Kërko

 Gesù e la resurrezione di Lazzaro - Vangelo della Domenica Gesù e la resurrezione di Lazzaro - Vangelo della Domenica

Fjala e Zotit e dielës së 5-të të Kreshmëve ‘A’

Fjala e Zotit, në mënyrë të veçantë pjesa e Ungjillit na flet për ringjallje e besim në Krishtin, dhurues jete. Kur flasim për jetën e vdekjen, fenë e shpresën, duhet të ndjekim fillin e Ungjillit, që na tregon ringjalljen e Lazrit. Rikthimi i tij në jetë në një farë mënyre duhet parë si paralajmërim i vdekjes për Jezusin

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 5-të e të fundit të kohës së Krezhmëve, që paraprijnë e përgatisin Pashkët. Kjo e diel hap para nesh perspektivën e Ngjalljes. Fjala e Zotit, në mënyrë të veçantë pjesa e Ungjillit na flet për ringjallje e besim në Krishtin, dhurues i jetës.

Fjala e Zotit e dielës së 5-të të kohës së Krezhmëve ‘A’

Fjala e Zotit e dielës së 5-të të kohës së Krezhmëve ‘A’

Ezekieli profet (Leximi Parë), në emër të Zotit, u flet të mërguarve në Babiloni, për kthim e për shpresë, si për një ringjallje. Gjoni ungjilltar me tregimin mbi ringjalljen e Lazrit paraqet ngjalljen e Jezusit (Ungjilli).

Duka na folur për ringjalljen e Lazrit, Ungjilli i kësaj së diele na kujton se sipas fesë, vdekja e korpit është rënie në gjumë, nga i cili Zoti mund të na zgjojë në çdo çast. Kur flasim për jetën e vdekjen, fenë e shpresën, duhet të ndjekim fillin e Ungjillit, që na tregon ringjalljen e Lazrit. Rikthimi i tij në jetë në një farë mënyre duhet parë si paralajmërim i vdekjes për Jezusin.

Me këtë mrekulli të madhe e të fundme – ringjalljen publike të vëllait të Martës e të Marisë - Krishti u jep Kryepriftërinjve të Sinedrit dhe skribëve (shkronjësve) ‘provën e gjallë të hyjnisë së tij’: është pikërisht mrekullia ajo që i zemëron e i shtyn të mendojnë për ta mbytur Nazarenasin. Por episodi  i Ungjillit përmban edhe vlerat e mëdha humane: miqësinë, mëshirën e dhimbjen për vdekjen e njeriut të dashur, vetë thelbin e misionit tokësor të Jezusit: fitoren e Hyjit mbi vdekjen. “Mikun tonë, Lazrin, e ka zënë gjumi; po shkoj ta zgjoj” u thotë Jezusi nxënësve të vet tejet të habitur. Krishti Zot e shikon vdekjen fizike si gjumë, nga i cili mund të na rizgjojë.

Ky sundim mbi vdekjen, nuk e pengoi Jezusin të provonte dhimbje për ndarjen nga miku, njeriu i dashur. Duke parë lotët e Martës, të Marisë e të atyre që kishin shkuar për kryeshëndosh për vdekjen e Lazrin, edhe Jezusi u prek thellë në shpirt, u turbullua e më në fund, shpërtheu edhe ai në vaj. Zemra e Jezusit është hyjnore-njerëzore: në Të Hyji e njeriu takohen përsosurisht, pa ndarje, pa pështjellim. Ai është shëmbëllimi, madje, mishërimi i Hyjit, që është dashuri, mëshirë, dhëmbshuri atërore e amtare, jetë.

