Kërko

Imzot Arjan Dodaj: shtegtimi dioqezan, përvojë shpirtërore, që pasuroi besimtarët

Nga 16 deri më 20 tetor, kryedioqeza metropolite e Tiranë-Durrësit kreu shtegtimin e saj jubilar në Varret e Apostujve, duke përshkuar një udhë, që e çoi nga konkatedralja e Shën Luçisë, në Durrës, pastaj në Bari, Gjenacan, Romë, San Giovanni Rotondo e Gargano. Kryeipeshkvi metropolit, imzot Arjan Dodaj, nënvizon se shtegtimi ishte rast për të zbuluar vetveten, pasi besimtarët patën privilegjin ta pajtojnë shpirtin me Zotin e ta pasurojnë atë. Ai bën thirrje të përçohet kjo përvojë në jetë

R.SH. - Vatikan

Një udhëtim nga Durrësi në Gargano të Italisë, duke kaluar nga Bari, Genazzano, Roma dhe San Giovanni Rotondo. Duket thjesht një xhiro turistike, por nuk është ashtu: është rrugëtimi i kryedioqezës Tiranë-Durrës në shtegtimin e saj jubilar, në këtë Vit Shenjt kushtuar shpresës. Që nga 16 e deri më 20 tetor, një grup nga kjo dioqezë, me në krye kryeipeshkvin metropolit të Tiranë-Durrësit, imzot Arjan Dodajn, ecën në kërkim të shpresës, me lutje e meshë në qendra të rëndësishme të katolicizmit në Itali, për të kaluar, së fundi, Portën Shenjte të disa bazilikave në Romë. Më hollësisht për këtë përvojë të fuqishme shpirtërore, të dëgjojmë pikërisht imzot Arjan Dodajn, në këtë koment për Radio Vatikanin / Vatican News

Dëgjoni imzot Arjan Dodajn...

Programi i shtegtimit

Para nisjes nga Shqipëria, pjesëmarrësit në shtegtimin jubilar u lutën pranë varreve të martirëve, në konkatedralen e Shën Luçisë, në Durrës, ku prehen të Lumët imzot Vinçens Prennushi dhe imzot Jul Bonati, por edhe imzot Pjetër Gjura, ish-kryeipeshkëv i Durrësit, si edhe protagonisti i pavarësisë, dom Nikoll Kaçorri. Lutja pranë varrit të një tjetër shenjti të madh, shumë të dashur për shqiptarët, i priste në Bari të Italisë, në bazilikën e Shën Nikollës apo Shën’Nkollit, siç njihet nga besimtarët katolikë. Bashkësia domenikane, që i mirëpriti në Bari, ia la vendin asaj augustiniane në shenjtëroren e Zojës së Këshillit të Mirë në Gjenancan, pranë Romës.

Imzot Arjan Dodaj kremtoi meshën në 294-vjetorin e kushtimit të Kishës Shën Marisë, që erdhi nga Shkodra, për t’i shpëtuar pushtimit otoman. Më 18 tetor, shtegtimi në bazilikat papnore të Zojës së Madhe (ku ndodhet varri i Papës Françesku), të Shën Gjonit në Lateran (selia e lashtë e Papëve), si edhe vizita në Kishën e Shën Pjetrit in Vincoli, lutja dhe pendesa në Shkallën Shenjte, si edhe kalimi në kuvendin e Katër Shenjtorëve të Kurorëzuar. Ditën e diel, më 19 tetor, flamuri shqiptar, i sjellë nga shtegtarët e kryedioqezës Tiranë-Durrës, u valëvit në Sheshin e Shën Pjetrit, në meshën e Papës Leoni XIV, i cili shpalli shtatë shenjtorë të rinj për Kishën Katolike. Ishte edhe dita e kalimit të Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit.

Të nesërmen, shtegtarët u larguan nga Roma për të shkuar drejt vendit të një shenjti, që është bërë i dashur edhe për shqiptarët: Shën Piut nga Pietrelçina. Në shenjtëroren kushtuar atij, në San Giovanni Rotondo, ku ndodhet edhe spitali i mirënjohur, në të cilin janë mjekuar e vazhdojnë të mjekohen edhe shumë shqiptarë, imzot Arjan Dodaj kryesoi meshën e lutjen para varrit të shenjtit, në kriptën e Kishës. Shtegtimi dioqezan nuk mund të kishte vend më të mirë përfundimi sesa shenjtërorja e Shën Mëhillit (Mikelit) Kryeengjëll në Gargano, shpallur pasuri e UNESCO-s. Në shpellën e njohur, një nga vendet më të rëndësishme të gjithë Perëndimit për kultin e kryeengjëllit, që mposhti djallin me shpatën e tij, shtegtarët u ndalën për t’u lutur që kryedioqeza e tyre, e cila po kremton Vitin e veçantë të lutjes për thirrjet meshtarake e rregulltare, të ketë më shumë njerëz, që e dëgjojnë thirrjen e Zotit për t’iu kushtuar plotësisht Atij.

22 tetor 2025, 09:29