Kërko

2025.05.27 Faburama Ceesay al lavoro nel suo laboratorio

Çelësi i fjalëve të Kishës: e drejta për punë

Kisha na mëson vlerën e punës, sepse ajo është e nevojshme, siç thoshte që me enciklikën “Rerum Novarum”, Papa Leoni XIII. Puna është e nevojshme për të formuar dhe për ta mbajtur familjen, për të pasur të drejtën për pronë, për të ndihmuar në të mirën e përbashkët të familjes njerëzore. Një shoqëri në të cilën e drejta për punë bëhet e kotë, ose mohohet sistematikisht; aty ku politika ekonomike nuk u jep mundësinë punëtorëve të kenë punë të kënaqshme, nuk mund të jetë e ligjshme

R.SH. - Vatikan

Në vazhdim të ciklit kushtuar Doktrinës Shoqërore të Kishës, vijojmë t’ju flasim për punën. Puna është e drejtë themelore dhe pasuri për njeriun: një e mirë e dobishme, e denjë për të, e përshtatshme për ta shprehur dhe për ta shtuar dinjitetin njerëzor. Kisha na mëson vlerën e punës, sepse ajo është e nevojshme, siç thoshte që me enciklikën “Rerum Novarum”, Papa Leoni XIII. Puna është e nevojshme për të formuar dhe për ta mbajtur familjen, për të pasur të drejtën për pronë, për të ndihmuar në të mirën e përbashkët të familjes njerëzore. Një shoqëri në të cilën e drejta për punë bëhet e kotë, ose mohohet sistematikisht; aty ku politika ekonomike nuk u jep mundësinë punëtorëve të kenë punë të kënaqshme, kjo shoqëri “nuk mund të arrijë as ligjshmërinë e saj etike dhe as paqen shoqërore” (Gjon Pali II, enc. Centesimus annus, 43). Përqindja e lartë e papunësisë, prania e sistemeve të vjetruara të arsimimit dhe vështirësitë e hyrjes në tregun e punës përbëjnë, sidomos për shumë të rinj, një pengesë të fortë në rrugën e realizimit njerëzor dhe profesional.

Mbajtja e vendit të punës varet gjithmonë e më shumë nga aftësitë profesionale.  Nevoja gjithnjë e më e përhapur për të ndryshuar shumë herë punën, gjatë jetës, i dikton sistemit edukativ të favorizojë përditësimin dhe kualifikimin e përhershëm të punonjësve. Të rinjtë duhet të mësojnë dhe të veprojnë në mënyrë autonome, të bëhen të aftë për të marrë në mënyrë të përgjegjshme detyrën që t’u bëjnë ballë me kompetencë rreziqeve të lidhura me një kontekst ekonomik të paparashikueshëm. Është i domosdoshëm edhe rikualifikimi i të rriturve dhe i të papunëve.

Roli i Shtetit dhe i shoqërisë në të drejtën për punë

Problemet e punësimit përfshijnë përgjegjësitë e Shtetit, të cilit i përket detyra për të nxitur politika pune të tilla, që favorizojnë krijimin e mundësive të punësimit brenda territorit kombëtar, duke stimuluar për këtë qëllim botën prodhuese. Detyra e Shtetit nuk ka të bëjë aq me sigurimin e drejtpërdrejtë të së drejtës për punë të të gjithë shtetasve, sa me “ndihmën për ndërmarrjet, duke krijuar kushte që sigurojnë raste pune, duke e nxitur atë aty ku ajo është e pamjaftueshme apo duke e mbështetur në çastet e krizës” (Gjon Pali II, enc. Centesimus annus, 48).

Duhet të jemi të vetëdijshëm për faktin se puna njerëzore është një e drejtë prej së cilës varet drejtësia shoqërore dhe paqja civile. Detyra të rëndësishme në këtë drejtim u takojnë Organizatave Ndërkombëtare dhe atyre sindikaliste, që kanë për angazhim të endin “një rrjet gjithnjë e më të dendur udhëzimesh juridike që mbrojnë punën e burrave, të grave, të të rinjve dhe që u sigurojnë atyre një pagë të drejtë” (Pali VI, Fjalimi për Organizatën Ndërkombëtare të Punës (10 qershor 1969), 21.

