Kërko

 Beato don Lek Sirdani, martire della Chiesa d'Albania durante il regime comunista Beato don Lek Sirdani, martire della Chiesa d'Albania durante il regime comunista

“Takim me martirët”: i Lumi dom Lek Sirdani, martir

R.SH. - Vatikan

Vazhdojmë ciklin radiofonik tё redaksisë shqipe të Radio Vatikanit - Vatican News “Takim me martirët”, sot nё pjesën e 14-tё  dom Gjovani Kemal Kokona, na njeh nga afër me figurën, shembullin, porosinë dhe lutjen e tё Lumit  dom Lek Sirdanit, martir. “I kam dhënë fjalën Krishtit dhe për të jam gati të vdes”. Kёto fjalë tё dom Lek Sirdanit, pak para vdekjes nën tortura çnjerëzore pёsuar nga regjimi komunist nё Shqipёri, e japin më së miri portretin e këtij meshtari martir që mishëroi në jetën e vet fjalën e Krishtit se “kush do ta humbë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë”. Po më tepër ta dëgjojmë dom Gjovanin Kemal Kokona... 

Ta dëgjojmë dom Gjovanin Kemal Kokona.

I kam dhënë fjalën Krishtit dhe për të jam gati të vdes”. Kjo fjalë e dom Lek Sirdanit pak para vdekjes nën tortura çnjerëzore e japin më së miri portretin e këtij meshtari martir që mishëroi në jetën e vet fjalën e Krishtit se “kush do ta humbë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë”.

Aleksandri apo shkurtimisht Leka, me prejardhje nga Boga, lindi në Gurëz më 1 mars 1891 dhe në famullinë e shën Gjergjit në Gurëz edhe pagëzohet. Një vëlla më i madh i tij, Gjeto, do të ndjekë jetën rregulltare në Urdhërin Françeskan duke marrë emrin Marin. Këta dy vëllezër, kur ishim akoma të njomë u vdiq nëna në moshë të re, e nuk kaloi shumë kohë kur për shkak të një sëmundje u vdiq edhe baba. Një hallë e martuar në Guci i mori në shtëpinë e vet. Aty, në Guci, për ta u kujdes një mysliman (udhëheqës i një xhamie), burrë fisnik e bujar, i cili pas një farë kohe i shoqëroi këta dy fëmijë te Kisha Katolike në Shkodër e ndërsa Gjeto (më vonë patër Marini) u pranua në kolegjin françeskan, Leka u mor në çerdhen e motrave servite. Një e afërme e tyre, Leze Lulashi, dëshmon se ka mundësi që hoxha i Gucisë tu ketë dhënë mbiemrin Sirdani.

Leka në moshën 9 vjeçare u pranua në Kolegjin Saverian të Jezuitëve në Shkodër. Kur përfundoi studimet në Shkodër, duke pasur parasysh rezultatet e tij shumë të mira, Arqipeshkvi i Shkodrës e dërgoi të vazhdonte teollogjinë në Innsbruck të Austrisë. Shugurohet meshtar, së bashku me të Lumin martirin Dom Ndre Zadeja, më 24 prill 1916 dhe dy ditë më vonë në Shenjtoren e Zojës në Shkodër kremton Meshën e Parë solemne. Përveç disa periudhash në Shirokë e në Mazrrek, pothuajse krejt misioni i tij meshtarak do të zhvillohet në zonat e Malësisë së Madhe. Në Reç, në Shkrel, e kryesisht në Bogë. Jetoi në varfëri ashtu si besimtarët e tij. D

om Ndre Zadeja, që e zëvendësoi për disa ditë, në një përshkrim arqipeshkvit të Shkodrës na jep idenë e situatës: “Vendi më i largët nga qendra e arkidioqezës. Shtatë muaj dimër me borë e akull. Qela pa asnjë rehati, [vështirësi] për dru e për ujë. Famullia [Bogës] me më pak se 30 shtëpi e 925 metra mbi nivelin e detit”. Por dom Leka, edhe pse ishte me shëndet mjaft të dobët, veproi kudo me pasionin e një apostulli të vërtetë. Me një ballë të gjerë, fytyrë të kthjellët dhe sy të zgjuar, ishte i rrethuar nga një hije pastërtie e thjeshtësie të madhe. Imzot Zef Simoni kujton se: “Një herë shkuam me korin e françeskanëve për shëtitje në Bogë. Gjatë udhëtimit, para se të arrinim, Atë Filip Mazreku na tha: “Po shkojmë te një meshtar i vërtetë”. Gjithashtu një dëshmi për shpirtin e tij të mirë na vjen nga një kartolinë shkruar nga i Lumi Don Carlo Gnocchi që shprehet kështu: “Ju siguroj se kujtimin tuaj e kam gjithmonë të pranishëm si atë të një miku të mirë e të dashur. Mes personave që kam takuar në jetën shqiptare, ju mbani me siguri vendin e parë; pasi kam çmuar dhe admiruar shumë mirësjelljen tuaj, mirësinë tuaj ndaj meje dhe figurën tuaj të bukur meshtarake”. Sigurisht nuk i mungonin edhe të metat, por dinte të kërkonte falje. Një aspekt që e theksonte ishte ‘ndjenja e drejtësisë’.

