhe u vendosën në Dardani, në qytetin e Ulpianës, jo larg Prishtinës, në trevat e Ilirisë, ku ushtruan zanatin e tyre nën autoritetin e prefektit Liçinit.
Ata u thirrën për të ndërtuar një tempull kushtuar hyjnive pagane. Por Zoti, edhe përmes punës së tyre, hapi një rrugë drejt dritës së Ungjillit. Gjatë punimeve, Aleksandri, biri i Anastasit, priftit pagan, u plagos në sy nga një copëz guri. Flori dhe Lauri i shpallën atij besimin në Krishtin dhe, pasi i riu pranoi fenë e krishterë, ndodhi shërimi i mrekullueshëm i syrit të tij. Mrekullia preku edhe zemrën e të atit, Anastasit, i cili u kthye në fenë e krishterë.
Pas përfundimit të tempullit, Flori dhe Lauri mblodhën të krishterët e vendit. Natën, me qirinj të ndezur dhe me Kryqin në krye, shkuan në tempull dhe rrëzuan idhujt paganë. Ky veprim nuk ishte thjesht një kundërshtim ndaj një kulti të vjetër, por një dëshmi e besimit të tyre në Krishtin e Gjallë, i vetmi Zot dhe Shpëtimtar.
Për këtë arsye u arrestuan dhe u sollën përpara autoriteteve. U kërkua prej tyre të mohonin Krishtin dhe t’u ofronin flijime idhujve, por ata qëndruan të palëkundur në fenë e krishterë. U fshikulluan dhe gjaku i tyre u bë dëshmi e besimit. Në fund, u hodhën në një pus dhe u varrosën të gjallë, duke vulosur me martirizim dëshminë që kishin dhënë me jetën e tyre për Jezu Krishtin.
Mesazhi i martirizimit
Shën Flori dhe Shën Lauri na kujtojnë se çdo dhunti njerëzore mund t'i shërbejë së mirës dhe së vërtetës. Ata e ushtruan artin e tyre si mjeshtër të skulpturës, por zemrën e tyre e kishin formuar sipas Krishtit.
Ata nuk e përdorën talentin për lavdinë e tyre, por u bënë dëshmitarë të një bukurie më të madhe: bukurisë së besimit që shëron, ndriçon dhe çliron. Historia e tyre na fton të pyesim veten: Çfarë idhujsh duhet të rrëzojmë sot në jetën tonë? Çfarë pengesash na largojnë nga Krishti? Dhe a jemi të gatshëm ta dëshmojmë besimin tonë jo vetëm me fjalë, por me dashuri, guxim dhe besnikëri?
Lutje përkujtimore
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i mëshirshëm,
Ti që u dhe shërbëtorëve të Tu, Florit dhe Laurit,
hirin për të qëndruar besnikë deri në fund,
bëj që edhe ne të ecim në gjurmët e tyre.
Na jep një zemër të fortë në besim,
sy për të parë nevojtarin,
duar për të shërbyer
dhe guxim për të dëshmuar të vërtetën.
Ashtu siç përmes tyre Ti i dhe dritë syrit të Aleksandrit
dhe dritë besimi zemrës së tij,
ndriço edhe zemrat tona
dhe na çliro nga çdo idhull që na largon prej Teje.
Bëj që puna, talentet dhe dhuntitë tona
të bëhen mjete në shërbim të së mirës,
të paqes dhe të dashurisë.
Nëpërmjet ndërmjetësimit të
Shën Florit dhe Shën Lauros, martirëve të Tu,
na forco në besim dhe na udhëhiq drejt Mbretërisë sate.
Amen.