Gaza: të krishterët ëndërrojnë paqe të drejtë, ndërmjet rrënojave dhe viktimave të luftërave
R.SH. / Vatikan
Përballë shkatërrimit drejt të cilit vijon Gaza dhe pafundësisë së dhimbjes së pafundme të banorëve të saj, por edhe punës e angazhimit që i pret, të krishterët do të përgjigjen duke u angazhuar për rindërtimin dhe kujdesin për popullin e vet. Atë Gabriel Romanelli, famullitar i Familjes Shenjte në Qytetin e Gazës, reflekton për shpresën, tani për të parë një paqe të drejtë për të gjithë, "në të dyja anët e murit".
Atë Romanelli, cila është gjendja shpirtërore e besimtarëve tuaj?
Ndjehej frika e këtij procesi paqeje, në të cilin ky hap mund të ishte i pari, por edhe i fundit. E nuk do të ishte hera e parë që një proces i sapo filluar, të merrte fund. Por tani duket vërtet e mundur që kjo luftë të ketë mbaruar, për të lindur diçka e re. Pavarësisht çastit të qetësisë dhe gëzimit, megjithatë, nuk mund të harrojmë se Gaza është shkatërruar plotësisht. Shumë nga njerëzit e strehuar në famullinë tonë, janë të pastrehë; disa u vranë në dy javët e fundit të luftës. Dita e fundit e dhunës pa disa lagje të rrafshuara përdhé, e njerëzit humbën gjithçka: pasuritë dhe kujtimet! Shkollat, universitetet, spitalet dhe të gjitha objektet kryesore tani mungojnë plotësisht. Frika ekziston, por në të njëjtën kohë, po kthehemi në punë. E po pyesim veten se çfarë mund të bëjmë për të mirën e njerëzve, për të vazhduar të ndihmojmë të varfrit. Falë Patriarkut Latin të Jeruzalemit, Kardinalit Pierbattista Pizzaballa, dhe shumë shoqatave, Kisha e vogël e Familjes Shenjte ndihmoi dhe do të vazhdojë të ndihmojë mijëra familje në Gaza.
A po e planifikoni tashmë misionin tuaj?
Kemi bërë shumë dhe duam të vazhdojmë të bëjmë, por transformimet janë të nevojshme. Kishim tri shkolla. Shpresojmë t'i rihapim, por dy u bombarduan. E nuk duhet harruar se atje ka shumë refugjatë. Edhe shkolla ngjitur me Kishën është e zënë nga refugjatë të krishterë. Para luftës, kishim 2,250 nxënës në shkollat tona, shumica myslimanë e 10% të krishterë. Por ku mund t'i çojmë këta fëmijë sot? Të gjitha shkollat janë vënë në dispozicion të refugjatëve. E pastaj, si mund ta riorganizojmë jetën shoqërore? Ka rrënoja kudo. Të gjitha sistemet e ujërave të zeza janë shkatërruar, nuk ka ujë të pijshëm, as energji elektrike, as gjëra thelbësore, që mungojnë. Duhet të ecim me qetësi dhe të vazhdojmë të lutemi, siç kemi bërë gjithmonë, me adhurim, predikime e rruzare të përditshme. E duhet të kemi kohë çdo ditë për t'u takuar me fëmijë, të rinj dhe madje edhe të rritur. Sepse jeta shpirtërore është themeli i forcës sonë, për të vazhduar t'u shërbejmë numrit të madh të të varfërve, si dhe të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara.
Në Sharm el-Sheikh mendohet për të ardhmen e Shtetit të Palestinës. Ju jeni mbështetur nga feja juaj. A është ky rast për të gjithë? Si mund ta kanalizojmë frikën dhe zemërimin në diçka konstruktive?
Për fat të mirë, duhet të them se të krishterët lindorë janë shembuj për ne. Ata e dinë se lufta është vepër e njerëzve, jo e Zotit. E dinë se tek Zoti gjejmë forcën, paqen dhe hirin për të vazhduar të jetojmë jetën tonë shpirtërore dhe për t’u shërbyer të gjithëve. E vërtet prekëse është se nuk kam dëgjuar kurrë një të krishterë të shfrejë një ndjenjë hakmarrjeje. Për më tepër, në përgjithësi, mund të thuhet se qytetarët e Lindjes së Mesme besojnë në Zot. Edhe pse ka qëndrime që padyshim do të ndryshojnë për shkak të luftës, shumica e popullsisë së Gazës, e gjithashtu e Izraelit dhe e Bregut Perëndimor, ku situata është shumë serioze, e njerëzit janë lodhur në tepri nga lufta. Të gjithë duan që ajo të marrë fund! Kjo është arsyeja pse shpresojmë që ky të jetë fillimi i një periudhe të re paqeje, bazuar në drejtësi. Mbasi nëse të drejtat e njerëzve nuk respektohen, qoftë në njërën anë të murit apo në tjetrën, në të ardhmen do të ketë përsëri probleme të mprehta!