Edhe Marta, motra e Lazrit, në një farë mënyre shprehu pakënaqësinë për arritjen me vonesë të Jezusit. Por pati privilegjin të dëgjonte, nga goja e vetë Mësuesit Jezus, pohimin, që është zemra e mesazhit të krishterë: “Unë jam Ngjallja dhe Jeta; kush beson në mua, edhe në se vdes, do të jetojë; kush jeton e beson në mua, nuk do të vdesë në amshim”. E të njëjtën pyetje, që ia bëri Martës më pas: “A e beson ti këtë?”, Krishti ia bën prej mëse dynmijë vjetësh secilit nga ne,

Një pyetje që e kapërcen aftësinë tonë për të kuptuar e që na fton t’ ia besojmë veten Atij, ashtu si ia besoi ai Atit. Shembullore përgjigjja e Martës: “Po Zotëri! Unë besoj se ti je Mesia, Biri i Hyjit – ai që duhet të vijë në botë”. Po, o Zot! Edhe ne besojmë, megjithë dyshimet tona e paqartësitë tona njerëzore; besojmë në Ty, sepse Ti ke fjalët e jetës së pasosur; duam të besojmë në Ty, që na dhuron shpresën e sigurt të jetës së përtejme, jetës së vërtetë e të plotë në mbretërinë tënde të dritës e të paqes.

                                                         Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë (Ez 37, 12-14)

Lexim prej Librit të Ezekielit profet

Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë do t’i hap varret tuaja dhe do t’ju nxjerr nga varret tuaja, o populli im, dhe do t’ju shtie në tokën e Izraelit. Do ta dini se unë jam Zoti kur t’i kem hapur varret tuaja e t’ju kem nxjerrë nga varret tuaja, o populli im! Do t’jua jap shpirtin tim dhe ju do ta rifitoni jetën dhe do t’ju vendos në tokën tuaj. Ju do ta dini se unë jam Zoti. Çka them unë, atë edhe e bëj - thotë Zoti Hyj.” Fjala e Zotit!

Psalmi 130 (129)
Ref: Zoti është mirësia dhe mëshira.

____________________________________________

Prej humnerës klitha tek ti, o Zot,
o Zot, dëgjoje britmën time!
Le ta dëgjojnë veshët e tu,
zërin e lutjes sime.

_____________________________

Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot,
O Zot, e kush do të qëndrojë para teje?
Por tek ti gjendet falja
që të dimë të të druajmë.
________________________________

Shpresoj në ty, o Zot,
shpirti im shpreson në premtimin e tij.
E pret shpirti im Zotin
më tepër se rojtarët agimin.
_____________

Le të shpresojë Izraeli në Zotin,
sepse te Zoti është mëshira
dhe i madh është tek Ai shpërblimi.
Ai do ta nxjerrë Izraelin
prej të gjitha paudhësive të tija.
____________________________________________

Leximi i dytë (Rom 8, 8-11)

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, ata që jetojnë nën ndikimin e trupit, nuk mund t’i pëlqejnë Hyjit. Ju nuk jeni nën ndikimin e mishit, por nën atë të Shpirtit Shenjt, në qoftë se Shpirti i Hyjit banon në ju. Nëse ndokush nuk e ka Shpirtin e Krishtit, ai nuk i përket Atij. E nëse Krishti është në ju, trupi është patjetër i vdekur për shkak të mëkatit, e Shpirti është jetë për shkak të drejtësisë. – Nëse Shpirti i Atij që e ngjalli nga të vdekurit Jezusin banon në ju, atëherë Ai që ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t’i japë jetë edhe trupit tuaj të vdekshëm me anë të Shpirtit të vet që banon në ju. Fjala e Zotit!

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Unë jam ringjallja dhe jeta, thotë Zoti,
kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Ungjilli (Gjn 11, 1-43)

