Kërko

BE, Comece: aborti nuk do të jetë kurrë e drejtë themelore e njeriut

Komisioni i Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian (Comece) publikon një notë, në prag të votimit - më 11 prill, në Bruksel - për përfshirjen e së drejtës së abortit në Kartën e të Drejtave Themelore të BE-së. Vetë Karta, lexohet në dokument, "nuk mund të përfshijë të drejta, që nuk njihen nga të gjithë dhe i përçajnë njerëzit"

R.SH. – Vatikan

Pas botimit të “Dignitas Infinita”, dokumentit të Dikasterit vatikanas për Doktrinën e Fesë, i cili e rendit abortin ndër praktikat "e rënda dhe të dënueshme" të shkeljes së dinjitetit njerëzor, ipeshkvijtë e Evropës ngrenë sërish zërin kundër ndërprerjes së shtatzanisë, e cila “nuk mund të jetë kurrë e drejtë themelore” e njeriut, pasi shkon “në drejtim të kundërt me promovimin e vërtetë të grave dhe të drejtave të tyre”. Kështu shkruhet në një deklaratë të Comece-së - organizëm që mbledh të gjitha Konferencat Ipeshkvnore katolike të Bashkimit Evropian – me titull “‘Po’ promovimit të grave dhe së drejtës për jetën, jo abortit dhe imponimit ideologjik”, publikuar në prag të votimit të 11 prillit, në Bruksel, për përfshirjen e së drejtës së abortit në Kartën e të Drejtave Themelore të BE-së.

Rezoluta e paraqitur në korrik 2022

Pas përfshirjes të së drejtës së abortit në Kushtetutën franceze, debati për ta konsideruar ndërprerjen e shtatzanisë ndër të drejtat themelore të BE-së është hapur sërish në nivelin evropian. Rezoluta u paraqit fillimisht më 7 korrik 2022, por hasi kundërshtime nga disa shtete anëtare, ndërsa tani deputetët e Parlamentit Evropian kanë vendosur ta vënë në votë propozimin. Comece u drejtohet politikanëve dhe qytetarëve evropianë, duke theksuar se "promovimi i grave dhe i të drejtave të tyre nuk ka të bëjë me promovimin e abortit". “Të punojmë për një Evropë, ku gratë mund ta jetojnë lirisht amësinë e tyre, si dhuratë për veten dhe për shoqërinë dhe ku të qenit nënë nuk është në asnjë mënyrë kufizim për jetën e tyre personale, shoqërore e profesionale”, kërkojnë prelatët.

E drejta për jetën

“Aborti – lexohet më tej në dokument – nuk mund të jetë kurrë e drejtë themelore. E drejta për jetën është baza themelore e të gjitha të drejtave të tjera të njeriut”. Ipeshkvijtë përmendin veçanërisht të drejtën për jetë të më të brishtëve e më të pambrojturve, si fëmijët në barkun e nënës, migrantët, të moshuarit, njerëzit me aftësi të kufizuara dhe të sëmurët. Në fund të notës, vihet në dukje pikërisht deklarata “Dignitas Infinita”, ku shkruhet: “Qeniet njerëzore janë qëllim në vetvete dhe kurrë mjet për të zgjidhur probleme të tjera. Nëse kjo bindje zhduket, zhduken edhe bazat e forta dhe të qëndrueshme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të cilat do t'i nënshtroheshin gjithmonë tekave kalimtare të të pushtetshmëve” të kësaj bote. Prandaj, Konferencat Ipeshkvnore të BE-së i kërkojnë Brukselit të "respektojë kulturat dhe traditat e ndryshme të shteteve anëtare, si edhe kompetencat e tyre kombëtare", pa u imponuar " qëndrime ideologjike për njeriun, seksualitetin, gjininë, martesën, familjen, etj".

10 prill 2024, 10:29