Dita Kombëtare e Rinisë organizuar nga Kisha katolike në Vlorë
R.SH. / Vatikan
Më 27 shtatorin e kaluar në Vlorë u mbajt Dita Kombëtare e Rinisë me pjesëmarrje nga të gjitha Dioqezat e Shqipërisë, organizuar nga Administratura Apostolike e Jugut. Të gjithë grupet e të rinjve ishin të shoqëruar nga ipeshkvintë, meshtarët dhe motrat rregulltare. Porosia ishte "të jemi dëshmitarët e tu të vërtetë dhe t’u çojmë Lajmin e Mirë të dashurisë Sate të pafund atyre që kemi pranë çdo ditë". Të ndjekim shërbimin e Violeta Marshi:
LE TË SHKOJMË SË BASHKU NË PELEGRINAZH
Jubileu Kombëtar i Rinisë
Në festën e Shen Vinçenc De Paolit, 27 shtator 2025, u zhvillua Dita Kombëtare e Rinisë. Qindra të rinjë e të reja, pjesëmarrës nga të gjitha Dioqezat e Shqipërisë, shtegtuan drejt vendit mikpritës në qytetin e Vlorës, në Administraturën e Jugut për të marrë pjesë në këtë shtegtim kombëtar. Të gjithë grupet ishin të shoqëruar nga Ipeshkvinjtë, Meshtarët dhe Motrat e tyre, dhe kjo i jepte edhe më shumë emocion kësaj dite, ku të rinjtë ndjehen të sigurtë në duart e Zotit.
Secila dioqezë e kishte të përcaktuar vendin nga ku filloi Pelegrinazhi, dhe rrugët e Vlorës u mbushën me të rinjët që i thurnin lavde Hyjit përmes këngëve dhe lutjeve duke ia besuar këtë shtegtim Marisë, Nënës së Shpresës. Le të shkojmë së bashku në pelegrinazh … ishte kjo thirrje duke ndjekur gjurmët e dy shënjtërorëve më të rinjë të shpallur nga Papa Leoni XIV, Shën Carlo Acutis dhe Shën Pier Giorgio Frassati.
E ndërsa shtegtonin me pankarta në duar nën moton “Shpresa nuk Zhgënjen” të gjithë u bashkuan në sheshin kryesor të Lungomares ku u priten nga Ipeshkvi vendas, Imzot Giovanni Peragine, i cili falenderoi të rinjtë për praninë e tyre. Ju jeni dëshmi sot në mënyrë të veçantë për gjithë Vloren, ku me dëshminë tuaj ndiqni shpresën e Zotit.
Gjatë manifestimit të këtij shtegtimi, u shpalosën edhe dy dëshmitë e dy të rinjve që kanë jetuar eksperiencën e Ditës Botërore të Rinisë në Romë, të cilët me të vërtetë tashmë e shohin të ardhmen e tyre me dritën e Krishtit. Pas këtyre momenteve, të gjithë së bashku të prirur nga Kryqi i Shenjtë i mbartur nga të rinjtë, nisën shtegtimin drejt Pallatit të Sportit për të marrë pjesë në Kremtimin e Eukaristisë Shenjte, kryesuar nga Imzot Peragine. E të gjithë së bashku u lutën për këto të rinjë duke thënë: Bëj o Zot që të ushqyer nga ti dhe të forcuar nga bashkimi mes nesh, të jemi dëshmitarët e tu të vërtetë dhe t’u çojmë Lajmin e Mirë të dashurisë Sate të pafund atyre që kemi pranë çdo ditë.
Në fund të ditës u mbajt edhe një koncert festiv nga këngëtari Mateos Frroku.
Violeta Marashi