Kërko

2025.09.22 Veglia di preghiera per Gaza

Kard. Pizzaballa: jemi zemërthyer, nuk kemi kaluar kurrë një kohë kaq të vështirë

Me rastin e lutjes "Paqe për Gazën", organizuar në Romë nga Bashkësia e Shën Egjidit dhe promovuar nga një rrjet i gjerë shoqatash katolike, Patriarku Latin i Jerusalemit Pizzaballa u lidh me video: "Ua kemi lënë punën në dorë kaq shumë ekstremistëve, nga të dyja palët. Duhet të vazhdojmë të kërkojmë drejtësinë dhe të vërtetën, me dashuri për të gjithë"

R.SH. – Vatikan

Nuk duhet ta tradhtojmë kurrë humanizmin tonë. Kjo ishte thirrja e mbrëmjes së djeshme, më 22 shtator, gjatë lutjes së organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit në bazilikën e Shën Marisë në Trasteve të Romës, ku morën pjesë qindra njerëz nën flamurin e paqes për Gazën. Një sërë organizmash dhe shoqatash katolike italiane, së bashku me urdhra të ndryshme rregulltarësh e murgeshash, ishin pjesë e një rrjeti të gjerë, që ngriti zërin për armëpushimin dhe për lirimin e pengjeve, për një zgjidhje diplomatike dhe për respektimin e plotë të së drejtës ndërkombëtare humanitare.

Kryetari i Bashkësisë së Shën Egjidit, Marco Impagliazzo, ishte i pari që përuroi reflektimin, i cili vijoi me këngë kishtare, që krijuan një atmosferë intime, por solemne. Ai citoi Giorgio La Pira-n dhe kujtoi fjalët e tij për frytet e lutjes, e cila ka "forcë historike". "Lutja mund të prekë zemrat", theksoi Impagliazzo, duke nxitur: “Të kthehemi te respekti për të drejtën ndërkombëtare në atë tokë. Të lutemi për të gjitha viktimat e luftës". Mbrëmja e lutjes u kryesua më pas nga ish-kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, kardinali Gualtiero Bassetti, kryeipeshkëv nderi i Perugia-Città della Pieve, i cili komentoi fragmentin e lumnive marrë nga Ungjilli sipas Mateut.

Patriarku Pierbattista Pizzaballa
Patriarku Pierbattista Pizzaballa

Pizzaballa: kurrë, kohë kaq e vështirë

Nga Jerusalemi, u lidh me video me Romën Patriarku Pierbattista Pizzaballa, i cili komentoi tekstin ungjillor të Lumnive, që në situatën e Tokës Shenjte, tingëllon pothuajse si kontradiktë. Në një kohë dhe vend ku duket sikur triumfon e kundërta e butësisë, pikërisht "kjo lumni më prek", vërejti ai. "Jemi zemërthyer, thellësisht të plagosur nga ç’po përjetojmë, nga atmosfera e urrejtjes që e ka krijuar këtë dhunë, e cila, nga ana tjetër, krijon edhe më shumë urrejtje, në këtë rreth vicioz, që nuk arrijmë ta thyejmë". Kardinali Pizzaballa denoncoi: "Ua kemi lënë punën në dorë kaq shumë ekstremistëve nga njëra e nga ana tjetër. Megjithatë - sqaron ai - shoh edhe kaq shumë njerëz të butë. Të gjithë, njerëz që e vënë veten në rrezik, që kërkojnë drejtësi, duke paguar personalisht për këtë - izraelitë, palestinezë, hebrenj, të krishterë, myslimanë. Nuk është çështje përkatësie, por humanizmi, para së gjithash". Ky është burimi i shpresës për françeskanin, i cili kujton se në 35 vjet prani në Tokën Shenjte "nuk kam parë kurrë një moment kaq të vështirë".

Shpresa është që edhe në Tokën Shenjte – nuk dihet as kur e as në ç’mënyrë - falë zemërbutëve, "të cilët nga natyra e tyre nuk bëjnë zhurmë, por ekzistojnë", të krijohet një strukturë mbi të cilën të rindërtohet gradualisht e ardhmja. "Duhet të vazhdojmë ta kërkojmë drejtësinë, të themi të vërtetën, me dashuri për të gjithë". Duke e ditur se do të vijë koha, përfundoi kardinali Pizzaballa, "kur gjuha e forcës do të dështojë, kur e gjithë kjo kështjellë dhune do të shembet, duhet të jemi gati. E duhet, me fjalët dhe dëshminë tonë, ta bëjmë të dukshme forcën e kësaj butësie, në mënyrë që të gjithë të mund të trashëgojnë, në bukuri, dashuri dhe butësi, tokën që Zoti na ka dhënë".

  (ANSA)

Një numër i madh organizmash kishtare të bashkuara për paqen

Lutja e mbrëmshme, në të cilën morën pjesë dhjetëra njerëz, si personalisht, ashtu edhe përmes internetit, tërhoqi edhe disa meshtarë, që u bashkuan me marshimin për paqen në Palestinë, duke denoncuar ç’po ndodh si gjenocid. Duke filluar nga kisha e Shën Andrea della Valle, ata u ndalën me etapa deri para parlamentit italian, duke kënduar këngë, duke u lutur dhe duke lartuar flamuj. Një mobilizim prej rreth njëqind pjesëmarrësish. Nisma të tjera do të mbahen këto ditë në Romë, si lutja e vazhdueshme në kishën e Shën Jozefit të Zdrukthëtarëve në Forumin Romak, që filloi dje e do të përfundojë të enjten, në orën 21.

23 shtator 2025, 10:11