Çelësi i fjalëve të Kishës: familja dhe fëmijët
R.SH. – Vatikan
Javës së kaluar, në kuadrin e ciklit kushtuar Doktrinës Shoqërore të Kishës, ju folëm për familjen e dashurinë bashkëshortore, e cila është prej natyre e hapur ndaj pritjes së jetës. Lindja e fëmijëve shpreh subjektivitetin shoqëror të familjes dhe nxit dashurinë e solidaritetin ndërmjet brezave. Çdo fëmijë është dhuratë për prindërit e për gjithë familjen, por edhe për gjithë shoqërinë, prandaj, Kisha i ka kushtuar gjithnjë një vëmendje të veçantë këtij aspekti.
Pjesëmarrja e bashkëshortëve në veprën krijuese të Hyjit
Familja ndihmon në mënyrë të shkëlqyer të mirën shoqërore nëpërmjet atësisë dhe amësisë së përgjegjshme, forma karakteristike të pjesëmarrjes së veçantë të bashkëshortëve në veprën krijuese të Hyjit. Rreth «mjeteve» për të zbatuar lindjen e përgjegjshme të fëmijëve, para së gjithash duhet të refuzohen si moralisht të palejueshme qoftë sterilizimi, qoftë aborti, siç shkruante Papa shenjt Pali VI në enciklikën e tij “Humanae Vitae”(10). Ky i fundit, në veçanti, është një krim i urryeshëm dhe përbën gjithmonë një çrregullim moral veçanërisht të rëndë; jo vetëm që nuk është një e drejtë, por është një dukuri e trishtuar, që kontribuon rëndë në përhapjen e mendësisë kundër jetës, duke kërcënuar rrezikshëm një bashkësi shoqërore të drejtë e demokratike. Gjithashtu, janë moralisht të dënueshme si atentate ndaj dinjitetit të personit dhe të familjes të gjitha programet e ndihmës ekonomike që financojnë fushata sterilizimi dhe kontraceptimi. Po ashtu, Kisha nënvizon se nuk janë moralisht të pranueshme të gjitha teknikat riprodhuese, si fekondimi heterolog, ose mitra me qera, ndërsa, janë të lejueshme mjetet që paraqiten si ndihmë ndaj aktit bashkëshortor, pa e zëvendësuar krejtësisht atë.
Çështja e klonimit
Një çështje me rëndësi të veçantë shoqërore e kulturore, është qëndrimi ndaj klonimit njerëzor. Nga këndvështrimi etik, klonimi i disa lloj qelizave, ose i pjesëve të ADN-së për qëllime mjekësore, për shembull, nuk paraqet probleme të veçanta. Shumë i ndryshëm është gjykimi i Magjisterit papnor e kishtar mbi klonimin e tërësishëm të një qenieje të gjallë. Në rastin e njeriut, ai është kundër dinjitetit që ka lindja e fëmijëve, pasi realizohet në mungesën e plotë të aktit të dashurisë ndërmjet bashkëshortëve. Së dyti, siç vihet në dukje në dokumente të ndryshme të Akademisë Papnore për Jetën, ky lloj riprodhimi përfaqëson një formë sundimi të plotë mbi individin e riprodhuar nga ana e atij që e riprodhon. «Atësia dhe amësia përfaqësojnë një detyrë me natyrë jo thjesht fizike, por shpirtërore; në të vërtetë, nëpërmjet tyre kalon gjenealogjia e personit, që e ka fillimin e vet të amshuar në Hyjin dhe që te Ai duhet të drejtohet», siç nënvizon Papa shenjt Gjon Pali II në Letrën e tij drejtuar familjeve “Gratissimam sane” (10). Duke e pranuar jetën njerëzore në të gjitha përmasat e saj, familjet kontribuojnë në «bashkësinë e brezave» dhe ndihmojnë zhvillimin e shoqërisë. Është kjo arsyeja pse «familja ka të drejtë për asistencë nga ana e shoqërisë përsa u përket detyrave rreth lindjes dhe edukimit të fëmijëve të vet” (Selia e Shenjtë, Karta e të Drejtave të Familjes, neni 3).
