Kard. Pizzaballa: një gjuhë e re dhe dëshmitarë të rinj për një paqe të vërtet
R.SH. - Vatikan
Andrea Tornielli e Beatrice Guarrer
Shpresat për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme në Tokën e Shenjtë, vështirësitë në Gaza dhe Bregun Perëndimor, ndjenja e komunitetit e manifestimeve në sheshe, që kanë bashkuar njerëzit në emër të dinjitetit të qenies njerëzore. Këto janë disa nga pikat e prekura nga Patriarku i Jeruzalemit të Latinëve, kardinali Pierbattista Pizzaballa, i ftuar sot, e mërkurë më 15 tetor, në studiot e Radio Vatikanit - Vatican News. Kardinali foli për një armëpushim të brishtë, por edhe për shpresën e përbashkët të izraelitëve dhe palestinezëve që kjo të mos jetë një "parentesë", por "që të mund të rifillojmë të jetojmë me një perspektivë të re që nuk është lufta dhe dhuna".
Ju neni Romë për të marrë një çmim, çmimin Achille Silvestrini, i cili i dorëzohet sot Atë Gabriel Romanellit, famullitarit të Familjes së Shenjtë të Gazës. Si është situata e të krishterëve të asaj komuniteti që ka vendosur të qëndrojë në atë situatë të vështirë?
Jemi në kontakt të përditshëm me ta. Ata shkruajnë gjithmonë se ende nuk besojnë që kanë mundur të flenë natën pa dëgjuar zhurmën e bombave. Ka dronë, por me këtë janë mësuar prej vitesh. Për pjesën tjetër, situata është ende shumë e paqartë. Ka pasur, siç dihet, përleshje edhe mes fraksioneve të ndryshme, por e gjithë kjo ishte e parashikueshme sepse pezullimi i luftës - ende nuk e dimë nëse ka përfunduar - dhe fazat pasuese janë ende mjaft të pavendosura, të pasakta, të paqarta. Gjithçka duhet ndërtuar, organizuar dhe ishte - dhe është - e parashikueshme që do të ketë ulje-ngritje. Ka ende shumë për të bërë. Situata mbetet gjithsesi dramatike, sepse gjithçka është shkatërruar. Pra, njerëzit po kthehen, por po kthehen mbi rrënoja. Spitalet nuk funksionojnë, shkolla nuk ka. Ekizston ende çështja e trupave të pengjeve izraelitë të vdekur, të cilët duhet të rikuperohen. Nuk është e thjeshtë edhe sepse, shumë shpesh, është humbur lokalizimi i këtyre trupave në atë kaos që ka ndodhur. Mungesa e besimit është e lartë mes palëve. Megjithatë, përtej gjithë kësaj, ka një klimë të re që është ende e brishtë, por shpresojmë që të stabilizohet.
Si është e mundur në këtë kontekst historik, në këtë klimë, të ndërtojmë shpresën dhe vëllazërinë?
Kërkon kohë, para së gjithash. Nuk duhet ngatërruar shpresa me një zgjidhje të konfliktit, e cila nuk është e ndërmjetësuar. Fundi i luftës nuk është fillimi i paqes dhe nuk është fundi i konfliktit. Duhet të kemi parasysh të gjitha këto aspekte. Ja, por natyrisht është hapi i parë. Shpresa është, siç them gjithmonë, bija e besimit. Nëse shpirti yt ka besim, mund të realizojë edhe gjërat në të cilat beson. Pra, duhet të punojmë para së gjithash për këtë, me njerëzit që ende duan të përfshihen dhe të krijojnë këtë rrjet, si brenda Gazës ashtu edhe jashtë Gazës, sepse nuk duhet t'i ndajmë dy anët nga kufijtë. Dhe të krijojmë vëllazëri. Unë besoj se ka nevojë për një lidership të ri politik, por edhe fetar. Besoj se kjo është shumë e rëndësishme, prandaj kemi filluar tashmë të kontaktojmë. Kemi nevojë për fytyra të reja, figura të reja që ndihmojnë në rindërtimin e një narrative tjetër, të bazuar në respektin e ndërsjellë. Do të duhet shumë kohë sepse plagët janë të thella, por nuk duhet të heqim dorë. Pra, ka gjithsesi shpresë për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme, edhe pse në këtë moment jemi vetëm në hapat e parë. Duhet të besojmë, para së gjithash, duhet ta duam paqen. Kohët do të jenë shumë të gjata, nuk duhet të krijomë iluzione se do të vijë shpejt. Dhe duhet të kemi parasysh edhe dështimet e marrëveshjeve të mëparshme, dështimet e shumta që kanë minuar në mënyrë shumë serioze besimin midis palëve. Do të ketë faza të ndryshme. Unë mendoj se ndoshta brezi i ardhshëm do të ketë një liri që sot ky brez nuk e ka. Por detyra e këtij brezi është të përgatisë brezin e ardhshëm. Pra, duhet të krijojmë të gjitha, pak nga pak premisat, kushtet me fytyra të reja, lidership dhe mbi të gjitha të krijojmë kontekste që, pak nga pak, të krijojnë edhe një kulturë respekti, që më pas të sjellë paqen.
Cilat janë shpresat konkrete të këtij brezi, të njerëzve që takoni çdo ditë në Jerusalem apo gjetkë?
Në këtë moment jemi në një fazë të re, ende të brishtë. Kemi kaluar dy vite të tmerrshme. Dhe shpresa është që kjo të jetë fundi i këtyre dy viteve dhe jo thjesht një ndërprerje, prandaj kjo është një dëshirë e të gjithëve, e përbashkët për të gjithë, izraelitë dhe palestinezë, djathtas apo majtas, lart e poshtë. Pra, të gjithë dëshirojnë që të mund të ndryshohet realiteti. Kjo është gjëja e parë. Pastaj natyrisht ka mendime të ndryshme, si politike ashtu edhe fetare. Ka edhe perspektiva të ndryshme. Por ka edhe shumë dëshirë te njerëzit e thjeshtë që të mund të rifillojnë të jetojnë, nuk them normalisht, por me një perspektivë të re që të mos jetë lufta dhe dhuna.