Kërko

Dome Koë Dedaj Dome Koë Dedaj

Dom Kolë Dedaj: thirrja e Jezusit kërkon vendosmëri, vetëdije dhe qëndrueshmëri

Dom Kolë Dedaj: thirrja e Jezusit kërkon vendosmëri, vetëdije dhe qëndrueshmëri. Pra Ungjilli i kësja së diele të 3-të gjatë vitit kishtar 'A' nga Meteu na kujton se "pikësëpari se Jezusi, ndërsa po e shpallte se Mbretëria e Qiejve është ngjat, veprimi i parët i regjistruar i tij që kemi është të zgjedhë nxënësit për të qenë me të dhe për t’i ndihmuar në shpallje të Fjalës së tij

R.SH. - Vatikan

Me këtë të diele të 3-të gjatë vitit kishtar fillon dëgjimi i Ungjillit sipas Mateut. E në fragmentin e kësaj së diele Mateu (4,12-23) na paraqet Jezusin i cili, pasi mësoi për arrestimin e Gjon Pagëzuesit, në një lloj tërheqjeje të matur, kthehet në Galile, "në tokën e Zabulonit dhe të Neftalit", një citim nga profeti Isaia (I Leximi Is 8,23b-9,3). Përmbushen kështu Shkrimet e Shenjta.

E këtë të diele dëgjojmë rrëfimin e fillimit të shërbesës publike të Jezusit sipas Mateut ungjilltar. Në Galile Jezusi e fillon shërbesën e tij. Fjala e tij është dritë që shpërndan errësirën dhe ngroh zemrat, thirrja e tij e shndërron jetën e dishepujve të parë. Të ndjekim pas edhe ne Mësuesin Hyjnor, për t'u udhëhequr prej tij në plotësinë e jetës. Të ndjekim komentin e leximeve biblike të Dielës së 3-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë ‘A’ nga dom Kolë Dedaj,  Zëvendës Rektor i Seminarit Ndërdioqezan ‘Zoja Këshillit të Mirë’ në Shkodër:

Dom Kolë Dedaj

Mt 4,12-23

Kur Jezusi e mori vesh se e kishin burgosur Gjonin, u tërhoq në Galile. E la Nazaretin e shkoi e u vendos me banesë në Kafarnaum, qytet bregdetar në krahinën e fisit të Zabulonit e të Neftalit, që të shkonte në vend fjala që tha Isaia profet:
“Tokë e Zabulonit e tokë e Neftalit, në drejtim të detit, përtej Jordanit, Galileja pagane, populli që gjendej në errësirë, pa një dritë të madhe; atyre që banonin në krahinën e hijes së vdekjes u lindi drita.”
Që atëherë Jezusi filloi të predikojë: “Kthehuni, se Mbretëria e qiejve është afër!”
Ndërsa Jezusi po ecte afër Detit të Galilesë, pa dy vëllezër - Simonin që quhet Pjetër dhe Andreun, të vëllanë e tij, duke hedhur rrjetën në det: ishin peshkatarë. E u tha: “Ejani pas meje e unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish!”
Ata menjëherë lanë rrjetat e shkuan pas tij. Duke vazhduar rrugën më tej, pa dy vëllezër të tjerë, Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, vëllain e tij, në lundër bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke rregulluar rrjetat dhe i thirri. Ata aty për aty lanë lundrën dhe babain e shkuan pas tij.
Jezusi shkonte prej një vendi në një vend tjetër nëpër mbarë Galilenë, duke mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar Ungjillin e Mbretërisë e duke shëruar në popull çdo sëmundje e çdo lëngatë.

E Diela e Fjalës së Zotit (III – gjatë Vitit kishtar A)

(Viti A: Is 8,23-9,3; Ps 27(26),1.4.13-14; 1Kor 1,10-13.17; Mt 4,12-23)

