Kërko

Fronëzimi i Patriarkut të ri ortodoks serb, Porfirije Fronëzimi i Patriarkut të ri ortodoks serb, Porfirije

Serbi: urimet e ipeshkvijve katolikë për Patriarkun Porfirije

“Ditë e shkëlqyer për Kishën Ortodokse Serbe dhe për të gjithë banorët e vendit tonë”: ipeshkvijtë e Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shën Cirilit e të Shën Metodit përshëndesin patriarkun e ri ortodoks serb, Porfirije Periç, zgjedhur dje (18 shkurt) nga Sinodi i Kishës Ortodokse.

R.SH. - Vatikan

Ipeshkvijtë e Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shën Cirilit e të Shën Metodit përshëndesin Patriarkun e ri të Kishës Ortdokse serbe, zgjedhur dje (18 shkurt) nga Sinodi i Kishës Ortodokse të Serbisë. Patriarku ri është mitropoliti i Zagrebit dhe i Ljubljanës, Porfirije Periç dhe zëvendëson patriarkun Irinej, i cili ndërroi jetë pak kohë më parë.

Ipeshkvijtë katolikë premtojnë bashkëpunim

“Ditë e shkëlqyer për Kishën Ortodokse Serbe dhe për të gjithë banorët e vendit tonë”, shkruajnë ipeshkvijtë katolikë në mesazhin e nënshkruar nga imzot Ladislav Nemet, kreu i Konferencës Ipeshkvnore, ku përfshihen Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Në të vihet në dukje se “patriarku i Kishës Ortodokse Serbe ka një rol të pazëvendësueshëm jo vetëm në udhëheqjen e Kishës dhe të besimtarëve, por edhe në atë të gjithë shoqërisë serbe, në rrugën e vlerave të vërteta ungjillore, që nuk ndryshojnë, i drejtuar nga e vërteta e nga Jezu Krishti”.

Ipeshkvijtë katolikë, duke pasur parasysh “këtë kohë plot sfida dhe vështirësi”, i premtojnë patriarkut të ri “bashkëpunimin e tyre, me dëshirën që të gjithë, në rolin që u ka besuar Shpirti i Zotit, të kontribuojnë në përparimin e të dyja Kishave dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë në Republikën e Serbisë”. Mesazhi përfundon me përshëndetjen tradicionale të traditës ortodokse: “Tërëshenjtërisë së tij Porfirije, që për hirin e Tënzot është kryepeshkop i Pejës, mitropolit i Beogradit dhe Karlovacit dhe patriark serb: Ad multos annos! (Për shumë vjet)”.

Kush është Porfir Periç

Patriarku i ri Porfirije Periç është lindur në vitin 1961 në Becej. Serb me origjinë, prindërit e tij u zhvendosën në Vojvodinë. U diplomua në vitin 1987, në Fakultetin e Teologjisë së Kishës Ortodokse Serbe, pas studimeve për arkeologji në Beograd. Më pas, bëri doktoraturën në universitetin Kapodistrian të Athinës. Njeh tri gjuhë e jep mësim në universitet. Në intervistat e tij televizive, është shprehur për ndërtimin e urave ndërmjet njerëzve dhe kombeve, duke i dhënë më tepër rëndësi faktit që është i krishterë, sesa përkatësisë së tij etnike.

19 shkurt 2021, 14:13