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Aso here ishte i sëmurë njëfarë Lazri nga Betania, prej fshatit të Marisë e të motrës së saj, Martës. Maria ishte ajo, që e pati lyer Zotërinë me erëra të mira dhe ia pati fshirë këmbët me flokët e saj. Pra, vëllai i saj, Lazri, ishte i sëmurë. Prandaj motrat i çuan fjalë:
“Zotëri, ai që ti e do, është i sëmurë.”
Jezusi, kur dëgjoi, tha: “Kjo sëmundje nuk është për vdekje, por për lavdi të Hyjit, që të nderohet në saje të saj i Biri i Hyjit.”
Jezusi e kishte fort për zemër Martën, motrën e saj dhe Lazrin. Megjithatë, kur mori vesh për sëmundjen e tij, u ndal edhe dy ditë në atë vend ku ndodhi. Veç atëherë u tha nxënësve: “Ejani të shkojmë prapë në Jude.”
Nxënësit i thanë: “Mësues! Tani judenjtë deshën të të vrasin me gurë e ti përsëri do të kthehesh atje?”
Jezusi iu përgjigj: “Vallë, a nuk i ka dita dymbëdhjetë orë? Kush ecën ditën, nuk merr në thua, sepse e sheh dritën e kësaj bote. Kush ecën natën, merr në thua, sepse nuk ka dritë në të.”
U tha kështu, pastaj shtoi: “Lazri, dashamiri ynë fle, por po shkoj ta zgjoj.”
Atëherë, nxënësit e tij i thanë:
“Zotëri, nëse fle, do të shërohet!” Jezusi u foli për vdekjen e tij, kurse ata menduan se e kishte për gjumë të rëndomtë. Atëherë Jezusi u tha haptas: “Lazri ka vdekur! Jam i kënaqur pse s’ndodha atje, pikërisht për ju - që të besoni! Por, ejani të shkojmë tek ai!”
Atëherë Toma, i quajtur Binjak, u tha bashkënxënësve: “Të shkojmë edhe ne të vdesim bashkë me të!”
Kur, pra, Jezusi arriti, mori vesh se ai ishte varrosur para katër ditësh. Betania ishte afër Jerusalemit diku rreth pesëmbëdhjetë stadje. Shumëjudenj kishin ardhur te Marta e Maria për t’i ngushëlluar për vëllain e tyre.
Kur Marta mori vesh se po vinte Jezusi, i doli para, kurse Maria ndenji në shtëpi. Atëherë Marta i tha Jezusit:
“Zotëri, të kishe qenë ti këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur. (Por) edhe tani e di se çkado që të lypësh prej Hyjit, Hyji do të ta japë.”
“Do të ngjallet vëllai yt!” - i tha Jezusi.
“E di se do të ngjallet - iu përgjigj Marta - në ringjallje - Ditën e fundit.”
Jezusi u përgjigji: “Unë jam Ringjallja dhe Jeta: kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë. Edhe kush jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë. A e beson ti këtë?”
Marta iu përgjigj: “Po, Zotëri! Unë besoj se ti je Mesia, Biri i Hyjit - ai që duhej të vijë në botë!”
Si tha kështu, shkoi dhe thirri Marinë, motrën e vet dhe i tha lehtë: “Mësuesi është këtu dhe të thërret.”
Kjo, posa dëgjoi, u çua me vrap e shkoi tek ai. Jezusi ende nuk kishte hyrë në fshat, por deri atëherë qëndroi atje, ku e kishte ndeshur Marta. Tashti judenjtë që ishin me Marinë në shtëpinë e saj dhe po e ngushëllonin, kur panë se si u çua me të shpejtë dhe doli përjashta, shkuan pas saj të bindur se po shkonte te varri për të qarë.
Maria, kur arriti atje, ku ishte Jezusi e, kur e pa, ra përmbys para tij dhe i tha: “Zotëri, të kishe qenë ti këtu, im vëlla s’do të kishte vdekur!”
Jezusi, kur pa duke qarë atë dhe se po qanin edhe judenjtë, që po e përcillnin, u trand në shpirt, u turbullua dhe pyeti: “Ku e keni vënë?”
“Zotëri, eja e shih!” - iu përgjigjën.
E Jezusit i ngufi vaji. Atëherë judenjtë thanë: “Shih, sa e ka dashur!” Disa prej tyre thanë: “A thua ky, që i dha dritën e syve të verbërit, nuk mundi të bëjë që ky të mos vdiste?”
Mandej Jezusi, përsëri i tronditur, arriti te varri. Ishte shpellë, e grykën ia kishin zënë me një gur.
Jezusi tha: “Hiqeni gurin!”
Marta, motra e të ndjerit, i tha: “Zotëri, tashmë ka marrë erë! Ka tashmë katër ditë që ka vdekur!”
“A nuk të thashë - iu përgjigj Jezusi - nëse do të besosh, do ta shohësh lavdinë e Hyjit?”
E hoqën, pra, gurin.
Jezusi i çoi sytë kah qielli dhe tha:
“O Atë, të falënderoj që ma dëgjove lutjen. Unë e dija se gjithmonë më dëgjon, por thashë kështu për shkak të popullit që më rrethon: që të besojnë se Ti më dërgove.”
Si foli kështu, thirri me zë të lartë: “Lazër, dil jashtë!” Dhe, ai që pati vdekur, doli jashtë, i lidhur duarsh e këmbësh me rripa pëlhure. Fytyrën e kishte të mbështjellë me rizë. Jezusi u tha: “Zgjidheni dhe lëreni të ecë!”
Atëherë shumë judenj që kishin ardhur te Maria, kur panë çka bëri Jezusi, besuan në të. Fjala e Zotit!

