Kërko

Grup nga Nazareti Grup nga Nazareti

Zërat e besimtarëve të mbetur në Tokën Shenjte: të bashkuar me të rinjtë në Romë, për të kërkuar paqe

Dy të rinj, Maria Andréia dhe Marcelo Paulo, nga Bashkësia Shalom e Nazaretit, nuk mundën të shtegtojnë drejt Qytetit të Amshuar për Jubileun. Shkaku? Konflikti! "Megjithatë, pohojnë, është gjë e bukur të dimë se jeta jonë ka kuptim për të tjerët. Në këtë luftë njerëzit vuajnë, qeniet njerëzore vuajnë. Ne prekemi nga lutjet e njerëzve, që luten për paqe, veçanërisht në Lindjen e Mesme, e edhe ne bashkohemi me Kishën. Jetojmë në një kohë delikate përçarjesh e plagësh, por ia besojmë veten Zotit"

R.SH. - Vatikan

Të paaftë, për shkak të luftës, për të shtegtuar në Romë dhe për ta jetuar përvojën e Jubileut me mijëra të rinj të tjerë, të rinjtë e Tokës së Jezusit i binden besnikërisht nevojës për të qëndruar në vendet shenjte, pranë atyre që vuajnë nga konflikti. Një i ri dhe një grua me origjinë braziliane, misionarë në Bashkësinë Shalom të Nazaretit, flasin për kuptimin e mbrojtjes së tyre nga feja e nga lutja.

Maria Andréja: lutem në viset shenjte, është kohë hiri

Maria Andréia Bernardo ndodhet aktualisht ndërmjet Jeruzalemit dhe Betlehemit. "E pata përgatitur gjithçka për të shkuar në Romë, por me luftën, linjat ajrore anuluan fluturimet e me to, edhe shtegtimin tim! Ndërsa lutesha, dëgjova zërin e Zotit që më tha se do të ishte më mirë të rrija në Tokën Shenjte, sesa të shkoja në Jubile. E kuptova, në këto dy javë, se Zoti më donte këtu, me Të, duke bashkuar zemrën time me zemrat e të rinjve në Romë", kujton ajo. "Po lutem në vendet shenjte, shpesh vetëm, me forcën që më vjen nga Shpirti i Zotit. Është kohë e bukur, hiri, ndërmjetësimi, i jetuar jo vetëm me fjalë, por edhe me korp. Kohë e bukur..."

Maria Andréia
Maria Andréia

 E bukur, të dish se nuk je vetëm

Ajo e ndan butësinë e takimit me njerëz karizmash të ndryshme, në tokën ku lindi Jezusi:

“Është e bukur të dimë se nuk jemi vetëm. Është një jetë e tërë e krishterë, një Kishë e gjallë, jetëdhënëse, në këtë tokë. Sa e bukur është ta jetosh atë dhe të dish se jeta jote kuptohet duke jetuar për të tjerët, duke ndërmjetësuar për ata që vuajnë. Në këtë luftë, njerëzit vuajnë, qeniet njerëzore vuajnë”.

Maria Andréja thekson se ndërmjetëson për zemrën njerëzore, që duhet të pajtohet me Zotin. “E bashkoj zemrën time me Papën, themeluesin tonë, që është atje larg, në Romë. Ndihem thellësisht e bashkuar me të rinjtë, atje. Zoti donte të më jepte këtë përtëritje në Jezusin. Mund të lutem me Të, vetëm, në tabernakull, për të gjitha kombet në luftë. E veçanërisht për Lindjen e Mesme. Bashkohem, kështu, me morinë e të rinjve që luten”.

Marcelo Paulo
Marcelo Paulo

Marcelo Paulo: kohë plagësh, por lutja arrin

Edhe Marcelo Paulo do Nascimento është anëtar i shuguruar i Bashkësisë Shalom dhe po e ndjek Jubileun e Rinisë nga larg.

E kuptojmë se bota ka nevojë për dëshmitarë shprese dhe paqeje, e nuk ka mënyrë më konkrete dhe më të mprehtë për ta dëshmuar, sesa përmes Kishës së ribashkuar, e cila na tregon të rinj nga shumë vende të botës, që mblidhen për t'u lutur së bashku dhe për ta jetuar fenë e tyre së bashku", na thotë nga Nazareti.

"Erdhëm të nxitur nga uratët e shumë njerëzve, që luten për paqe, veçanërisht në Lindjen e Mesme, e u bashkuam me Kishën. Po jetojmë në një çast delikat ndarjesh dhe plagësh, pohon. E në vijim, nxit: Ta dëshmojmë pa frikë besimin tonë, ta jetojmë Ungjillin e Zotit tonë Jezu Krisht dhe ta shpallim atë me jetën tonë. Në Të është shpresa jonë."

Pranë njerëzve të prekur nga rreziku

Marcelo flet edhe për natyrën e thirrjes së vet, duke shpjeguar se misioni i tij është pikërisht të sigurojë praninë "pranë njerëzve, ndërmjet gjithë këtij rreziku e kësaj pasigurie. Është tashmë ngushëllim i madh për njerëzit". Bazilika e Lajmërimit normalisht mirëpret shtegtarë nga mbarë bota, e Ai na përshkruan rolin e bashkësisë së tij:

"Padyshim, gjatë kësaj periudhe, numri i shtegtarëve është pakësuar ndjeshëm, por ne vazhdojmë të organizojmë ngjarje në kishë, çdo javë. Në Bashkësinë Shalom përpiqemi të jemi edhe më afër të rinjve dhe familjeve. Organizojmë takime lutjeje në shtëpitë tona, ofrojmë mbështetje shpirtërore në Nazaret, Haifa dhe qytetet përreth. Gjatë sulmeve më intensive", shpjegon Marcelo, "si misionar, fillimisht ndjeva frikë; ndjeva vuajtjet e njerëzve të këtushëm, që nuk kishin strehë ku të shkonin. Shpresojmë të arrijmë paqen; ajo që mund të bëjmë, është të ofrojmë lutjet tona. Është përvojë e bukur uniteti, shenjë besimi dhe inkurajimi për të ecur përpara. Drejt një ardhmërie më të mirë...".

03 gusht 2025, 15:10