Kërko

Vangelo della 3 domenica del tempo ordinario anno A - Gesù chiama i primi discepoli Vangelo della 3 domenica del tempo ordinario anno A - Gesù chiama i primi discepoli

Fjala e Zotit e dielës së 3-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Predikimi i Jezusit fillon në Karfanaum, në Galile, në tokën e banuar, në pjesën më të madhe nga paganët, gjeografikisht periferike nga Jerusalemi e fetarisht e ‘papastër’ për përzierjen e atyre njerëzve që nuk i përkisnin Izraelit. Nga Galileja sigurisht që nuk priteshin gjëra të mëdha për historinë e shpëtimit. E pikërisht nga ky vend, nga periferia, përhapet drita e Krishtit.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së 3-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 3-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 3-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Me kёtё tё diele, tё kohës liturgjike gjatё vitit kishtar, fillon kumtimi dhe dёgjimi i Ungjillit sipas Mateut. E pjesa e Ungjillit të kёsaj së diele (Mt 4,12-23), na flet pёr fillimet e predikimit te Jezusit, duke vënë së bashku motivet e ndryshme: zgjedhjen e Galilesë si vendin fillestar të predikimit të Jezusit; shfaqjen e dritёs atyre që gjendesehin në errësirë e në krahinën e hijes së vdekjes; thirrjen për t’u konvertuar, sepse Mbretëria e qiejve është afër, si temë kjo dominante të predikimit të Jezusit; thirrjen e katër dishepujve të parë nga Jezusi, që përbëjnë qelizën origjinale të grupit të Dymbëdhjetëve, mbi të cilët është e themeluar dhe nga të cilët ka lindur Kisha.

Ungjilli nga Mateu (Mt 4,12-23) na tregon për fillimin e predikimit të Jezusit në Galile. E reja që solli mesazhi i Jezusit është se Hyji u bë i afërmi ynë e se mbretëron tashmë mes nesh. Këtë na kujton liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele, në mënyrë të veçantë pjesa e Ungjillit nga Mateut ( 4, 12-23), e cila na flet për fillimin e misionit publik të Jezus Krishtit, e kumtin e Tij se Mbretëria e Hyjit u bë e afërt, madje tashmë erdhi mes nesh.

Pra, liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së tretë të kohës së zakonshme, gjatë vitit kishtar, përqendrohet tek fillimi i predikimit të Jezusit në Galile. Një vend periferik, por të cilit Izaia profet i pati parafolur një ardhmëri të lavdishme. Ky vend do të shihte një dritë të madhe, atë të Krishtit e të Ungjillit të Tij. Pikërisht termi ‘ungjill’ përdorej nga perandorët romakë për shpalljet e tyre. Por tani Lajmi i Mirë merr një kuptim rrënjësisht të ndryshëm.

Përdorimi i kësaj fjale në predikimin e Jezusit mori një kuptim fuqimisht kritik. Ishte një lloj si të thoshe: “Hyji, jo perandori, është Zoti i botës, e ungjilli i vërtetë, është ai i Jezu Krishtit”.
Pra, mund të themi se Lajmi i Mirë, i shpallur nga Jezusi, mund të përmblidhet kështu: Ai që mbretëron, është Hyji; Hyji është Zoti e mbretëria e tij është mes nesh, po bëhet realitet.
Kështu, e reja e lajmit të ri të Krishtit është se Hyji në Të u bë i afërt me njerëzimin, mbretëron tashmë mes nesh, siç e dëshmojnë mrekullitë dhe shërimet që kryen. Hyji mbretëron në botë përmes Birit të tij – Jezu Krishtit që u bë njeri e, me forcën e Shpirtit Shenjt, quhet ‘gishti i Hyjit.

Atje ku shkon Krishti, Shpirti krijues çon jetën e të gjithë njerëzit shërohen nga sëmundjet e korpit e të shpirtit. Sundimi i Hyjit shfaqet në shërimin e plotë të njeriut.
Me këtë Jezusi dëshiron të na tregojë fytyrën e vërtetë të Hyjit, të Hyjit që është afër, plot me mëshirë për çdo njeri; Hyjit që na dhuron jetë nga vetë jeta e tij. Mbretëria e Hyjit është jeta që ngadhënjen mbi vdekjen, drita e së vërtetës, që davarit errësirën e padijes e të gënjeshtrës.

