Kërko

Jezuiti Át Lello Lanzilli dhuratë e Zotit për Kishën në Shqipëri

Sot paradite, në orën 10, në Kishën e Jezusit në Romë, u kremtua Mesha e dritës për jezuitin e ndjerë Át Lello Lanzilli, i cili u nda nga kjo botë në natën ndërmjet 2 e 3 prillit. Ndër rreth 200 meshtarët bashkëkremtues, ishin shumë të ardhur enkas nga Shqipëria, së bashku me besimtarët, që e kujtojnë mirë shërbimin e tij plot kushtim për Kishën, në Tiranë e në Shkodër. I pranishëm, imzot Angelo Massafra, kryeipeshkëv metropolit i Shkodër-Pultit

R.SH. - Vatikan

Shqipëria tejet e pranishme në Meshën funebre të paradites së sotme për jezuitin Át Lello Lanzilli, në orën 10, në kishën e Jezusit në Romë, në mos tjetër, për flamurin kuq e zi vënë mbi arkivol, për praninë e atij trëndafili të kuq, i vetmi me atë ngjyrë ndër lulet, që rrethonin arkivolin e për fuguren e martirëve të Kishës katolike shqiptare gjatë diktaturës së komunizmit, menjëherë pas fotografisë së tij. Por edhe për qindra shqiptarët e pranishëm, meshtarë, murgesha e laikë, shumë ardhur enkas nga Shqipëria, për t’i dhënë lamtumirën e fundit atij, që i bëri vend vetes me punën e pakursyer në atdheun e shqipeve, nga viti 1993, menjëherë pas rënies së komunizmit e, deri në vitin 2014. Aty ku dëshironte të kthehej sërish, pas 10 vitesh shërbimi në Romë, në organizma të ndryshme të Kuries Romake, në Vatikan e edhe në Kurien e jezuitëve.

Në Meshë ishin të pranishëm pikërisht Sekretari i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve, kardinali Mario Grech, si edhe kardinali Lorenzo Baldisseri, Sekretari i nderit i këtij Sinodi, pasi pikërisht këtu u thirr për të punuar Át Lello, menjëherë pas kthimit në Romë, për të vijuar pas disa vjetësh si sekretar personal i prefektit, në një organizëm tjetër vatikanas, në Sekretarinë për Ekonominë. Natyrisht, kryesoi meshën delegati për Shtëpitë dhe Veprat Ndërprovinciale të jezuitëve në Romë, Át Johan Verschueren, ndërsa nga Dikasteri vatikanas për Komunikimin, ku bën pjesë edhe Radio Vatikani, ishte i pranishëm prefekti, Paolo Ruffini. 

Riti i fundit para funeralit
Riti i fundit para funeralit

Të shumtë ata, që derdhën lot për Át Lello Lanzilli-n, i cili u nda nga kjo jetë në natën ndërmjet 2 e 3 prillit: duke filluar nga shoqëria e tij në Napoli, ku u lind më 1962 e ku bëri edhe gjithë formimin e tij si jezuit, për të vazhduar me banorët e S. Martino Valle Caudina, nga vinin prindërit, me jezuitët e meshtarët e tjerë, që e kishin mbushur sot plot altarin (të paktën 200 vetë) dhe bashkëkremtuan në meshën e dritës e, për të vijuar, natyrisht, me familjarët, njëra prej të cilëve i dha përshëndetjen e fundit. Për të mos folur për shqiptarët, të cilëve u jep zë kryeipeshkvi metropolit i Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra. Ta dëgjojmë…

Dëgjo imzot Angelo Massafra...
Gjatë meshës
Gjatë meshës

Gjatë homelisë së Meshës, Át Agostino Caletti, i cili foli edhe në shqip, vuri në dukje afërsinë e Át Lello Lanzilli-t me çdo njeri, gatishmërinë e tij për të dëgjuar këdo e për t’u impenjuar personalisht në zgjidhjen e çdo lloj problemi. I kërkoi ndërmjetësimin e tij në qiell për Kishën në Shqipëri, gjë që u përsërit edhe gjatë lutjes së besimtarëve. Kontributi i tij për formimin e të rinjve kujtohet, në mikrofonin tonë, nga don Mark Shtjefni, Rektori aktual i Seminarit ndërdioqezan “Zoja e Këshillit të Mirë” në Shkodër, ku Át Lello shërbeu si atë shpirtëror dhe si profesor i psikologjisë dhe i moralit në Institutin Filozofiko-Teologjik të të njëjtit seminar. Të dëgjojmë don Mark Shtjefnin

Dëgjo don Mark Shtjefnin...
Arkivoli para nisjes për në varreza
Arkivoli para nisjes për në varreza

Në shtator 2010, Át Lello Lanzilli iu kushtua drejtimit të gjimnazit "Át Pjetër Meshkalla" në Shkodër, detyrë, të cilën e mbajti deri në largimin e tij nga Shqipëria. Gjatë këtyre viteve, ishte edhe epror i bashkësisë së jezuitëve në Shqipëri e kancelar i kryeipeshkvisë Shkodër-Pult. Sot, gjimnazi drejtohet nga një murgeshë, motër Valentina Ndreca, edhe ajo e pranishme në meshën e dritës së paradites së sotme, së bashku me disa nga mësuesit. Ta dëgjojmë dëshminë e saj për trashëgiminë e Át Lello-s në shkollën “Át Pjetër Meshkalla"…

Dëgjo motër Valentina Ndrecën...
Gati për t'u nisur drejt varrezave
Gati për t'u nisur drejt varrezave

Pikë referimi për sa e njohën, në Itali e në Shqipëri, Át Lello Lanzilli lë një boshllëk në zemrat e atyre, që e deshën dhe e vlerësuan, por ndërmjetëson tani në Qiell për secilin. Lodhur së shumi, pas njëmijë impenjimeve të tij pa fund, pushon tani në paqe në shtëpinë e Atit të Gjithëpushtetshëm. Lamtumirë! Addio - U takofshim në Tënzonë!

05 prill 2024, 12:42