Kërko

Forumi i Davosit Forumi i Davosit

Meshtarët katolikë të Davosit: “Njerëzit po presin zgjidhje”

Ndërsa Forumi Ekonomik Botëror i Davosit po i afrohet fundit, famullitari i kishës katolike të qytezës zvicerane të njohur për ski, analizon Takimin, që ka mbledhur politikanë dhe ekonomistë nga e gjithë bota

R.SH. – Vatikan

Forumi Ekonomik Botëror i këtij viti, që po zhvillohet sërish në Davos të Zvicrës, reflekton mbi një situatë globale krejtësisht të ndryshuar, që nga takimi i fundit i dy viteve më parë, para se mbledhjet të bëheshin në internet, për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia e koronavirusit.

“Kudo dëgjon për kriza. Bota duket sikur ka hyrë në modalitetin e krizës”, pohon, në mikrofonin e Radio Vatikanit - Vatican Neës, Át Kurt Susak, meshtari katolik i vendit. Përballë sfidave si kriza klimatike, krizat e ndryshme financiare, krizat energjetike, ose çështjet e furnizimit me ushqime, At Susak ka përshtypjen se pjesëmarrësit e Forumit, “me vetëdije”, po përpiqen të japin disa zgjidhje për këto probleme.

“Njerëzit po presin me shpresë zgjidhjet për konfliktet dhe për krizat globale”.

Meshtari vijon: “Ky Forum Ekonomik Botëror do të humbiste disi edhe besueshmërinë dhe legjitimitetin e tij nëse ky takim nuk do të paraqiste zgjidhje të pranueshme për njerëzit, që sjellin përmirësim në përballimin e konflikteve dhe të sfidave të shumta”. Edhe bashkësia katolike në Davos po lutet për këtë.

“Të punojmë së bashku në një botë të fragmentuar”

Motoja e Forumit Ekonomik Botëror për vitin 2023 është “Të punojmë së bashku në një botë të fragmentuar”. Át Susak vëren se të gjithë e përjetojnë këtë copëzim, si "globalisht, ashtu edhe personalisht", duke shtuar: "Gjithashtu kemi frikë, frikë për të ardhmen".

Lufta e Rusisë me Ukrainën sjell në botë “rrezikun e vërtetë për një Luftë III Botërore” e, pikërisht para kësaj perspektive, “Kisha ka një mesazh shumë të rëndësishëm, qendror dhe shpresëdhënës”.

"Ne duhet ta jetojmë bashkimin në larminë e ndryshimeve, por edhe këtë larmi ta kthejmë në unitet”, pohon famullitari i Davosit. "E këtë ideal,  ne të kishës në Davos e shoqërojmë edhe me lutjen tonë, për të cilën kemi nevojë më shumë se kurrë".

Heshtje dhe lutje

Át Susak kujton se si, 25 vite më parë, një ndihmës-famullitar në Davos themeloi një "format të mrekullueshëm", të ashtuquajturin "Heshtje dhe lutje". Ai i mblodhi njerëzit që të luteshin për ndjetin e marrjes së vendimeve të mira, “për një botë më të drejtë dhe paqësore”, shpjegon meshtari.

Ky format po përdoret edhe këto ditë, nën kujdesin e Shoqatës së Kishave të Krishtera në Davos. Katolikët, të krishterët e reformuar dhe Kishat ungjillore luten së bashku në mbrëmje, për të kërkuar zgjidhje, duke filluar nga Ungjilli. Në të kaluarën, nënvizon Át Susak, në larminë e saj, në teologjinë e saj morale dhe në etikën e saj shoqërore, Kisha ka gjetur vazhdimisht ‘përgjigje të frymëzuara’ për sfidat e epokave të ndryshme. "Duhet vetëm t'i thërrasim mendjes e t’i kujtojmë sërish e sërish”.

Në të kaluarën, Vatikani ka dërguar çdo vit përfaqësues të Kishës në Forumin Ekonomik Botëror. Vitet e fundit, kanë qenë në Davos, kardinali Peter Turkso, kardinali Michael Czerny e, më parë, edhe Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin. Këtë vit, për herë të parë, Selia e Shenjtë nuk ka dërguar asnjë përfaqësues zyrtar në këtë ngjarje. Kohët e fundit, kujton Át Susak, vetë Papa Françesku, në një nga mesazhet për Forumin e Davosit, pati theksuar: “Gjithçka është thënë, tani veproni; për këtë bëhet fjalë”.

Zëra kritikë

Famullitari i ka mirë parasysh zërat, që e kritikojnë Takimin. I konsideron të ekzagjeruara masat e sigurisë e postoblloqet në rrugë, që synojnë ndalimin e protestave. Vë në dukje edhe “ kostot e mëdha ekonomike” të këtij Forumi Ekonomik Botëror, që mbulohen nga qeveria federale zvicerane, kantoni dhe komuna, për të cilat njerëzit pyesin "nëse ia vlen, nëse janë të nevojshme dhe ç’rezultat përfundimtar i takimit do t’i justifikonte”. Gjithashtu, Át Susak vëren  se shumë gjëra nuk bëhen në mënyrë transparente, por diskutohen me dyer të mbyllura dhe shumë pak bëhen publike.

“Ka teza, opinione, teori, që nxisin rezistencën kundër elitës së mbledhur në Forumin Ekonomik Botëror”.

Ana pozitive e Forumit të Davosit

Nga Forumi i Davosit duhet kaluar në “Ekonominë e Françeskut", nënvizon më pas Át Susak, duke kujtuar se një nga qëllimet e projektit të Atit të Shenjtë është promovimi i "një ekonomie", që "duhet t'i shërbejë paqes e jo luftës"; që “e ruan Krijimin e nuk e plaçkit atë”.

Me fjalë të tjera, "një ekonomi, në të cilën kujdesi zëvendëson indiferencën", shpjegon meshtari. Një ekonomi, në të cilën financat janë mike dhe aleate të ekonomisë reale dhe të punës e jo armiku i tyre. Kjo, nënvizon ai, nuk është ëndërr utopike. "Nëse çdo njeri luan rolin që i takon, atëherë ekonomia e së sotmes dhe e së nesërmes mund të bëhet ekonomi e Ungjillit", pohon së fundi Át Susak. "Shpresoj që kjo të jetë e mundur në këtë Forum, në këtë vit sfidues, me këtë ndryshim kohërash e me lloj-lloj krizash".

19 janar 2023, 17:53