                                                      Liturgjia e Fjalёs sё Zotit

Leximi i parë ( Is 8, 23: 9, 1-3)
Populli që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe

Lexim prej Librit të Isaisë profet
Në kohën e kaluar e përbuzi tokën e Zabulonit e tokën e Neftaliut, por në kohën e fundit do ta bëjë të lavdishme udhën përgjatë detit, përtej Jordanit, Galilenë pagane. Populli që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe; për banorët, që jetonin në krahinën e hijes së vdekjes, zbardhi për ta drita. Ti e shtove gëzimin, e madhërove harenë; ata gëzohen në praninë tënde si njerëzit që i gëzohen korrjes, si gëzohen kur ndajnë prenë. Sepse ti e thyeve si ditën e Madianit zgjedhën e tij të rëndë, guzhmën  e krahut të tij, e shkopin e atij që e dëbonte përpara. Fjala e Zotit!

Psalmi 27 (26)
Ref. Zoti është frita ime she shëlbimi im.

Zoti është drita ime dhe shpëtimi im,
kë do të kem frikë?
Zoti më fsheh në tendën e vet
në ditë të vështirë,
________________

Për një gjë të vetme i lutem Zotit,
vetëm atë ia kërkoj
që të jetoj në Shtëpinë e Zotit
të gjitha ditët e jetës sime,
që ta shijoj kënaqësinë e Zoti
e ta vërej shtëpinë e Zotit
________________

Besoj se do t’i shijoj të mirat e Zotit
në tokën e të gjallëve.
Shpreso në Zotin: bëhu burrë!
Ji zemërfortë e prite Zotin!

Leximi i dytë ( 1Kor 1,10-13.17)
Jini të gjithë një mendimi e mos të ketë përçarje ndër ju.

Lexim prej Letrës së parë të shën palit apostull drejtuar korintasve
Ju përbej, o vëllezër, pashë Emrin e Zotit tonë Jezu Krishtit: jini të gjithë një mendimi e të mos ketë përçarje ndër ju, por të jeni në përkim të plotë me ndjenja e në mendime. Sepse, o vëllezër, njerëzit e Klojes më lajmëruan se mes jush ka grindje.Ja, ku e kam fjalën: secili prej jush thotë: “Unë jam i Palit!” “Unë i Apolit!” “Unë i Kefës!” “Unë jam i Krishtit!”  Vallë, a qenka Krishti i ndarë? A mos u kryqëzua Pali për ju? Apo u pagëzuat në emër të Palit? Sepse Krishti nuk më dërgoi të pagëzoj, por të predikoj Ungjillin, madje ta predikoj, jo me dituri fjale, që të mos i humbë fuqia kryqit të Krishtit. Fjala e Zotit!

Aleluja!
Jezusi predikonte Ungjillin e Mbretërisë dhe shëronte në popull çdo sëmundje e çdo lëngatë.
Aleluja!

Ungjilli ( Mt 4, 12-23)
Erdhi në Kafarnaum që të shkonte në vend fjala e Isaisë profet.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Kur Jezusi e mori vesh se e kishin burgosur Gjonin, u tërhoq në Galile. E la Nazaretin e shkoi e u vendos me banesë në Kafarnaum, qytet bregdetar në krahinën e fisit të Zabulonit e të Neftalit,  që të shkonte në vend fjala që tha Isaia profet: “Tokë e Zabulonit e tokë e Neftalit, në drejtim të detit, përtej Jordanit,  Galileja pagane,  populli që gjendej në errësirë, pa një dritë të madhe; atyre që banonin në krahinën e hijes së vdekjes u lindi drita.” Që atëherë Jezusi filloi të predikojë: “Kthehuni, se Mbretëria e qiejve është afër!  Ndërsa Jezusi po ecte afër Detit të Galilesë, pa dy vëllezër ‑ Simonin që quhet Pjetër dhe Andreun, të vëllanë e tij, duke hedhur rrjetën në det: ishin peshkatarë. E u tha: “Ejani pas meje e unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish! Ata menjëherë lanë rrjetat e shkuan pas tij. Duke vazhduar rrugën më tej, pa dy vëllëzër të tjerë, Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, vëllain e tij, në lundër bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke rregulluar rrjetat dhe i thirri. Ata aty për aty lanë lundrën dhe babain e shkuan pas tij. Jezusi shkonte prej një vendi në një vend tjetër nëpër mbarë Galilenë, duke mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar Ungjillin e Mbretërisë e duke shëruar në popull çdo sëmundje e çdo lëngatë. Fjala e Zotit!

