Kërko

Palestinë Palestinë

Pizzaballa: "Paqja në Tokën Shenjte do të vijë vetëm nga poshtë"

Në bisedë me Patriarkun e Jeruzalemit, kardinalin Pierbattista Pizzaballa, pas dyqind ditësh lufte: “Ç’po ndodh tregon qartë pashmangshmërinë e zgjidhjes me ‘dy shtete’. Nuk ka alternativë tjetër për këtë, përveç vazhdimit të luftës”

R.SH. – Vatikan

         “Kur u takuam në nëntor për një bisedë të gjatë, 30 ditë pas fillimit të luftës në Gaza, sigurisht nuk e imagjinonim se do të gjendeshim ende këtu pas 200 ditësh, pa pasur asnjë ide për zgjidhjen e konfliktit”: kështu e nis bisedën e tij me të dërguarin e Radio Vatikanit / Vatican Neës, Roberto Cetera, Patriarku i Jeruzalemit, kardinali Pierbattista Pizzaballa, takuar në pallatin e Patriarkatit në Jerusalem, pas fjalimit të tij për Ditën e Tokës.

         “Fatkeqësisht, gjendja nuk ka ndryshuar shumë që atëherë: pasiguria për rezultatin e kësaj krize ende mbretëron – deklaron kardinali. - Ajo që ka ndryshuar, është qëndrimi i bashkësisë, që drejtoj, e cila ka rizbuluar busullën e orientimit dhe dëshirën për të mos u dorëzuar dhe për t'i rezistuar tragjedisë. Në fillim u tronditëm vërtet. Unë jam që prej 34 vitesh në këtë tokë, e cila tani është toka ime, e kam parë shumë luftëra, intifada, përleshje… por nuk kam asnjë dyshim: kjo është sprova më e vështirë me të cilën jemi përballur. Asgjë nuk do të jetë më si më parë. E nuk e kam fjalën vetëm për politikën, por edhe për secilin prej nesh. Kjo luftë do të na ndryshojë të gjithëve. Ky konflikt, në forma të ndryshme, ka zgjatur 76 vite”.

Përparësi: dëgjimi i njerëzve

         Kardinali Pizzaballa vë në dukje më pas nevojën për dëgjim, që kanë njerëzit, të cilët duhen kuptuar e ngushëlluar. “Tani – vë në dukje ai – filloi Pesach (festa hebraike e Pashkëve) e, para pak kohësh, përfundoi Ramazani: festat fetare janë rast i rëndësishëm për t’u njohur e për të biseduar. Nuk ka nevojë për fjalime të mëdha, mjafton të hamë e të pimë diçka së bashku e muret, që na ndajnë, bien. Ajo, që na shqetëson jashtëzakonisht tani, është mungesa e perspektivës. Që nuk do të thotë të hipotizosh në mënyrë abstrakte skenarë të së ardhmes, por të kuptosh cilët janë elementet e identiteteve tona, si mund të bashkëjetojnë, nëse jo të ndërthuren. Kjo vlen për të gjithë, sidomos për ne të krishterët. Edhe ne duhet ta rimendojmë si ta banojmë këtë tokë si të krishterë. Sigurisht, si dëshmitarë të historisë dhe të gjeografisë së Shëlbimit, por të jesh i krishterë është para së gjithash një mënyrë jetese, që mban gjurmët e Ungjillit. Është impenjim i vështirë e sidomos, i lodhshëm. Sepse dhimbja shpesh priret të jetë 'egoiste': dhimbjen time nuk e kuptojnë të tjerët, dhimbja ime është gjithmonë më e madhe se e të tjerëve”.

Është koha për një rrugë, që niset nga poshtë

Por duhet ta njohim dhimbjen e tjetrit, vëren Patriarku i Jerusalemit, e kjo nuk është thjesht mirësi e krishterë. Nuk ka alternativë tjetër për të dalë nga lufta. Sipas tij, të gjitha marrëveshjet për paqen, vendosur nga lart – mjafton të shihet marrëveshja e Oslos – kanë dështuar në terren, prandaj është koha për një rrugë, që niset nga poshtë. “Do të jetë e lodhshme, - nënvizon kardinali - por nuk shoh rrugë tjetër”. Por cili duhet të jetë roli i bashkësisë së krishterë në këtë proces që, për prelatin, fillon nga dëgjimi i të gjithëve, edhe nga ana e bashkësisë ndërkombëtare? Vetë fjalimet e kardinalit Pizzaballa, tani, në këto kohë lufte, kanë marrë një rëndësi të re. Çdo ndërhyrje e tij publike diskutohet: vlerësohet, ose kritikohet, por nuk kalon pa u vënë re.