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

Homelia nga dom Dritan Ndoci

E DIELA V E KREZHMËVE 'A' : UNË JAM NGJALLJA DHE JETA.

(Ez 37, 112-14; Ps 130 (129); Rom 8, 8-11; Gjn 11, 1-45)

Para disa vitesh më qe kërkuar të mbaja një takim me një grup të rinjsh e m’u kërkua të flisja mbi jetën e Shenjtes Terezë të Jezusit Fëmijë. Takimi duhej të ishte i tillë që, pas një paraqitjeje të shkurtër nga ana ime, të rinjve t’u liheshin tri a katër pyetje mbi të cilat ata duhej të reflektonin në punën në grupe që do të pasonte. Bëhej fjalë për rreth 150 të rinj të cilët u ndanë në disa grupe jo të vogla. Ishte ende koha kur në Shqipëri kishim shumë të rinj. Duke qenë se njëri prej aspekteve më të forta të Shenjtes në fjalë ishte edhe mënyra se si ajo e shihte vdekjen dhe se si e përballoi atë, ishte e natyrshme që disa prej pyetjeve të cilave duhej t’u përgjigjeshin të rinjtë, mund të ishte edhe «Si e mendoni ju vdekjen? A besoni te jeta e pasosur, te ngjallja e trupit?» Gjëja që na befasoi shumë prej ne meshtarëve dhe motrave të pranishëm ishte se, në bashkëndarjen që u bë, u vu re se asnjëri grup nuk i ishte përgjigjur kësaj pyetjeje. A e bënë këtë nga turpi për të mos u dukur si “pleq” që flasin për vdekjen apo e bënë nga paqartësia që kishin rreth kësaj teme, nuk e di.

Por ndoshta ky lloj turpi e kjo lloj paqartësie duhet të kenë ekzistuar qysh në fillimet e Kishës. Duke qenë se të dielat e vitit A në kohën e Krezhmeve kanë pasur si qëllim kryesor të shërbenin si katekeza të fundit për të rriturit që do të pagëzoheshin në Vigjiljen e Pashkës, hierakia kishtare e ka parë qysh heret si të domosdoshme që, në njërën prej këtyre të dielave, leximet liturgjike, të fokusoheshin tek risia e vërtetë që ka predikuar Jezu Krishti, jo vetëm në lidhje me jetën pas vdekjes, por kryesisht edhe me ngjalljen e trupit, si edhe me pushtetin real që Krishti ka mbi vdekjen trupore.

Mrekullia që na sjell sot Ungjilli, është ajo e ringjalljes së Lazrit nga vdekja. Nga mënyra se si përshkruhet kjo mrekulli, na lë të kuptojmë se ishte padyshim njëra prej mrekullive më të bujshme të Jezusit, falë edhe dëshmitarëve të shumtë që ishin të pranishëm kur ajo ndodhi.