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

E DIELA III GJATË VITIT: EJANI MBAS MEJE!

(Is 8, 23 – 9, 3; Ps 27 (26); 1 Kor 1, 10-13.17; Mt 4, 12-23)

Ungjilli i sotëm fillon duke treguar se si, prej Nazaretit, Jezusi «shkoi e u vendos me banim në Kafarnaum, qytet bregdetar në krahinën e fisit të Zabulonit e të Neftalit», duke plotësuar kështu atë që thotë profecia e Isaisë që dëgjuam në leximin e parë: «Në kohën e kaluar Zoti e përbuzi tokën e Zabulonit e tokën e Neftalit, por në kohën e fundit do ta bëjë të lavdishme udhën përngjat detit, përtej Jordanit, Galilenë paganë. Populli që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe; për banorët që jetonin në krahinën e hijes së vdekjes, zbardhi drita plot shkëlqim.». Pikërisht këtë pjesë citon edhe Shën Mateu sot në Ungjillin e tij. Jezusi është «Dritë plot shkëlqim» jo vetëm për popullin e Izraelit, por edhe për mbarë botën. Këtë dëshiron ta theksojë Shën Mateu kur na bën t’i shohim këto lëvizje të Jezusit që, në pamje të parë, mund të duken të parëndësishme.

Pastaj ungjilltari vazhdon të na tregojë se si Jezusi filloi të predikonte. Predikimi i Jezusit kishte në thelb të vetin fjalët kthim dhe hapje ndaj Mbretërisë së Hyjit: «Kthehuni, se Mbretëria e Hyjit është ngjat!». Në Ungjill «Mbretëria e Hyjit» është vetë Jezusi. Kjo sepse vetëm Jezusin Hyji mbretëron krejtësisht. Vetëm aty, në atë trup e në atë shpirt, bëhet gjithçka që kërkon Hyji. Atëherë e kuptojmë se «Mbretëria e Hyjit është ngjat!» është si të thuash se Jezusi është ngjat. Por, që kjo afërsi e Hyjit ndaj nesh të ketë fryte shëlbimi, nevojitet edhe kthimi i njeriu, largimi i tij nga veprat e këqija.

Por ka diçka tjetër që Ungjilli sot dëshiron ta theksojë më fort: faktin se Jezusi fillon të thërrasë pranë vetes apostujt. Në Ungjillin e sotëm flitet vetëm për katër prej tyre.

Gjithnjë më ka bërë përshtypje një shprehje e një dokumenti kishtar, Pastores dabo vobis: «Kemi besim të patundur se nuk do të mungojnë kurrë krejtësisht në Kishë shërbestarët e shenjtë... Edhe nëse në vende të ndryshme të botës verifikohet një rënie e numrit të klerikëve, gjithsesi, veprimi i Atit, që i ngjall thirrjet, nuk do të mungojë kurrë në Kishë.».

