Kërko

Konferenca ipeshkvnore venezuelane Konferenca ipeshkvnore venezuelane 

Ipeshkvijtë e Venezuelës: situatë “moralisht e papranueshme”

Një situatë, e cila i ngjet shumë situatave të tjera në botë, ajo që ipeshkvijtë e Venezuelës e quajnë “e papranueshme”. Për të flasin në Nxitjen Baritore, botuar në përfundim të Asamblesë së Zakonshme të Konferencës ipeshkvnore, që vë theksin mbi gjendjen dramatike e shoqërore në vend. Pandemia - pohohet – “vijon t’i thellojë vështirësitë e durimi i popullit nuk është i pafund”.

R. SH. - Vatikan

“Jemi katandisur në vend, që po kalon një krizë globale demokratike:  njeriu, me gjithë dinjitetin e tij, i varfëruar në kulm, është lënë krejtësisht mënjanë”. Kjo, thënë me dy fjalë, situata në Venezuelë, ashtu si në shumë vende të tjera të botës. E analizuar hollësisht nga ipeshkvijtë e Konferencës Ipeshkvnore të Venezuelës(CEV), të frymëzuar nga citimi biblik: “Urojmë që dashuria jote, o Zot, të na shoqërojë, ashtu si e presim nga Ti”- botuar në përfundim  të Asamblesë së Zakonshme Plenare.

Në tekst vihet fort theksi mbi gjendjen dramatike shoqërore-politike dhe ekonomike si dhe mbi shqetësimin e Kishës për shpërfilljen e dinjitetit  dhe të drejtave të njerëzve, nga një sistem politik i paaftë, por që nuk heq dorë nga pushteti, të cilin e mbron me çdo kusht”. “E kur një idelogji - lexohet në tekst - synon të dalë mbi të gjitha tjerat e të sundojë gjithnjë - duke marrë pa frikë e pa zori nëpër këmbë të drejtat e njeriut, nuk bën tjetër, veçse të lindë padrejtësi e dhunë institucionale. E kjo po ngjet tek ne!”.

Frymë kritike në vend

Në dokument nënvizohen tre realitete të veçanta, të rënduara nga pandemia, që bien më shumë në sy në situatën e krijuar në vend:  rrënimi i institucioneve demokratike dhe i sipërmarrjeve shtetërore; heksodi dramatik, pasojë e migrimeve të detyruara të gati një milion bashkatdhetarëve, për shkak se në këto troje nuk ka kurrfraë zhvillimi, kurrfarë perspektive, veç varfërisë, në të cilën është zhytyr keqas i gjithë vendi. Shumica e popullsisë është e varfër, nuk ka me se t’i ushqejë fëmijët, me se të mjekohet, me se të mbrohet nga padrejtësitë e panumërta. Ipeshkvijtë shtojnë se, përveç këtyre aspekteve “ka edhe dëme psikologjike, morale e shpirtërore në jetën e përditshme të venezuelanëve, të detyruar të luajnë në skenën e vendit, dramën e mjerimit të plotë”.

Ipeshkvijtë, në shërbim të të fundmëve, kërkojnë themele të reja për kombin

Kërkojnë themele të reja për kombin ipeshkvijtë, në shërbim të të fundmëve, e theksojnë se sistemi demokratik në vend duhet ngritur mbi themele të reja. Kërkojnë “rithemelimin e kombit”

Në një intervistë, dhënë Vatican News, kryetari i ri i Cev, kryeipeshkvi i Cumaná, imzot Jesús Gonzáles de Zárate, nënvizon se “problemeve tejet të njohura në fushën shoqërore, ekonomike e politike, u shtohen edhe ato të krijuara nga pandemia e populli vijon të vuajë dyfish, i zhytur në  shqetësim e ankth”. Duke kujtuar, më pas, votimet në shtetin Barinas, organizuar dy herë e përfunduar dy herë me fitoren e opozitës, prelati thekson dobësinë e sistemit demokratik dhe problemet e mprehta që krijiohen gjatë zgjedhjeve, shoqëruar me një mori veprimesh të pandershme, deri tek frikësimi i kandidatëve.

Duhen gjetur përgjigje   

Duhen gjetur përgjigje - thekson ipeshkvi - ndaj Kisha i bën thirrje aktorëve politikë të gjejnë rrugë të reja për t’iu përgjigjur nevojave të panumërta  të vendit, që venezuelanët të mos detyrohen të ikin, gjë që i shton krizës ekonomike edhe krizën familjare, sepse ikin të rinjtë, po lënë pas pleqtë e fëmijët.

Kisha nuk mund ta braktisë popullin e vet në këtë situatë

Kisha nuk mund ta braktisë popullin e vet në këtë situatë, ndonëse nuk është aspak e lehtë, në një vend ku mungon siguria. Dëshiron ta ndriçojë  këtë realitet të zymtë, me vlerat e Ungjillit, të solidaritetit, drejtësisë e të lirisë, me pjesëmarrjen e të gjithëve. E në këtë rrugë - pohon prelati - ndriçohemi nga ftesa e Papës Françesku “për të ecur së bashku”, duke e  përgatitur me këtë frymë ungjillore Sinodin  e ardhshëm të ipeshkvijve!

Kjo, gjendja në Venezuelë. E trishtë, si në shumë vende të tjera të botës, ku  njeriu sundon mbi njeriun e në pushtet është vetë padrejtësia!

16 janar 2022, 15:58