Kërko

110-vjetori i Pavarësisë në kishën e arbëreshëve të Romës

“Deklarohemi të gjithë shqiptarë”: kështu tha gjatë homelisë Papas Giuseppe Barrale, ndërsa kujtonte 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në meshën e kremtuar dje (27 nëntor) në kishën e Shën Athanasit, pikë referimi për arbëreshët, që banojnë në Romë. Si çdo vit, liturgjia e ritit bizantin, në gjuhën e lashtë të mëmëdheut, i mblodhi të gjithë në festën e Flamurit

R.SH. - Vatikan

110-vjetori i Pavarësisë i mblodhi edhe arbëreshët e Romës në kishën e njohur të Shën Athanasit, në via del Babuino, në qendër të kryeqytetit italian, për meshën e përvitshme në gjuhën shqipe, ose më saktë për liturgjinë bizantine në gjuhën shqipe, kryesuar nga Papas Giuseppe Barrale. Kisha ishte e mbushur plot me arbëreshë të vjetër e të rinj, që i thonin lutjet e tyre në gjuhën e lashtë të mëmëdheut pa parë në libretin e Meshës, gjë që dëshmon se gjyshërit e prindërit u kanë transmetuar brezave të mëvonshëm jo vetëm arbërishten, por edhe lutjet në shqip të meshës katolike të ritit bizantin, ndjekur nga shumica e arbëreshëve të Italisë.

Besojma
Besojma
Besojma
Besojma

Sipas traditës tashmë shumëvjeçare, një herë në vit, në afërsi të Festës së Pavarësisë, zakonisht të dielën para saj, siç ndodhi edhe kësaj radhe, arbëreshët mblidhen për të kremtuar në gjuhën shqipe e për të kujtuar ngritjen e flamurit në Vlorë, më 1912, për të cilën dhanë një kontribut jo të paktë. Gjatë homelisë së Meshës, Papas Barrale i Eparkisë së Ungrës vuri në dukje përvjetorin e rëndësishëm të sivjetëm, kremtuar nga të gjithë shqiptarët. Nënvizoi rolin e ipeshkvijve arbëreshë në ruajtjen e në kremtimin e meshës në gjuhën shqipe, siç dëshmon edhe libreti i përdorur dje (27 nëntor), botuar më 24 prill 1968 (Liturgjia Hyjnore e shën Gjon Krizostomit apo e shën Joan Hrysostomit, siç thonë arbëreshët). Papas Barrale kujtoi se kjo meshë kremtohet për të gjithë shqiptarët, kudo ndodhen, sepse ne, nënvizoi ai, “deklarohemi të gjithë shqiptarë”. Vërtet, mesha ka filluar të kremtohet që në vitet ’70, me nismën e imzot Eleuterio Fortinos, ish-zv.Sekretar i Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve, që ishte edhe në krye të Kolegjit e të kishës së Shën Athanasit. Të dëgjojmë dëshminë e gazetares e të përkthyeses Caterina Zuccaro…

Dëgjo Caterina Zuccaro-n...
Besojma
Besojma

Në Meshën e djeshme, në kishën e arbëreshëve të Romës, ishte e pranishme edhe ambasadorja e Shqipërisë në Republikën Italiane, znj. Anila Bitri. Ja urimet e saj për festën e sotme…

Dëgjo ambasadoren Anila Bitri...
28 nëntor 2022, 12:20