Kërko

POPE-JAPAN/HIDDEN CHRISTIANS

Fondacioni “Ndihmë për Kishën që vuan”: dy të tretave të botës u mohohet liria e fesë

U paraqit në Romë raporti i vitit 2025, hartuar nga Fondacioni Papnor “Ndihmë për Kishën që vuan”. Sipas statistikave, mbi 5,4 miliardë njerëz jetojnë në vende ku e drejta për të shprehur lirisht fenë e tyre mohohet sistematikisht. Autoritarizmi i qeverive është kthyer në kërcënim global

R.SH. – Vatikan

Të dhënat janë tronditëse: "Dy të tretat e njerëzimit jetojnë në vende ku liria fetare nuk garantohet plotësisht". Nëse do t'i rreshtonim, një nga një, ata burra, gra dhe fëmijë, të cilëve u ndalohet të luten, të shprehin fenë e tyre publikisht apo ata, që edhe vriten për shkak të fesë, do të kishim përpara një ushtri pa fund: mbi 5,4 miliardë njerëz, të cilëve u mohohet një e drejtë, jo një privilegj.

Një vëllim shumëfaqësh

Fondacioni Ndërkombëtar Papnor “Ndihmë për Kishën që vuan (ACS)” e përsërit këtë në çdo faqe, në çdo të dhënë, në çdo analizë të Raportit të ri mbi Lirinë Fetare në Botë, paraqitur sot në auditoriumin e Institutit Patristik Papnor Augustinian në Romë. Një vëllim prej mbi 1.200 faqesh – kurrë kaq shumë që nga fillimi i këtij studimi dyvjeçar, 25 vjet më parë - gjerësia e të cilit tregon qartë se gjërat nuk po shkojnë edhe aq mirë. Madje, në një çerek shekulli, janë keqësuar.

Të mos mungojë vëmendja

Kjo u konfirmua nga vetë relatorët, të cilët, duke paraqitur statistikat, kërkuan që të mos mungojë vëmendja ndaj një fenomeni gjithnjë e më të rrezikshëm dhe, ndoshta, jashtë kontrollit. Ky qëndrim u inkurajua edhe nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, i cili në fjalën e tij, e ngriti zërin, duke nënvizuar se është "detyrë e qeverive dhe e bashkësive të mos i detyrojnë njerëzit të shkelin besimet e tyre të rrënjosura thellë e të mos i pengojnë t’i jetojnë ato me vërtetësi”.

Paraqitja e Raportit
Paraqitja e Raportit

Pak përmirësime

Nëse lexohet Raporti—i paraqitur nga drejtoresha editoriale e dokumentit, Marta Petrosillo—kuptohet se sa sistematikisht po shpërfillet kjo. Para së gjithash, sepse hulumtimi i imët, që mori në shqyrtim 196 vende ndërmjet janarit 2023 dhe dhjetorit 2024, "dokumenton shkelje serioze në 62 prej tyre. Nga këto, 24 klasifikohen si vende 'persekutimi' dhe 38 si vende 'diskriminimi'. Vetëm dy vende—Kazakistani dhe Sri Lanka—kanë regjistruar përmirësime krahasuar me kohën e botimit të mëparshëm të studimit". Në shumicën e këtyre vendeve, shkaku i shtypjes fetare duket se është autoritarizmi: "Qeveritë po përdorin teknologji të mbikëqyrjes masive, censurë dixhitale, legjislacion të padrejtë dhe arrestime arbitrare për të goditur bashkësitë fetare të pavarura. Kontrolli mbi besimin fetar është kthyer në mjet pushteti politik".

Nacionalizmi fetar

Në veçanti, Afrika dhe Azia vuajnë edhe nga rritja e xhihadizmit dhe e nacionalizmit fetar. Sipas Raportit, "në 15 vende në të dy kontinentet, ai përfaqëson shkakun kryesor të persekutimit, ndërsa në 10 të tjera, kontribuon në diskriminim". Epiqendra e dhunës xhihadiste duket se është i gjithë rajoni i Sahelit, ku kanë gjetur vdekjen qindra mijëra njerëz dhe janë detyruar të shpërngulen bashkësi e qytete të tëra. "Nacionalizmi etniko-fetar", shton Raporti, "po nxit paralelisht shtypjen e pakicave në disa anë të Azisë. Në disa raste, jemi para një 'persekutimi hibrid', kombinim ligjesh diskriminuese dhe dhunë e kryer nga civilë, por e inkurajuar nga retorika politike".

Shkaku i luftërave

Konfliktet, që aktualisht po përgjakin botën, si ato në Ukrainë, Mianmar dhe Gaza, i kanë dhënë shkeljes së lirisë fetare një shtytje të paparë. "Luftërat kanë krijuar një krizë të heshtur zhvendosjeje. Në Sahel, për shembull, fshatra të tëra janë shkatërruar nga milicitë islamike. Gjithashtu, persekutimi realizohet edhe nga krimi i organizuar: grupe të armatosura vrasin, ose rrëmbejnë krerët fetarë dhe u zhvatin para famullive për të ushtruar kontroll territorial”.

Goditen edhe Evropa e Amerika e Veriut

Liria fetare po preket rëndë dhe vazhdimisht edhe në Evropë e në Amerikën e Veriut. Shihet qartë nga të dhënat: "Në vitin 2023, Franca regjistroi gati një mijë sulme kundër kishave; në Greqi, ndodhën mbi 600 akte vandalizmi. Shifra të ngjashme regjistrohen edhe në Spanjë, Itali dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës". “Ndihmë për Kishën që vuan”, për herë të parë, ka paraqitur një peticion global, duke u bërë thirrje qeverive dhe organizatave ndërkombëtare të sigurojnë mbrojtjen efektive të Nenit 18 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, i cili u njeh të gjithëve të drejtën për lirinë e mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë”.

21 tetor 2025, 15:15