Familja dhe e drejta për punë

Puna është “themeli mbi të cilin formohet jeta familjare, e cila është e drejtë dhe thirrje e njeriut” (Gjon Pali II, enc. Laborem exercens, 10). Ajo siguron mjetet e jetesës dhe garanton procesin edukativ të fëmijëve. Është e nevojshme që ndërmarrjet, organizatat profesionale, sindikatat dhe Shteti të bëhen nxitës të politikave të punës, që nuk penalizojnë, por që favorizojnë jetën familjare. Puna larg shtëpisë, puna e dyfishtë dhe lodhja fizike e psikologjike e pakësojnë kohën, që duhet t’i kushtohet familjes; edhe papunësia ka ndikime materiale dhe shpirtërore mbi familjet, ashtu si edhe tensionet e krizat familjare ndikojnë negativisht në qëndrimet dhe në rendimentin e punës.

Gratë dhe e drejta për punë

Në këtë kuptim, ka rëndësi roli i gruas në botën e punës. Hapi i parë i domosdoshëm në këtë drejtim është mundësia konkrete për formim profesional. Njohja dhe mbrojtja e të drejtave të grave në kuadrin e punës kërkojnë “që puna të strukturohet në atë mënyrë që provomi i saj, të mos ketë si rezultat braktisjen e familjes, ku gruaja ka rolin e pazëvendësueshëm të nënës” (Gjon Pali II, enc. Laborem exercens, 19). Është çështje, që mat cilësinë e shoqërisë dhe mbrojtjen konkrete të së drejtës për punë të grave. Format e diskriminimit, që fyejnë dinjitetin dhe thirrjen e gruas në sferën e punës, e penalizojnë atë, duke e lënë jo rrallë pas dore e, madje, duke e skllavëruar. Urgjenca për njohjen e vërtetë të të drejtave të grave në punë ndihet sidomos në aspektin e pagës dhe të sigurimeve shoqërore (Gjon Pali II, Nxitja apostolike Familiaris consortio, 24).

Puna e fëmijëve

Një aspekt i rëndësishëm i botës së punës, për të cilën Kisha e ka ngritur gjithnjë zërin, është puna e fëmijëve, në format e saj të patolerueshme, që përbën një lloj dhune më pak të dukshme se të tjerat, por jo më pak të tmerrshme. Papa Leoni XIII theksonte: “Përsa u përket fëmijëve të kihet kujdes që të mos pranohen në ofiçina përpara se mosha të mos i ketë zhvilluar mjaftueshëm forcat e tyre fizike, intelektuale dhe morale. Forcat, që lulëzojnë në fëmijëri, të ngjashme me barin në lulëzim, cënohen nga një lëvizje e parakohshme dhe atëherë bëhet i pamundur vetë edukimi i fëmijës” (Rerum novarum: Acta Leonis XIII, 11). Plaga e punës së fëmijëve ende nuk është zhdukur edhe sot.

Mërgimi dhe puna

Me botën e punës lidhet edhe emigracioni, të cilin Kisha katolike e konsideron si mundësi, më shumë se një pengesë për zhvillimin. Ardhja e migrantëve në vendet e zhvilluara shpesh perceptohet si kërcënim për nivelet e larta të mirëqenies të arritura me mund e djersë. Të ardhurit, megjithatë, në më të shumtën e rasteve, u përgjigjen një kërkese për punë, që përndryshe do të mbetej e papërmbushur, në sektorë dhe territore ku puna lokale e krahut është e pamjaftueshme. Institucionet e vendeve pritëse duhet të mbikëqyrin me kujdes, me qëllim që të mos përhapet tundimi i shfrytëzimit të punës së krahut të huaj, duke u hequr atyre të drejtat, që u garantohen punëtorëve vendas. Rregullimi i flukseve të emigracionit sipas kritereve të barazisë dhe të ekuilibrit është njëri prej kushteve të domosdoshme për respektimin e dinjitetit të emigrantëve, të cilëve duhet t’u sigurohet edhe e drejta e bashkimit familjar. Kjo, ndërsa favorizohet shtimi i mundësive për vende pune në vendlindjen e çdo njeriu (Koncili II i Vatikanit, Kusht. barit. Gaudium et spes, 66).

Bota bujqësore dhe e drejta për punë

Një vëmendje të veçantë meriton puna bujqësore, për rolin shoqëror, kulturor dhe ekonomik që ajo ka në sistemet ekonomike të shumë vendeve, për problemet e shumta që duhet të përballojë në kontekstin e një ekonomie gjithnjë e më të globalizuar, për rëndësinë e saj në rritje për mbrojtjen e mjedisit natyror. Në disa vende është e domosdoshme rishpërndarja e tokës, në kuadrin e reformave agrare.

23 tetor 2025, 09:54