Kisha është e bindur se Hyji gjithnjë do të kujdeset për popullin e Tij, se Ai, përgjatë çdo epoke, do të kalojë pranë atyre njerëz të cilët Ai vetë do (sikurse kaloi atë ditë pranë atyre peshkatarë) dhe do t’i bashkëngjisë në misionin e Tij Shëlbimprurës. Jo vetëm kaq, por kurrë nuk do të mungojnë ata që do të dijnë t’i japin përgjigjen e duhur (të shndritur nga Shpirti Shenjt) sfidave të epokave të ndryshme. Kjo bindje Kishës i vjen nga besimi i patundur në dashurinë e Hyjit, i cili nuk e braktis kurrë popullin e Tij. Kjo mund të na lejojë të themi edhe se, sa herë të shohim apo të dëgjojmë se dikush është shuguruar meshtar, apo i është kushtuar jetës rregulltare, duhet ta falënderojmë Hyjin që përsëri na e dha edhe një shenjë tjetër se Ai kurrë nuk e braktis popullin e vet.

Por, le të kthehemi tani përsëri tek Ungjilli i sotëm e të kuptojmë më mirë se ç’do të thotë thirrje.

Gjëja e parë që duhet të kuptojmë, është se, në përzgjedhjen e ndjekësve të vet, Jezusi nuk ka kriteret e botës. Ai shkon e zgjedh njerëz shumë të thjeshtë. Simon-Pjetri, Andreu, Jakobi dhe Gjoni ishin peshkatarë: në ato zona peshkimi ishte një zanat tejet i zakonshëm për të siguruar jetesën.

Kriteri i Jezusit ka një qëllim: të tregojë se nuk është aftësia e tyre ajo që do ta çojë përpara Kishën, por Hiri Hyjnor, që vepron gjithnjë, kur gjen zemra të gatshme ta lejojnë të veprojë. Madje Kisha duhet të ketë shumë kujdes kur “tundohet” të predikojë tjetër gjë përveç forcës së Hirit Hyjnor. Duhet të ruhet kur “tundohet” të mbështetet mbi forca të tjera përveçse në forcën e kryqit të Krishtit. Shën Pali e thotë shumë bukur sot në Letrën e tij të parë të drejtuar Korintasve: «Krishti më dërgoi të predikoj Ungjillin, madje ta predikoj jo me dituri fjale, që të mos i humbë fuqia e kryqit të Krishtit». Kjo forcë e mban Kishën, asgjë tjetër.

Gjithnjë Hyji ka zgjedhur mjete të brishta për përhapjen e Fjalës së Tij. Patriarkët e profetët nuk ishin njerëz kushedi sesa të veçantë për nga aftësitë njerëzore, por Hyji zgjodhi pikërisht ata për të çuar në vend planet e Tij shëlbimprurëse. Mjaftonte fakti që, lirisht, ata i ishin hapur Hirit Hyjnor. Shumica e shenjtërve ishin njerëz tejet të thjeshtë. Për më tepër ata vetë shpreheshin se ishin tejet mëkatarë e të brishtë përballë misioneve të ndryshme që Zoti u besonte. Shenj­tja Bernardetë Subiru, së cilës, kur ishte 14-vjeçare, iu shfaq Zoja në Lurdë të Francës në shekullin XIX, ngaqë ishte e vetëdijshme për paditurinë që e karakterizonte, thoshte pa ngurrim: «Nëse Virgjëra e Shenjtë më ka zgjedhur mua, është ngaqë unë isha më e paditura. Sikur të kishte gjetur ndonjë tjetër edhe më të paditur se mua, Zoja do të kishte zgjedhur atë.». Kaq e bindur ishte për këtë, saqë kur i thanë se në treg kishin filluar ta shisnin fotografinë e saj për dhjetë qindarka (e kur ia thanë këtë ajo tashmë ishte në manastir e kushtuar Hyjit) instinktivisht i erdhi të komentonte: «Dhjetë qindarka, po, unë kaq vlej.».

