Ipeshkvijtë e BE-së mbi rolin e Bashkimit Evropian në skenarin ndërkombëtar
R.SH. / Vatikan
Forcimi i misionit të Evropës. Ky është "synimi" që ka sivjet Asambleja Plenare Vjeshtore e Komisionit të Konferencave Ipeshkvore të Bashkimit Evropian (COMECE), e cila do të mbledhë ipeshkvij delegatë të konferencave episkopale të Bashkimit Evropian në Bruksel nga 1 deri më 3 tetor. "Takimi – thuhet në një deklaratë tëComece-s– do të përqendrohet në rolin e Bashkimit Evropian në skenarin aktual ndërkombëtar, i karakterizuar nga paqëndrueshmëria, mungesa e dialogut multilateral dhe rivaliteti në rritje ushtarak dhe ekonomik midis fuqive rajonale".
Në Asamblenë e Komisionit të Konferencave Ipeshkvore të Bashkimit Evropian do të marrin pjesë Komisioneri i BE-së Brunner, Zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian Sberna dhe Këshilltari Special i Komisionit Evropian Welle. "Në këtë kontekst turbullirash gjeopolitike, ipeshkvijtë e BE-së – shkruan Comece – do të reflektojnë mbi nevojën urgjente për të rivitalizuar Unionin për të shmangur rrezikun e parëndësisë ndërkombëtare, duke marrë si pikënisje vizionin themelues të Evropës.
Asambleja do të ofrojë mundësinë për të riafirmuar rëndësinë e forcimit të rolit të BE-së si promovues i dialogut dhe paqes në mbarë botën, duke promovuar njëkohësisht solidaritetin, përgjegjësinë, unitetin dhe drejtësinë brenda kufijve të saj.
Vëmendje e veçantë do t'i kushtohet fushave kyçe si migrimi dhe azili, mbrojtja, shteti i së drejtës, mbrojtja e të drejtave themelore të njeriut dhe ndikimi social i teknologjive në zhvillim, veçanërisht ato të bazuara në inteligjencën artificiale".
Të mërkurën, më 1 tetor, Asambleja e Komisionit të Konferencave Ipeshkvore të Bashkimit Evropian do të mirëpresë Klaus Welle, Këshilltar Special i Komisionerit për Mbrojtjen dhe ish-Sekretar i Përgjithshëm i Parlamentit Evropian. Diskutimi do të përqendrohet kryesisht në çështjet e paqes dhe mbrojtjes, në pozicionin e BE-së përballë konflikteve aktuale – veçanërisht luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës – dhe në iniciativat e mundshme për të promovuar dialogun dhe paqen në të gjithë kontinentin evropian dhe më gjerë.
Të enjten, më 2 tetor, ipeshkvijtë e BE-së do të dialogojnë me Antonella Sberna, Zëvendëspresidente e Parlamentit Evropian dhe përgjegjëse për zbatimin e nenit 17 të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian (TFUE). Pasdite, me Komisionerin Evropian për Punët e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, do të flitet për Paktin e BE-së për Migracionin dhe Azilin.
Asambleja e Komisionit të Konferencave Ipeshkvore të Bashkimit Evropian do të përfshijë gjithashtu edhe disa momente lutjeje, veçanërisht Meshën për Evropën, e cila do të kremtohet në Église de Notre-Dame des Victoires au Sablon, Bruksel, të mërkurën, më 1 tetor 2025, në orën 19:00. Mesha do të kryesohet nga imzot Mariano Crociata, President i Comece, dhe do të bashkëkremtohet nga të gjithë ipeshkvijtë delegatë.