Kërko

2024.10.22 "Custodi del bello",il progetto promosso dalla Conferenza Episcopale italiana con il duplice obiettivo di dare dignità grazie al lavoro e di restituire decoro ai luoghi pubblici.

Çelësi i fjalëve të Kishës: dinjiteti i punës

“Nuk ekziston, në fakt, asnjë dyshim që puna e njeriut ka një vlerë të vetën etike, e cila mbetet e lidhur me faktin se ai që e bën atë është një person” (Gjon Pali II, enc. Laborem exercens, 6)

R.SH. – Vatikan

Në ciklin kushtuar Doktrinës shoqërore të Kishës, vijojmë sot t’ju flasim për punën e, në mënyrë të veçantë, për dinjitetin e saj. Puna e njeriut ka një përmasë të dyfishtë: objektive dhe subjektive. Në kuptimin objektiv është tërësia e veprimtarisë, e burimeve, e mjeteve dhe e teknikave, të cilat njeriu i përdor për të prodhuar, për ta zotëruar tokën, sipas fjalëve të Librit të Zanafillës. Puna në kuptimin subjektiv është veprimi i njeriut si qenie dinamike, i aftë për të bërë veprime të ndryshme që i përkasin procesit të punës dhe që i përgjigjen thirrjes së tij personale.

Puna në kuptimin objektiv përbën aspektin që ka të bëjë me veprimtarinë e njeriut, që ndryshon pareshtur me ndryshimin e kushteve teknike, kulturore, shoqërore dhe politike. Kurse në kuptimin subjektiv përvijohet si përmasë e përhershme e tij, pasi nuk varet nga ajo që njeriu realizon konkretisht dhe as nga lloji i veprimtarisë që ushtron, por ekskluzivisht nga dinjiteti i tij. Dallimi është vendimtar si për të kuptuar se cili është themeli bazë i vlerës dhe i dinjitetit të punës, ashtu edhe në rendin e problemit të një organizimi të sistemit ekonomik dhe shoqëror, që respekton të drejtat e njeriut.

Subjektiviteti i jep punës dinjitetin e saj të veçantë

Subjektiviteti i jep punës dinjitetin e saj të veçantë: “Nuk ekziston, në fakt, asnjë dyshim që puna e njeriut ka një vlerë të vetën etike, e cila mbetet e lidhur me faktin se ai që e bën atë është një person” (Gjon Pali II, enc. Laborem exercens, 6). Përmasa subjektive e punës duhet të ketë parësi mbi përmasën objektive të saj, përndryshe, puna e humbet kuptimin e saj më të vërtetë dhe më të thellë dhe kthehet në armike të dinjitetit të njeriut. Kisha ka mësuar e mëson gjithmonë se “puna është për njeriun dhe jo njeriu për punën.

Puna e njeriut ka edhe një përmasë të thellë shoqërore, pasi gërshetohet me punën e njerëzve të tjerë. Edhe frytet e punës krijojnë raste shkëmbimesh, marrëdhëniesh dhe takimesh. Puna, për këtë arsye, s’mund të vlerësohet si duhet nëse nuk mbahet parasysh natyra e saj shoqërore: “meqë nëse nuk ekziston një trup me të vërtetë shoqëror dhe organik, nëse një rend shoqëror dhe juridik nuk mbron ushtrimin e punës, nëse pjesët e ndryshme, të varura nga njëra-tjetra, nuk lidhen dhe nuk kryhen në mënyrë të ndërsjellë, nëse, edhe për më tepër, nuk bëhen “ortake”, duke formuar gati një gjë të vetme, inteligjencë, kapital, punë, veprimtaria njerëzore nuk mund t’i prodhojë frytet e saj dhe, kështu nuk mund të vlerësohet dhe të paguhet si duhet, aty ku nuk mbahet parasysh natyra e saj shoqërore dhe individuale” (Piu XI, enc. Quadragesimo anno).

Puna është edhe “detyrim, domethënë një detyrë e njeriut”. Njeriu duhet të punojë, sepse Krijuesi ia ka urdhëruar këtë, por edhe për t’iu përgjigjur kërkesave për mbajtjen dhe zhvillimin e tij. Puna përforcon identitetin e thellë të njeriut të krijuar në shëmbëlltyrë dhe në përngjasim të Hyjit. Kjo cilëson veprimtarinë e njeriut në gjithësi: ai nuk është zotëria, por kujdestari, i thirrur për të pasqyruar në veprimtarinë e vet gjurmën e Atij, përngjasim i të cilit ai është.

Marrëdhëniet ndërmjet punës dhe kapitalit

Puna, për vetë karakterin subjektiv apo personal, është më e lartë se çdo faktor tjetër i prodhimit: ky parim vlen, në veçanti, për kapitalin. Sot, termi “kapital” ka kuptime të ndryshme: nganjëherë tregon mjetet materiale të prodhimit në ndërmarrje, nganjëherë burimet financiare të investuara në një nismë prodhuese apo edhe në një veprim në tregjet e bursave. Doktrina shoqërore ka trajtuar marrëdhëniet mes punës dhe kapitalit, duke vënë në dukje si përparësinë e të parës mbi të dytën, ashtu edhe përplotësinë e tyre.

