Kërko

Gërmime në rrënojat e një ndërtese pranë portit të L. Say pas tërmetit në Sikka. Gërmime në rrënojat e një ndërtese pranë portit të L. Say pas tërmetit në Sikka.

Tërmeti në Indonezi: Kisha e Flores pranë komuniteteve të goditura

Tërmeti me magnitudë 7,7 që goditi të shtunën pjesën lindore të Indonezisë ka shkaktuar të paktën 47 viktima, ndërsa dhjetëra persona janë plagosur dhe rreth 2 mijë banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Epiqendra e tërmetit ishte në det, pranë ishullit Flores, rreth 68 kilometra nga qyteti i Ende.

Vatican News

Tërmeti me magnitudë 7,7 që goditi të shtunën pjesën lindore të Indonezisë ka shkaktuar të paktën 47 viktima, ndërsa dhjetëra persona janë plagosur dhe rreth 2 mijë banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Epiqendra e tërmetit ishte në det, pranë ishullit Flores, rreth 68 kilometra nga qyteti i Ende. Pas goditjes kryesore janë regjistruar edhe disa lëkundje të tjera.

Kisha pranë njerëzve që vuajnë

Ndër zonat e prekura është edhe kryedioqeza e Ende, në ishullin Flores. Kryeipeshkvi Paulus Budi Kleden, i cili vetë mbeti përkohësisht i bllokuar në një nga zonat e prekura, u ka bërë thirrje meshtarëve dhe besimtarëve të ruajnë qetësinë, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve dhe të qëndrojnë të bashkuar në lutje.

Disa Kisha dhe kapela janë dëmtuar rëndë. Në disa raste janë shfaqur çarje në mure dhe kulla, ndërsa në një kapelë të stacionit misionar në Uluwagha është shembur tërësisht çatia.

Për shkak të rrezikut nga ndërtesat e dëmtuara dhe nga lëkundjet e tjera, kryeipeshkvi Budi Kleden ka kërkuar që Meshat të kremtohen përkohësisht në ambiente të hapura. Mesazhi i Kishës është i qartë: në këto ditë të vështira, njerëzit nuk duhet të mbeten vetëm. Besimtarët ftohen të ndihmojnë njëri-tjetrin dhe ta përballojnë këtë emergjencë “të bashkuar në lutje.

U anulua edhe një festë e madhe

Edhe dioqeza e Labuan Bajo vendosi të anulojë aktivitetet përmbyllëse të Festivalit Golo Koe Maria Assumpta Nusantara, ku pritej të merrnin pjesë rreth 15 mijë persona. Ipeshkvi Maksimus Regus shpjegoi se nuk ishte një vendim i lehtë, pas muajsh përgatitjesh, por siguria e njerëzve dhe solidariteti me komunitetet e Flores që po përballen me pasojat e tërmetit ishin më të rëndësishme. “Festivali mund të ndalet, por fryma e vëllazërisë, solidaritetit dhe kujdesit duhet të vazhdojë të digjet brenda nesh”, tha ai. Kisha lokale tani po përqendrohet në lutjen për viktimat dhe familjet e tyre, si edhe në mbështetjen e të mbijetuarve dhe komuniteteve të prekura.

Tërmeti ka shkaktuar shembje ndërtesash, rrëshqitje dherash dhe ndërprerje të rrugëve e komunikimeve, duke vështirësuar ndihmën dhe operacionet e shpëtimit. Në disa spitale, pacientët janë nxjerrë jashtë për siguri dhe janë ngritur struktura të përkohshme për trajtimin e tyre. Në seminarin e madh Shën Pjetri i Sikkës, gjatë Meshës së mëngjesit, seminaristët dhe motrat rregulltare u detyruan të largoheshin me nxitim pasi u shemb çatia e një ndërtese. Të paktën një meshtar pësoi frakturë në këmbë.

Indonezia është një nga zonat më të ekspozuara ndaj tërmeteve, pasi ndodhet në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrit” e Paqësorit, një nga rajonet me aktivitetin më të madh sizmik dhe vullkanik në botë.

15 gusht 2026, 15:51