RD e Kongos: të ndërtohet një botë me drejtësi për të shëruar plagët
R.SH. – Vatikan
"Si shtegtarë të shpresës, të gjithë jemi të ftuar të punojmë për vendosjen e drejtësisë. Kjo është nevojë urgjente, veçanërisht për ne në Republikën Demokratike të Kongos, ku lufta dhe konfliktet, që janë bërë ciklike, vazhdojnë t’i sprovojnë rëndë bashkësitë dhe t’i ndajnë familjet, duke shkaktuar krizë humanitare në këtë pjesë të Afrikës". Këtë pohon Tony Tshibanda Tondoyi, një avokat kongolez nga Lubumbashi, qytet në pjesën juglindore të vendit afrikan, në një intervistë me mediat e Vatikanit, ndërsa kremtohej Jubileu i parë i punonjësve të drejtësisë.
Të përmbyset sistemi i sëmurë
"Të gjithë jemi të thirrur të ndërtojmë një botë në drejtësi", thekson Tshibanda Tondoyi, duke vënë në dukje se "drejtësia nuk është e përsosur kudo në botë, por në Republikën Demokratike të Kongos duhet dyshuar edhe nëse ekziston ende drejtësia". Kohët e fundit, presidenti kongolez, Félix Tshisekedi, e përshkroi sistemin gjyqësor të vendit si "të sëmurë". Sipas avokatit, është një sistem gjyqësor "i prekur nga korrupsioni, ryshfeti, influencat e ndryshme, arbitrariteti dhe mohimi i drejtësisë".
Nisma e Kishës Katolike
Për ta jetuar fenë vertetësisht, në një kuadër të karakterizuar nga kompromise të shumta, avokatët dhe magjistratët e krishterë janë bashkuar në një organ të quajtur Konsorciumi i Magjistratëve dhe i Avokatëve Katolikë të Pagëzuar (CMABAC). Kjo nismë u paraqit kohët e fundit nga kryeipeshkvi i Lubumbashit, imzot Fulgence Muteba Mugalu, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Kongos (CENCO). Qëllimi është të promovohet etika e krishterë brenda sistemit gjyqësor kongolez përmes programeve të formimit, ushtrimeve shpirtërore dhe shkëmbimit të përvojës. Konsorciumi ndihmon edhe të varfrit, që nuk mund të përballojnë tarifat ligjore dhe ndërhyn në raste të caktuara, si grabitja e tokës.
Pa drejtësi, ka veç dhunë dhe pandëshkueshmëri
"Është fjala edhe për drejtësi shoqërore, për barazi në fushën e të drejtave dhe të mbrojtjes shoqërore, për drejtësinë distributive dhe për atë të pagesave të drejta", komenton avokati, duke argumentuar nevojën për "një përqafim" ndërmjet drejtësisë dhe shpresës, për të përmbysur "sistemin gjyqësor, që i vë të fortët kundër të dobëtve, të pasurit kundër të varfërve". Mungesa e drejtësisë ngjall pakënaqësi, e cila, nga ana tjetër, çon në dhunë dhe pandëshkueshmëri. "Çfarë po ndodh në lindje të vendit", përfundon ai, "është rezultat i pandëshkueshmërisë, pra, i mungesës së drejtësisë". Por me angazhimin e të gjithëve, "drejtësia një ditë do të lulëzojë përsëri".