Gjëja e dytë që duhet kuptuar, është se Jezusi i thërret apostujt që të lënë gjithçka e të shkojnë pas Tij. Dy apostujt e parë lanë rrjetat, pra, braktisën zanatin me të cilin fitonin bukën. Është me shumë dobi për të gjithë ne që të mos lidhemi kurrë krejtësisht as pas atyre mjete që na sigurojnë bukën e përditshme. Ato shpesh, në vetvete, jenë të mira, por mund të shndërrohen në pengesë. Dikujt i duhet t’i lërë ato ngaqë Jezusi e fton për ndonjë mision tjetër, siç është rasti i apostujve. Por dikujt mund t’i duhet t’i braktisë ato ngaqë kanë filluar të shndërrohen në rast mëkati. I krishteri është i thirrur të mos e harrojë se jeta e tij është në duart e Zotit, gjë e cila nuk do të thotë se nuk duhet punuar, por se nuk duhet t’i vëmë shpresat kurrë krejtësisht në veprimtarinë tonë. Është pikërisht mungesa e një shkëputjeje të tillë që pastaj i hap rrugën mëkateve të ndryshme që bëhen në jetë, pikërisht për shkak të ankthit që të sigurohet buka e përditshme.

Plus kësaj, i krishteri duhet të jetë i shkëputur jo vetëm nga çdo gjë, por edhe nga çdokush. Dy apostujt e tjerë Jezusi i fton që ta ndjekin dhe Ungjilli thotë se «ata, aty për aty, lanë lundrën dhe babën e shkuan pas tij». Jo vetëm mjetin e jetesës, por edhe familjen.

Në jetën e Shën Luigji Gonzagës thuhet se ai dëshironte shumë të bëhej meshtar, por familja nuk ia lejonte, sidomos i ati. Kaq shumë presione i bënin, saqë një herë e dëbuan nga shtëpia. Shkoi të strehohej në një kuvend. Kur i ati i çoi fjalë të vinte e ta bisedonin edhe një herë çështjen, i thanë se Luigji nuk po pranonte të vinte. Shkuan në kuvend ta kërkonin dhe u thanë se djali i tyre ishte ndryrë brenda një dhome e nuk pranonte të dilte. Shkuan të shihnin, por mbetën të mahnitur nga ajo që arritën të shihnin përmes një të çare të derës: djali i tyre ishte gjunjëzuar përpara një Kryqi dhe po fshikullonte veten. Më vonë do të tregonte ai vetë se po fshikullonte atë pjesë të vetvetes që ende nuk ishte e gatshme që të braktiste luksin, pushtetin dhe lidhjet familjare, për dashurinë ndaj Krishtit. Prindërit e tij nuk iu bënë më kurrë pengesë në zgjedhjen e tij.

Dashuria për Krishtin ose prek deri edhe afektet më të forta të njeriut, ose ende nuk është e tillë. Kjo duket si një sentencë e tepruar, por, po ta mendosh, si do të gjykohej një vajzë e cila, për të shkuar të jetojë me burrin e vet, braktis, edhe pse në mes të lotëve, njerëzit me të cilët është rritur? Nuk ikën nga urrejtja, por për hir të një dashurie më të madhe. Kjo dashuri, pastaj, arrin të përfshijë gjithçka: të kaluarën, të tashmen e të ardhmen e saj. Kështu ndodh edhe me atë që ndihet i thirrur të ndjekë Krishtin: nuk shtyhet nga mungesa e dashurisë në jetë, por nga prania e një dashurie më të madhe, e cila i jep kuptim së kaluarës dhe së ardhmes së tij. Nuk është mençuri të vazhdosh të mbash qiriun e ndezur, ndërsa në dhomë është ndezur një dritë tjetër më e madhe.

«Ejani mbas meje e unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish!» u tha Jezusi atë ditë atyre peshkatarë të thjeshtë dhe na thotë edhe neve sot. Të mos lidhemi tepër, pra, me asgjë e me askënd, përveçse me Krishtin, Dritën e popujve. Në Krishtin, pastaj, do të dimë t’i duam vërtet si gjërat ashtu edhe njerëzit. «Mos u mbështet tek njeriu: i duhet të vdesë! Mos u mbështet tek pema: i duhet të thahet! Mos u mbështet tek muri: i duhet të shembet! Mbështetu tek Zoti e vetëm tek Zoti! Ai mbetet përgjithmonë.», thoshte Shën Françesku i Asizit.

Dom Dritan Ndoci

 

21 janar 2023, 09:16