“Është e vërtetë – pranon Patriarku. - Unë hyj deri diku në këtë mes. Ndoshta, fakti se jemi një pakicë e vogël, që përbën 2 ose 3% të popullsisë dhe që nuk i përket ‘de facto’ asnjë fraksioni, na jep këtë peshë specifike më të madhe. Shumë varet edhe nga fakti që, sado të paktë në numër, ne të krishterët jemi pjesë e një institucioni global universal. E sidomos, vlerësohet qëndrimi ynë gjithmonë me ata që vuajnë, gjë që u bën përshtypje të gjithë atyre - shumica – të cilët, pavarësisht nga besimi fetar, frymëzohen nga vlerat e humanizmit. E pastaj, kemi Papën Françesku”.

Thirrjet e Papës Françesku për Tokën Shenjte

“Fjala e Papës Françesku në këtë luftë ka pasur peshë të madhe deri tani – vijon reflektimin kardinali Pizzaballa. - Edhe kur ka qenë objekt kritikash nga të dyja palët, madje, pikërisht atëherë, ajo e ka dëshmuar autoritetin e madh që gëzon. Thirrjet e tij të vazhdueshme për lirimin e pengjeve dhe për armëpushimin e menjëhershëm në Rripin e Gazës janë me peshë në historinë e kësaj lufte. Dua të kujtoj se sot janë shumë ata, që bëjnë thirrje për armëpushim, por në nëntor dëgjohej vetëm zëri i vetmuar dhe i guximshëm i Papës Françesku. Kjo vlen edhe për popullin tonë dhe për të krishterët e Gazës. Ngushëllimi, që sjellin telefonatat pothuajse të përditshme të Papës është i madh dhe kanë shumë rëndësi edhe për ata që ndjekin me ankth fatin e të krishterëve, jashtë Gazës”.

Gjendja e të krishterëve në Rripin e Gazës

         Patriarku përshkruan më pas gjendjen e të krishterëve, të cilëve u vijnë rrallëherë ndihma e vetëm kur kjo ndodh, mund të hanë diçka më tepër. Problem mbetet ekuilibri i tyre psikologjik, pasi janë mbyllur prej gjashtë muajsh në ambientet e kishës, ku janë strehuar më se 500 vetë. Të gjithë ndihmojnë si munden. Kush nuk arrin të durojë më, kalon kufirin në Rafah e del nga Rripi i Gazës. Mund të vriten jo vetëm nga bombat, por edhe nga mungesa e ilaçeve dhe e kujdesit shëndetësor. “Të mallëngjen – tregon kardinali Pizzaballa - guximi dhe përkushtimi i veçantë i tri murgeshave të Nënë Terezës, të cilat nuk kanë reshtur kurrë së kujdesuri për fëmijët me aftësi të kufizuara. Shpresoj që së shpejti të jemi në gjendje të shkojmë te këta vëllezër e motra dhe t'u çojmë personalisht ndihmën, për të cilën kanë nevojë”.

Pashmangshmëria e zgjidhjes me “dy shtete”

         Së fundi, ndërsa në sfond dëgjohet zhurma e avionëve izraelitë, që drejtohen për nga veriu, Patriarku i Jerusalemit vë në dukje se pas konfliktit, gjendja do të jetë edhe më e vështirë. Rindërtimi i Gazës, rrafshuar me tokën, do të kërkojë dhjetra vite. Do të dëshironte që njerëzit të ktheheshin në tokën e tyre, po ku të rrinë, në tenda? “Duhet t'i japim fund kësaj historie dhe t’ia fillojmë nga e para, mbi baza të reja dhe të ndryshme nga e kaluara. Ndërkaq, mendoj se gjithçka po ndodh në këta gjashtë muaj, tregon qartë pashmangshmërinë e zgjidhjes me “dy shtete”. Nuk ka alternativë tjetër për këtë, përveç vazhdimit të luftës. Por të dyja shtetet duhet të ndryshojnë nga brenda. Dy shoqëritë, të cilat, gjithsesi, kanë ndryshuar rrënjësisht dhe me shpejtësi vitet e fundit, duhet të kenë guximin të ndryshojnë me themel”.

24 prill 2024, 12:43