Liturgjia e kësaj të diele, që është edhe e Diela kushtuar Fjalës së Zotit, na paraqet Jezusin i cili, njëherë që u pagëzua nga Gjoni dhe pasi kaloi tundimin në shkreti, fillon misionin e mbarështimit të tij publik. Jezusi nga rajoni i Jordanit tërhiqet në Galile, pra nga mesi i Izraelit në veri. Nuk shkon në Nazaret, që ishte një katund i vockël me 5 deri 10 hk hapësirë e me rreth 200 banorë, ku gjithkush njihte gjithkënd. Vendos që shkoj në një qytet “bregdetar”, në Kafarnaum (heb. kəp̄ar naḥûm – katundi i Nhumit)[i]. Ky vend ishte qendër tregtare e peshkimit, pranë liqenit të Galilesë. Thuhet det nga kuptimi hebraik i fjalës yām (fj.fj. ujë) që është i njëjtë si për det si për liqe. Madhësia e tij ishte 166.7 km2, aq i vogël sa që liqeni i Shkodrës (368 km2) i zë dy të tillë dhe i mbete ende vend. Jezusi e zgjedh këtë vend për dy arsye: nga njëra anë që të shpallet lajmi i mirë botërisht është e nevojshme që ta dëgjojnë sa më shumë njerëz, e nga ana tjetër Mateu na tregon se kështu u “përmbush” profecia rreth Zabulonit e Naftalit e thënë në Isainë.

Në të dy rajonet që profecia e Isaisë përmend, Jezusi kishte jetuar. Fiset e vendosura mes detit dhe liqenit, pra ai i Zabuloni, që përfshin Nazaretin, dhe i Neftalit, që përfshin rrethin e liqenit të Galilesë, janë respektivisht vendi i lindjes dhe vendi i shërbimit të Jezusit. Po për çfarë profecie bëhet fjalë? Bëhet fjalë për profecinë se për këto dy fise të zënë nën zgjedhën e Asirëve u lindi drita e Mesisë e si rrjedhojë edhe çlirimi. Profeti përdorë figurat e dritës së Zotit (Zan 1), si shenjë e mirësisë, e krijimit, e shndritjes kundrejt asaj të errësirës, si shenjë e së keqes, vuajtjes, dhimbjes dhe mbretërisë së vdekjes. Profecia kujton çlirimin nga trysnia e sunduesit dhe daljen e re (Dal 1-2) dhe në fund risjell edhe fjalorin e premtimit të Davidit për një sundues të amshuar nga fara e tij (2Sam 7). Gjithë këtë Mateu e përmbledh me dy rreshta duke dashur të tregoj se kjo u “përmbush” dhe se Mbretëria e Qiejve, po zhvillohet tani në personin e Jezusit Mesi.

Pikësëpari Jezusi, ndërsa po e shpallte se Mbretëria e Qiejve është ngjat, veprimi i parët i regjistruar i tij që kemi është të zgjedhë nxënësit për të qenë me të dhe për t’i ndihmuar në shpallje të Fjalës së tij. Në qendrën e industrisë së peshkimit duket normale që të zgjedhë peshkatarë. Nuk duhet menduar se ishin persona të vetëm që qëndrojnë breglumi apo mbi ura me fuzhnja. Jo, po peshkatarët, sikurse edhe tagrambledhësit, ishin ndër më të mirëqenit në vend. Duke ndryshuar stilin e jetës së tyre krejtësisht, pas thirrjes së Jezusit, këta kishin një humbje të madhe në fuqi punëtore si edhe në ekonomike. Pra, thirrja e Jezusit, kërkon vendosmëri, kërkon vetëdije për rrjedhojat që sjell si edhe qëndrueshmëri. Jezusi, duke i thirrur nuk u ndryshon punën, nuk u kërkon diçka jashtë mundësive të tyre, por u kërkon që të vazhdojnë të jenë peshkatarë, veçse tash të peshkojnë për Mbretërinë e Qiejve.

Qëllimi për të cilin Jezusi i thërret është të jenë “peshkatarë njerëzish”. Ne mund të na duket e lezetshme e ndoshta gjuhë metaforike romantike, por çka nënkupton?! Mua nuk më duket se peshkut i pëlqen të jetë i ngecur në fuzhnjë, në rrjetë a në kariq, e as njeriut nuk do t’i pëlqente të ishte në to! Nëse e shohim këtë figurë në prapavijën e BV e vërejmë se kjo metaforë përdoret për të thënë dy gjëra: peshkim për gjykim dhe peshkimi për shpëtim.