Detyra edukative
E, është kjo edhe arsyeja pse familja e ka për detyrë t’i edukojë fëmijët, duke përçuar “vlera kulturore, etike, shoqërore, shpirtërore e fetare, thelbësore për zhvillimin dhe mirëqenien e anëtarëve të vet dhe të shoqërisë» (Selia e Shenjtë, Karta e të Drejtave të Familjes, hyrja). Duke ushtruar misionin e vet edukativ, familja kontribuon në të mirën e përbashkët dhe është shkolla e parë e virtyteve shoqërore, për të cilat të gjitha shoqëritë kanë nevojë. Kjo e drejtë-detyrë nuk mund t’u delegohet tërësisht të tjerëve, as të përvetësohet padrejtësisht prej të tjerëve, siç vinte në dukje Papa shenjt Gjon Pali II në Nxitjen apostolike “Familiaris consortio” (36). E kjo vlen edhe për edukimin fetar e moral: e drejtë që nuk mund të hiqet prej shtetit, por të respektohet e të nxitet; detyrë parësore, të cilën familja nuk mund ta lërë pas dore apo ta delegojë.
Bashkëpunimi me institucionet, para së gjithash, me shkollën
Prindërit, thekson Kisha, janë edukatorët e parë, por jo të vetmit edukatorë të bijve të tyre. Për këtë, nevojitet bashkëpunimi me institucionet, para së gjithash, me shkollën. Kisha e konsideron padrejtësi refuzimin e mbështetjes ekonomike publike ndaj shkollave jo shtetërore, pasi prindërve nuk duhet t’u mungojë e drejta për të zgjedhur shkollën e fëmijëve, edhe kur nuk kanë shumë mundësi ekonomike. Familja ka përgjegjësinë të japë një edukim të tërësishëm, sidomos me dëshminë e jetës, duke i mësuar fëmijët të jenë të gatshëm për dialog e takim, për të respektuar të tjerët e ligjin, për solidaritet e paqe, nëpërmjet kultivimit të virtyteve themelore të drejtësisë e të dashurisë. Prindërit kanë një përgjegjësi të veçantë edhe në sferën e edukimit seksual, duke verifikuar mënyrën me të cilën ai realizohet në shkolla e në takimet e miqësitë e fëmijëve, që kjo temë kaq e rëndësishme e delikate të përballohet si duhet.
Dinjiteti dhe të drejtat e fëmijëve
Doktrina Shoqërore e Kishës paraqet vazhdimisht nevojën që të respektohet dinjiteti i fëmijëve. Të drejtat e fëmijëve duhet të mbrohen prej sistemeve juridike. E drejta e parë e fëmijës është «të lindë në një familje të vërtetë» (Gjon Pali II, Fjalimi drejtuar Komitetit të gazetarëve evropianë për të drejtat e fëmijëve, 13 janar 1979). Respektimi i saj ka qenë gjithmonë problematik, por sot, ka madje, forma të reja dhunimi, përcaktuar nga zhvillimi i teknikave gjenetike. Në shumë anë të botës, fëmijët nuk kanë kushte për zhvillimin e tërësishëm, pavarësisht nga ligjet për mbrojtjen e të drejtave të tyre, miratuar nga bashkësia ndërkombëtare. Bëhet fjalë për kushtet e lidhura me mungesën e shërbimeve shëndetësore, mungesën e ushqimit të përshtatshëm, të mundësive për të marrë një minimum formimi shkollor dhe të një shtëpie.
Veç kësaj, mbeten të pazgjidhura disa probleme shumë të rënda: trafiku i fëmijëve, puna e të miturve, dukuria e «fëmijëve të rrugës», përdorimi i fëmijëve në konfliktet e armatosura, martesa e vajzave të vogla, përdorimi i fëmijëve për tregun e materialeve pornografike, edhe me anë të mjeteve më moderne e më të sofistikuara të komunikimit shoqëror. Është e domosdoshme të luftohen, në nivel kombëtar e ndërkombëtar, dhunimi i dinjitetit të vajzave e djemve të vegjël, shkaktuar prej shfrytëzimit seksual, prej pedofilisë dhe prej dhunës së çdo lloji. Vetëm kështu, familja bëhet vërtet protagoniste e jetës shoqërore. Por për këtë protagonizëm të saj do t’ju flasim në emisionin e ardhshëm.