Kërko

 Konferenca Ipeshkvnore e Kishës katolike në Shqipëri Konferenca Ipeshkvnore e Kishës katolike në Shqipëri

Kisha katolike e Shqipërisë dhe realiteti shoqëror në vend

Më 22 e 23 tetor në Tiranë, ipeshkvijtë e Kishës katolike të Shqipërisë bisedojnë e analizojnë punën dhe sfidat baritore të Kishës në vend si dhe shumë situata në të cilën kalon shoqëria, fenomene që prekin vendin si inteligjenca artificiale dhe ndryshimet e mëdha demografike. Kisha katolike është e thirrur për të vepruar në një shoqëri si e sotmja me shumë urti, duke dëshmuar rrënjët e veta dhe e hapur besimtarët ndaj horizontit të një shprese të sigurt, në Zotin, që nuk zhgënjen.

R.SH. / Vatikan

Për dy ditë, dje më 22 e sot më 23 tetor në Tiranë, ipeshkvijtë e Kishës katolike të Shqipërisë u mblodhën për të biseduar dhe analizuar punën dhe sfidat baritore të Kishës në vend si dhe shumë situata që po kalon shoqëria, fenomene që prekin vendin si inteligjenca artificiale apo ndryshimet e mëdha demografike. Kisha katolike në Shqipëri është e thirrur për të vepruar në një shoqëri si e sotmja me shumë urti, duke dëshmuar rrënjët e veta dhe e hapur besimtarët ndaj një horizonti të një shprese të sigurt, e cila nuk zhgënjen, shpresës në Zotin. Po më hollësisht të ndjekim njoftimin e Zëdhënësit të KISH, dom Mark Pashkja:

Dom Mark Pashkja

ASAMBLEJA E PËRGJITHSHME E ZAKONSHME LXXV E KONFERENCËSIPESHKVORE TË SHQIPËRISË

22-23 tetor 2025

Në ambientet e Selisë së Konferencës Ipeshkvore në Tiranë barinjtë e Kishës në Shqipëri u mblodhën për të diskutuar dhe analizuar punën dhe sfidat baritore të Kishës në vendin tonë. Meshën e hapjes së punimeve e udhëhoqi Sh.T. Imzot Arjan Dodaj F.d.C, Arqipeshkvë i Tiranë -Durrës.

Në homelinë e tij imzot Dodaj nënvizoi faktin se Kisha është e thirrur për të vepruar në një shoqëri si e sotmja me shumë urti dhe e udhëhequr nga parimi i subsidiaritetit. Jubileu që po kalojmë shtoi ai është rasti i volitshëm për ti kujtuar dhe promovuar këto dy realitete. Po ashtu ai nënvizoi domosdoshmërinë e të qenurit një Kishe që nuk harron rrënjët e veta dhe ka të qartë horizontin drejt së cilës duhet të shkoj.

Në fjalën e hapëse të punimeve, Presidenti i KISH Imzot Gjergj Meta, shprehu nevojën e përqendrimit të Kishës Katolike në shumë prej situatave në të cilën kalon shoqëria jonë. Ai u ndal tek shumë fenomene të cilat prekin vendin tonë po aq sa edhe vendet e tjera, e në këtë mënyrë Kisha Katolike këtu, nuk mund të qëndroj indiferente. Duhet të jemi të vetëdijshëm shtoi ai, se realitete të tilla si inteligjenca artificiale apo ndryshimet e mëdha demografike në shumë realitete të vendit tonë janë realitete të pashmangshme me të cilat përballemi.

Fillimet e punimeve u përshëndeten edhe nga i ngarkuari me punë i Selisë Shenjte në Tiranë Imzot Ionuţ Paul Strejac. Në fjalën e tij përshëndetëse ai shprehu kënaqësinë për mënyrën me të cilën janë organizuar shumë prej aktiviteteve jubilare në vendin tonë. Ai theksoi domosdoshmërinë e një lidhjeje aktive që duhet të ekzistojë tek besimtarët mes Kishës lokale dhe Selisë Apostolike nëpërmjet iniciativave të ndryshme.

Pas përshëndetjeve të rastit, ipeshkvijtë vazhduan punimet sipas rendit të punës të paracaktuar më parë nga sekretaria e përgjithshme. Këto punime do ti mbajnë të bashkuar barinjtë e Kishës katolike për dy ditë në kryeqytetin e Shqipërisë.

Dom Mark Pashkja

Zëdhënës KISH

23 tetor 2025, 10:49