Tek Jer 16,16 shohim se Zoti çon peshkatarë për të zënë e për t’i gjykuar njerëzit, sepse e përdhosën vendin me qelbësirat e idhujve të tyre (krh Hab 1,14-16). Herët tjera Zoti çohet vetë si peshkatarë për të dënuar ata që shtypin të vobektët (Ez 32,3; Am 4,2). Porse këtu, besoj se Jezusi nënkupton peshkimin e njerëzve për Mbretërinë e Qiejve të cilën sapo ka filluar ta shpall. Kjo përforcohet edhe më shumë kur më vonë Krishti thotë se Mbretëria e Qiejve “i ngjan rrjetës që hidhet në det dhe mbledh çdo lloj peshku” (Mt 13,47-50) ku zënia për disa çon në gjykim e për të tjerët në shëlbim. Pra është metaforë për kohën e vendimmarrjes dhe Simoni e Andreu duhet t’i çojnë njerëzit për të marrë këtë vendim (shih Mt 10,5–15; 28,19–20).

Edhe vendi i quajtur “Galileja pagane” (gq. tōn ethnōn – e kombeve pagane) së bashku me popullsinë e tij janë një shenjë tjetër që thotë shumëçka. Që në kohën e mbretërve (shih 2Mbr 15,29; 17,24-34), Asiria kishte pushtuar veriun dhe si zakon, për të mbajtur nën kontroll vendet me shtrirje të gjerë gjeografike, i përziente popujt. Kështu vendasit e Galilesë i pati çuar në Asiri dhe asirianët në Galile. Prej asaj kohe jugorët i shihnin me dyshim Galileasit, si një popull melez.  Një shenjë tjetër domethënëse është edhe uji (heb. yām), që në përgjithësi në Bibël tregon paganët, kaosin, çrregullimin dhe vdekjen (shih Is 17,12; Ps 144,7; Dan 7; Zb 17,15).

Jezusi shkon në qendër të së keqes e të kaosit, për të zgjedhur peshkatarët që do t’i nxjerrin me kariq njerëzit prej tmerrit të ujërave të tërbuar në shëlbimin e tij. Pra “deti” dhe peshkimi nuk janë figura romantike, por e dhunshme. Sikurse atëherë edhe sot shpallja e lajmit të mirë has në kundërshtime të mëdha, në dhunë e në persekutime, por është e vetmja mënyrë për të dalë nga pështjellimi e kaosi në një botë të re, në botën e Mbretërisë së Hyjit. Duke e përfshi Galilenë e kombeve pagane Mateu jep edhe një shenjë se në ç‘drejtim dëshiron të shkojë ungjilli i tij. Dëshiron të thotë se Jezusi ka filluar nga Galileja e kombeve pagane dhe, në fund të misionit, i dërgon nxënësit e tij për t’ia shpallur “të gjitha” kombeve ungjillin (28,19)[ii].

Të jemi të vëmendshëm, atëherë, që ndërsa kalon Zoti në jetën tonë, të mos na kapërcej pa e takuar fare. E kur ta takojmë të hyjmë në bisedim me të duke lejuar që të na prekin thellësisht fjalët e tij për të ndryshuar rrënjësisht jetën tonë. Të lejojmë që Zoti të na zë në rrjetën e tij e të na çojë në shëlbim e pse jo edhe vet të bëhemi peshkatarë për Mbretëri

 

[i] Kafarnaum (Gjenezaret – BV yām-kinneret, Nm 34,11 etj.) tëbanim i rëndësishëm në Veriperëndim të bregut të liqenit. Kishte prani të centurionit (8,5) dhe doganë (9,9), që tregon se ishte qendër administrative vendore.  Në shek. I  popullsia ishte rreth 10,000, shumë më tepërs se në Nazaret. Edhe pse e kishte zyrtarin romak, tradicionalisht ishte qytet judaik.

[ii] Shih:

 J. J. M. Roberts, First Isaiah: A Commentary (ed. P. Machinist) (Hermeneia: Minneapolis, MN 2015) 146–154.

R. T. France, The Gospel of Matthew (NICNT: Grand Rapids, MI 2007) 140-147.

W. D. Davies –  D. C. Allison Jr., A Critical and Exegetical Commentary on the Gospel according to Saint Matthew (ICC 1: London – New York 2004) 398.

Ch. Bird, People Dwelling in Darkness Have Seen a Great Light (https://www.youtube.com/watch?v=zxE9uNgqeU0 : qasur me 18.01.2023 ora 19.00)

Ch. Bird, Fishing for Men Is Violent: Rethinking What it Means to Be a Fisher of Men in a Hebrew Background (https://www.youtube.com/watch?v=J2vuN-k_pOM : qasur me 18.01.2023 ora 20.00)

21 janar 2023, 09:19