Pati një devocion të veçantë për Eukaristinë si edhe për Zojën. Kremtimi i Meshës së Shenjtë qe kantieri i shenjtërimit të tij të përditshëm, që do ta ndihmojë të bëhet i ngjashëm me Flinë Hyjnore. Përveç kremtimit të Orëve liturgjike, rruzarja ritmonte ditën e tij meshtarake. Mundohej të pajtonte. Kur në një rast banorët e Bogës e të Shkrelit hynë në gridje për punë tokash në kufi dhe morën armët, Dom Leka shkoi atje e me fjalën e tij i qetësoi shpirtrat. Ishte një studiues i apasionuar i vlerave dhe i traditave popullore, e sidomos një kërkues i folklorit lokal. Për plot 32 vjet qe një famullitar që nuk kurseu asnjë energji për të mirën e grigjës që i ishte besuar. Por më e keqja duhej të vinte dhe mjerisht erdhi si një ciklon që nuk kurseu askënd, sidomos klerikët.

Kjo orë erdhi atëherë kur nuk pritej. Edhe në famullinë e tij kishte “dele” tashmë të ndikuara nga ideologjia marksiste, e cila premtonte pasuri përrallore duke vendosur barazinë për të gjithë… në mjerim, siç ndodhi pastaj në realitet. Palë Rakaj ka kujtuar: “Disa ditë para arrestimit, ishte verë dhe duhej të ishte festa e Shenjtes Anë, Dom Leka tha: “Një re e zezë po afrohet dhe është një re shumë e keqe, por pastaj dielli do dalë përsëri. Por kur do të dalë? Këtë e di vetëm Zoti!”. Në hyrje të Kishës – tregon Pali – ishin tre të rinj të Sigurimit që merrnin shënim … Duke u larguar, i thanë dom Lekës: “E kuptuam se çfarë do të thuash me këto fjalë, por do të pendohesh!”. Menjëherë Dom Leka iu afrua Kryqit të madh, që gjendej në hyrje të Kishës dhe, duke hapur krahët në formë kryqi tha: “I kam dhënë fjalën Krishtit dhe për të jam i gatshëm të vdes!”.

E arrestuan rreth datës 27 korrik 1948 te qela. Mes agjentëve ishin edhe famëkeqët Asllan Lici dhe Pal Mëlyshi, që kishin carta bianca nga rregjimi për t’i vrarë njerëzit pa process. E morën me të shtyra e shqelma duke mos lejuar as të mbathte të dyja këpucët. Duart ia lidhën pas shpine, e lidhën pas makinës dhe e tërhoqën gati zvarrë, duke e rrahur, deri në Koplik ku edhe e mbajtën deri në vrasjen mizore. Në të njëjtën kohë arrestuan edhe famullitarin e Reç-Lohjes, Dom Pjetër Çunin, duke u caktuar të dyve të njëjtin fat.

Prej letrave të dom Lekës, shkruar shumë kohë përpara këtij arrestimi, na del në pah se ai i ishte dorëzuar krejtësisht vullnetit të Zotit. Në një letër kështu shkruan: “duhet ti lutem Zotit ta ruajë mendjen time, të më ndihmojë ta mbart kryqin dhe t’i nënshtrohem vullnetit të tij në gjithçka”. Jezuiti Patër Anton Luli, dëshmitar okular, në vitin 1996 ka mundur të deklarojë: “Dom Lekën e torturuan në mënyrë çnjerëzore. Ai duroi gjithçka me durim, por në disa orë të asaj dite britmat e tij: “Kam etje, ujë se po vdes!”, na bënte të dridheshim të gjithë. Ju sot nuk mund t’i përfytyroni [ato britma, ato dhimbje], por ishin çaste të papërshkrueshme. Kalvari i tij zgjati sigurisht disa muaj. Një paradite, duke mos dëgjuar britmat e tij, e pyeta rojën: “Ku është Dom Aleksandri që nuk nigjohet?”. M’u përgjigj: “Eh i shkreti, sapo e kanë hedhur në nevojtoren e burgut”. I’u luta rojës t’më lejonte me shkue n’banjo, se ngaqë kishte kaluar ora 8 e mëngjesit duhej me pritë mbramjen. Ai më shoqnoi pa m’thanë asgja. Kur iu afrova gropës së zezë, që shërbente si nevojtore pashë se ai lëngu me dhe përsipër, akoma gurgullonte. U përkula sikur po baja nevojat e mia (prej frikës se ndokush më spiunonte) dhe fshehtazi, me dorën që dridhej bana shpejt e shpejt një shenjë kryqi mbi atë meshtar që po vdiste i hedhur në atë vend aq çnjerëzor … Duke hyrë në qeli, kjajta e bërtita me za t’madh: “Deri kur o Zoti im?” Masanej, u luta në heshtje për shpirtin e mikut dhe të vllaut tim”.

Ishte data 31 korrik 1948 kur dom Leka dha shpirt, në moshën 56 vjeçare. Ata menduan se e zhdukën, por në realitet ky meshtar i Zotit, i butë si qingj, i mirë e zemërgjerë, pranë Atit qiellor vazhdon akoma sot të lutet për ne e ta bekojë çdonjërin prej nesh. Amen.

Lutja për Kanonizimin si dhe për të kërkuar hire të nevojshme

Trini e Shenjtë,

Atë e Bir e Shpirt Shenjt,

Ty të qofshin lavdi, ndera e bekimi,

që ia ke dhuruar Kishës së shenjtë

të Lumin Lek Sirdani, meshtar

si model besnikërie ndaj Krishtit

dhe dashurie të pakushtëzuar ndaj vëllezërve.

Të lutemi me përvujtëri:

ashtu si u denjove ta lumnosh në Qiell,

denjohu ta lavdërosh edhe këtu mbi tokë

duke na dhënë hirin që aq shumë e dëshirojmë

e që, me ndërmjetësinë e tij, me besim të kërkojmë

(në këtë moment shprehet kërkesa).

Besojmë në Ty, o Zot. Ardhtë Mbretëria jote! Amen.

Ati ynë. Të falemi Mari. Lavdi Atit …

08 gusht 2021, 10:38