Marrëdhëniet ndërmjet punës dhe kapitalit paraqesin shpesh tipare konfliktualiteti, që marrin karakteristika të reja me ndryshimin e konteksteve shoqërore dhe ekonomike. Në të kaluarën, konflikti mes kapitalit dhe punës buronte sidomos “nga fakti se punëtorët vinin të gjitha forcat në dispozicion të grupit të sipërmarrësve, dhe se ky, i udhëhequr nga parimi i përfitimit maksimal, përpiqej të caktonte paga sa më të ulta për punën e bërë nga punëtorët” (Gjon Pali II, enc. Laborem exercens, 11). Aktualisht, konflikti paraqet aspekte të reja dhe, më shqetësuese: përparimi shkencor dhe teknologjik dhe globalizimi i tregjeve, në vetvete burim zhvillimi dhe përparimi, i vë punëtorët në rrezikun e shfrytëzimit nga ingranazhet e ekonomisë dhe nga kërkimi i shfrenuar i prodhimtarisë.

Nuk bëhet fjalë vetëm për situatat e shumta të mungesës së punës, të punës në të zezë, të punës së fëmijëve, të punës së nënpaguar, të punës së shfrytëzuar, që ende vazhdojnë, por edhe të formave të reja, shumë më të holla, të shfrytëzimit të punëve të reja, të mbi-punëve, të punës-karrierë, që nganjëherë i vjedh hapësirë përmasave po aq njerëzore dhe të nevojshme për personin, të elasticitetit të tepërt të punës që e bën të pasigurt dhe nganjëherë të pamundur jetën familjare, të modularitetit të punës, që rrezikon të ketë ndikime të rënda mbi perceptimin tërësor të ekzistencës dhe të qëndrueshmërisë së marrëdhënieve familjare.

Puna, dhënia e së drejtës për pjesëmarrje

Marrëdhënia ndërmjet punës dhe kapitalit gjen shprehje edhe nëpërmjet pjesëmarrjes së punëtorëve në pronësinë, mbarështimin dhe frytet e saj. Kjo është një kërkesë shumë shpesh e lënë pas dore, që në fakt duhet ta vlerësojmë më mirë: secili, në bazë të punës së vet, duhet të ketë të drejtë të plotë ta konsiderojë veten në të njëjtën kohë edhe “bashkë-pronar”. Për këtë arsye, puna është e lidhur me pronën private. Prona private dhe publike, si edhe mekanizmat e sistemit ekonomik duhet të parapërgatiten për një ekonomi në shërbim të njeriut, në mënyrë që të ndihmojnë për vënien në jetë të parimit të destinacionit universal të të mirave materiale.

Në këtë perspektivë bëhet e rëndësishme çështja që ka lidhje me pronën, përdorimin e teknologjive dhe të njohurive të reja, që përbëjnë, në kohën tonë, një formë tjetër të veçantë pronësie, me rëndësi jo më të vogël se ajo e tokës dhe e kapitalit (Gjon Pali II, enc. Centesimus annus, 32). Njohuritë e reja dhe teknologjitë mund të japin një ndihmesë vendimtare në nxitjen e përparimit shoqëror, por ka rrezik të bëhen burim papunësie dhe të zmadhojnë distancimin ndërmjet zonave të zhvilluara dhe zonave të nënzhvilluara, nëse mbeten të përqendruara në vendet më të pasura apo në duart e grupeve të vogla, që kanë në dorë pushtetin.

Pushimi i ditës së festës

Së fundi, një konsideratë për pushimin e ditës së festës, i cili është një e drejtë. Hyji “të shtatën ditë pushoi nga çdo punë që kishte bërë” (Zan 2, 2): edhe njerëzit, të krijuar në përngjasim të Tij, duhet të gëzojnë pushime dhe kohë të lirë të mjaftueshme që t’u mundësojë atyre të kujdesen për jetën familjare, kulturore, shoqërore dhe fetare (Koncili II i Vatikanit, Kusht. Barit. Gaudium et spes, 67). Për këtë ndihmon caktimi i ditës së Zotit. Besimtarët, gjatë ditës së diel dhe ditëve të festave të tjera të urdhëruara, duhet të mos bëjnë punë apo veprimtari, që pengojnë kultin e Hyjit, harenë e tyre në ditën e Zotit, praktikimin e veprave të mëshirës dhe nevojën për të pushuar mendjen e trupin. E diela është një ditë që duhet të shenjtërohet me një dashuri vepruese, duke i kushtuar përkujdesje familjes dhe të afërmve, si edhe të sëmurëve, atyre që vuajnë, të moshuarve; përveç kësaj është një kohë e përshtatshme për reflektim, heshtje, studim, që favorizon jetën shpirtërore të krishterë. Autoritetet publike kanë të drejtën të mbikëqyrin me qëllim që shtetasve të mos u hiqet, për arsye të prodhimit ekonomik, një kohë e caktuar për pushimin dhe kultin hyjnor.

16 tetor 2025, 09:54