Para se të hyjmë të detajet e pjesës ungjillore, duhet të themi se, në të vërtetë, pohimi se të vdekurit një ditë do të ngjallen, nuk gjendet vetëm në krishterim. Një pohim i tillë vinte edhe nga tradita hebraike, gjë të cilën Besëlidhja e Vjetër na e dëshmon qartë. Leximi i parë që sot dëgjuam, pikërisht për këtë flet. Por, me Krishtin, një pohim i tillë merr argumentim, merr garanci. Prandaj Jezusit i duhej të vdiste e të ngjallej, për të treguar se, si Ai dhe prej Tij, çdo njeri që beson në Të, do të ngjallej edhe fizikisht për lavdinë e Parajsës. Mrekullia që Jezusi bën në Ungjillin e sotëm, ka si qëllim final pikë­risht të na bindë që ta besojmë këtë të vërtetë.

Të kuptohemi drejtë: të gjithë kemi frikë përballë vdekjes, të gjithë përpiqemi pothuajse gjithnjë që ta shmangim atë. Ka situata në të cilat është e vërtetë se duhet “ta vëmë bast jetën”, por sa do të donim që këto situata t’i mbanim sa më larg. Vdekja nuk ishte e menduar nga Hyji për njeriun, por, pas mëkatit, u pranua prej Tij për arsye që nuk është rasti këtu të shtjellohen (e që gjithsesi mbeten se mbeten të mistershme për ne). Megjithatë, Hyji nuk lejoi që të na kaplonte diçka mbi të cilën Ai nuk do të kishte pushtet. E, pikë­risht se na ka bërë për JETËN, Ai na ka premtuar edhe NGJALLJEN nga vdekja dhe na fton të besojmë realisht në pushtetin e Tij.

Gjendet një detaj në Ungjillin e sotëm që na bën ta shohim nga afër se sa real është ky kontrast i pranishëm në njeriun (pra, pikë­llimi përballë vdekjes dhe besimi në pushtetin e Hyjit): kur Jezusit i treguan se ku e kishin vënë trupin e vdekur të Lazrit, Ungjilli thotë se Atij «i ngufi vaji». Si njeri Jezusi nuk mund të mos qante përballë vdekjes, prandaj nuk duhet të çuditemi fort për këtë frikën tonë që spontanisht ndiejmë përballë vdekjes. Por, si Biri i Hyjit e Hyj ai vetë, Jezusi do të shqiptonte edhe këto fjalë përballë varrit me të vdekurin brenda: «Lazër, dil jashtë!» Si njeri, e qan Lazrin, si Hyj, e ringjallë atë.

Të besosh në ngjallje, pra, nuk dashka të thotë të mos tronditesh nga vdekja, të mos frikësohesh apo të mos qash përballë saj, por do të thotë ta sjellësh shikimin kah Hyji, i cili është i Vetmi që mbi vdekjen ka pushtet.

Por, duke e parë se kjo sjellje shikimi është tepër e vështirë nga ana e njeriut, Jezusi e sheh si të domosdoshme që të bëjë këtë mrekulli e shumë mrekulli të tjera të ngjashme me të. Ungjilli sot fillon duke thënë se, pasi Jezusi merr vesh për sëmundjen e rëndë të Lazrit, «u ndal edhe dy ditë në atë vend ku ndodhej». Pra, me dashje, Jezusi priti që Lazri të vdiste, që pastaj ta ringjallte. Pasi vdiq, ai u thotë nxënësve: «Lazri ka vdekur. Jam i kënaqur pse s’ndodha atje, shì për ju – që të besoni!» «Shì për ju»: meraku i madh Jezusit është që t’i bindë nxënësit e vet se Ai është «Ngjallja dhe Jeta».

Kah ky forcim në fe orientohet edhe dialogu që, në mes të lotëve e dhimbjes, dy motrat e Lazrit bëjnë me Jezusin. Është interesante se si, të dyja, si fjalë të para që i thonë Jezusit sapo e takojnë, kanë fjalët: «Zotëri, të kishe qenë ti këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur!» Ndoshta këto fjalë ato ia thonin përvajshëm edhe njëra-tjetrës kur u vdiq vëllai, me bindjen se Jezusi do ta kishte parandaluar me ndonjë mrekulli vdekjen e tij. U dukej sikur fjalën e fundit e kishte vetëm vdekja, por nuk e mendonin se pushteti mrekullibërës i Jezusit nuk kufizohej nga vdekja.

«Unë jam Ringjallja dhe jeta», do t’i thotë Jezusi Martës. Nuk ishte një fjalë e thjeshtë ngushëllimi, por një konstatim dhe, mrekullia që do të bënte pas pak, do të shërbente si argument për ta besuar këtë të vërtetë.

Por ringjallja e Lazrit nuk ishte si ngjallja e Jezusit e as si ngjallja që besojmë se do të ndodhë me të gjithë ne në fundin e kohës. Jezusi vetëm sa e ka kthyer në jetë Lazrin. Përsëri ai do të vdiste në të ardhmen. Megjithatë, kjo mrekulli shërbeu si shenjë, sepse kishte për qëllim që të forconte (nxënësit në atë kohë e ne sot) në besimin se Jezusi është Biri i Hyjit dhe se Ai ka pushtet mbi vdekjen. Martën Jezusi e pyeti: «A e beson ti këtë?» Pa i rënë tërthorazi, edhe ne sot na pyet Jezusi: «A e beson ti këtë?»

Nuk është detaj i parëndësishëm të themi edhe se ekzistonte rreziku real që Jezusin ta arrestonin e ta vrisnin nëse shkonte përsëri në Jude, sikurse edhe ndodhi. Megjithatë Jezusi, gjithsesi, shkoi atje: dashuria për mikun e tij, Lazrin, dhe dashuria për nxënësit e Tij, të cilët dëshironte t’i forconte në besimin e tyre në Të, bëjnë që Jezusi ta vërë në rrezik jetën e vet. Jep jetën e vet, për t’u dhënë jetë miqve të Tij: «Ju jeni miqtë e mi.» do t’u thotë Jezusi nxënësve të vet një natë para se të vdiste. E, ngaqë jemi miqtë e Tij, dëshiron të na bindë se nuk do të na zhgënjejë në besimin tonë në Të. Ngaqë jemi miqtë e Tij na duhet të besojmë se një ditë jo vetëm shpirti ynë do të gëzojë lumturinë e Parajsës, por edhe trupi. Fjala e Jezusit që thotë «po shkoj ta zgjoj» Lazrin që kishte vdekur, le të na mbushë me besim se pushteti i Jezusit mbi vdekjen është poaq sa kemi pushtet ne mbi gjumin e dikujt dhe e zgjojmë atë.

Duke iu kthyer Shenjtes Terezë që e përmenda në fillim, ajo, kur në moshën 24-vjeçare i thanë se tuberkulozi po e çonte dhimbshëm drejt vdekjes, ndër të tjera tha: «Misioni im do të fillojë kur të kem vdekur. Dua ta kaloj amshimin tim duke bërë mirë mbi tokë, duke dërguar vazhdimisht shi trëndafilash.» Mrekullitë e hiret e shumta (si “shi trëndafilash”) që shumë njerëz morën falë ndërmejtësisë së saj, e vërtetuan se ajo nuk po thurte poezi boshe kur i kishte thënë ato fjalë, por po shprehte besimin e saj të patundur se, në Krishtin, do të vazhdonte të jetonte, në pritje të ngjalljes së trupit.

Ajo e shumë shenjtër të tjerë na e kanë dëshmuar se janë të vërteta fjalët e Jezusit: «Unë jam Ringjallja dhe Jeta: Kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë. Edhe kush jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë.» Prandaj Kisha e sheh të domosdoshme që t’i sqarojë mirë bijtë e saj e t’i forcojë ata në fe.

Dom Dritan Ndoci

25 mars 2023, 10:02